E Diel, 1 Nëntor 2026

Prendi: Kryeministria dhe Parlamenti do sulmoheshin me armë kimike më 21 janar, ndërsa Berisha do qëllohej me snajper

“Një qitës me snajper dhe elementë nga turma me armë kimike do sulmonin kryeministrinë me 21 janar“. Kështu është shprehur ish-komandanti i gardës së republikës, Ndrea Prendi, i akuzuari kryesor për vrasjen e protestuesit Faik Myrtaj, raporton Ora News. Në dëshminë e parë para gjykatës, Prendi ka dhënë versionin e tij, duke lënë të kuptohet se informacionet që kishte tregonin për një sulm të rrëzikshëm ndaj institucionit të kryeministrit.

Në seancën e rradhës së procesit për ngjarjet e 21 janarit 2011, Prendi ka folur hollësisht për atë që ndodhi në sheshin para kryeministrisë dhe çfarë informacionesh vinin ndërsa turma i drejtohej këtij institucioni. Në cilësinë e të akuzuarit Prendi ka deklaruar para togave të zeza se kishte informacion të saktë se nga elementë të protestës do të kryheshin veprime të rrezikëshme, deri edhe përdorim të armëve kimike dhe se mjeti që hyri në oborr dyshohej për eksploziv.

Ushtaraku i lartë në hirearkinë e gardës, ka deklaruar gjithashtu se një informacion që vinte nga shërbimet e gardës, lajmëronte praninë e një qitësi me snajper, që kishte si objektiv dritaret e kryeministrisë. Por, sipas dëshmisë së Prendit objektivi i turmës nuk ishte vetëm kryeministria, pasi informacionet flisnin edhe për një sulm të dytë ndaj parlamentit, që sipas tij u evituar nga rrjedha e ngjarjeve. Agravimin e situatës Prendi e ka shpejguar me tentativën e protestuesve, që sipas tij po tentonin të hynin në Kryeministri.

Ndrea Prendi u shpreh se në fillim është qëlluar me fishekë manovër, ndërsa më pas u detyruan të qëllonin me fishekë luftarake, por vetëm në ajër.

“Edhe unë qëllova me fishekë luftarakë në ajër. Ne zbatuam ligjin për funksionimin e Gardës.Kishim informacion se do të sulmohej eskorta e Kryeministrit, Presidentit dhe selia e Kryeministrisë“, tha Prendi.

Sipas tij, informacionet për sulmin ndaj Kryeministrisë nuk erdhën nga SHISH, por nga burime të tjera.

Kjo është dëshmia e parë e Ndrea Prendit që pas vënies nën akuzë për vrasjen e një nga 4 protesuesit e 21 janarit, një deklaratë e cila mund të trondisë procesin dhe të sjellë debate të forta lidhur me atë që opozita e ka konsideruar vrasje të njerëzve të pafajshëm ndërsa maxhoranca grusht shteti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›