Kryebashkiaku dhe ndërkombëtarët
Gjithmonë e jo vetëm sot, ka pasur dhe ka një interes të gjerë në lidhje me suksesorët kryesorë të politikës, qofshin këto ngjarje në vendet e mëdha a të vogla, qofshin në mbretëritë a demokracitë e vjetra të lashtësisë a në republikat e kohëve moderne. Kësisoj, edhe beteja midis z. Basha dhe z. Rama ka gjithashtu një interes të madh kombëtar, si dhe një përkushtim të dukshëm ndërkombëtar, sepse do të tregojë kahun, axhendën dhe erërat që do të fryjnë së shpejti në dy partitë kryesore dhe në gjithë politikën shqiptare. Pas 21 vjetësh duket se dy karrocat blu e rozë që kanë tërhequr osh të gjithë establishmentin shtetëror, institucional, si dhe vetë shoqërinë shqiptare, mund të ndërrojnë dy drejtuesit e tyre. Themi mund, pasi kjo do të ndodhë vetëm nëse fitues do të shpallej z. Basha. Në të kundërt, do të kemi një statuskuo të gjatë, të paktën në drejtim të emrit të karrocës rozë. Pra, e thënë më thjesht, nëse do të shpallej fitues z. Rama, kjo do të thoshte se te PD-ja nuk ka gjasa të ketë një ndërrim të shpejtë fytyre të liderit historik, pasi anëtarët e lidershipit të saj, duke futur në të edhe humbësin hipotetik Basha, do të ishin fytyra të zbehta e pa ndonjë background të spikatur e të besueshëm. Edhe në rast se kjo do të ndodhte, me një lider pa kurorë, PD kishte gjasa të copëtohej e fragmentarizohej në shumë vektorë dhe mund ta shkërmoqte më tepër politikën e diversifikuar të Aleancës Efemere të maxhorancës së sotme. Por, nëse fitues do të shpallej z. Basha, kjo do të shkaktonte një tërmet ndoshta pozitiv në të dy kampet respektive me dy kohë: në fillim do të kishim një tërmet të shpejtë te PS-ja e më pas – ndoshta para zgjedhjeve të përgjithshme – plaku i politikës Berisha, nuk do të kishte shanse të tjera veçse të mendonte për tu tërhequr me nder përballë yllit të ri në shkëlqim, z. Basha, i cili, natyrisht që do të ishte suksesori më i mundshëm i tij në krye të PD-së. Në këtë rast, edhe z. Rama, i përballur me humbjen e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, me një kurorë të vetme krenarie në gjoks (fitoret e shumicës së bashkive të mëdha në Shqipëri) dhe pas një humbjeje të përsëritur nga zgjedhjet e përgjithshme 2009, do ta kishte të vështirë të mbijetonte si lider i partisë rozë. Nukli i kryebashkiakut që mblidhte interesat e shumë mbështetësve të tij arrivistë do të shpërbëhej dhe z. Rama shumë shpejt do të dukej si Aladini i përrallës perse, që i ka konsumuar 3 kërkesat ndaj xhindit të madh e të mirë të fatit të tij me tri postet e veta të larta si ministër Kulture, kryebashkiak dhe kryetar i PS, përgjatë 13 viteve rresht në pushtet. Natyrisht që fitorja e Bashës, sipas kësaj linje gjykimi, mund të shihet si shumë e dobishme për të ardhmen e politikës shqiptare dhe çtensionimin e saj, si dhe për futjen e saj në një hulli më moderne e me kompromise më të gjera në funksion të së ardhmes së gjithë shqiptarëve në rajon. Nuk dua të shpreh këtu mbi aksiomën e dobishmërisë që mund të shihet nga ndërrimi i dy liderëve politikë aktualë, të cilët e kanë mbajtur këto 3 vjet si rrallëherë të tensionuar politikën shqiptare (ndërsa z. Berisha edhe më gjatë kur ishte në opozitë). Por, ndërsa z. Berisha ka provuar rënien nga Olimpi në Hades dhe anasjelltas, z. Rama ka qenë më i përkëdhelur nga fati. Duket se z. Berisha ka ditur të pranojë edhe humbjen për shkak të origjinës së tij dhe një jete të vështirë si gjysmë bohem, shkallët e së cilës i ngjiti me shumë kompromise e sakrifica, si ndonjë personazh balzakian. Ndërsa z. Rama e ka pasur dhe e ka të vështirë, si i përkëdhelur relativisht nga fati i origjinës së tij, që të pajtohet me daljen e vërtetë në opozitë dhe ringritjen nga hiri, po të perifrazonim publicistin P. Zogaj, me ndihmën e mitologjisë dhe Feniksit, Zogut të pamposhtur. I mbrujtur me një psikologji të tillë të të përkëdhelurit të fatit dhe për më tepër i katapultuar çuditshëm pa asnjë rival në krye të një partie që ishte mësuar edhe ajo me të qëndruarit në pushtet për 50 vjet (1945-2005, përjashto vitet 1992-1996), z. Rama nuk do ta kishte të vështirë të fuste te lidershipi aktual rozë frymën e fitores me çdo çmim. Madje, në funksion të kësaj ideje, ai gaboi duke mos mësuar nga politika të ngjashme force që ndoqi z. Berisha në vitet 1997-2002, duke e kthyer kësisoj PS-në si një NASDAP nazist me SS-të e tij kokëqethur të trajnuar për të kërcënuar Forcat e Rendit dhe Sigurisë Kushtetuese. Ai, me sa duket nuk kishte llogaritur dy tregues, të cilët e kishin ndryshuar ambientin arkaik berishian: se Berisha e mori pushtetin kur kreu detanten institucionale me F. Nanon në 2002-shin dhe se sot vendi ka një qasje institucionale në strukturat euroatlantike. Gjithashtu, z. Rama, ndoshta ka gabuar në përzgjedhjen e aleatëve të vet, ndërkombëtarë. Pra, e thënë shkurt, një fitore e z. Basha si kryebashkiak do të përmirësonte bilancin në dy matricat respektive blu e rozë, bilance të cilat nuk kanë kapur optimumet e tyre të pritura nga shqiptarët, duke e mbajtur vendin në një tranzicion të gjatë rraskapitës, tranzicion i cili, për hir të së vërtetës, ka zgjatur edhe për shkaqe objektive dhe rajonale, por edhe për shkak të egërsisë, amatorizmit e diletantizmit jo vetëm të Berishës e Ramës, por edhe të Alisë, Nanos, Majkos, Metës etj. Parulla e vjetër përça e sundo, ka qenë shumë e lehtë për tu adaptuar në terrenin plot humus shqiptar, me rrënjë historike.
Por, si ka qenë interesi i ndërkombëtarëve në drejtim të dy kandidatëve për kryebashkiakë? Natyrisht që me modesti do të jepja mendimin dhe perceptimin tim që nuk është absolut. Po të shohim me kujdes, ka një ngjashmëri në fatin e B. Pacollit dhe z. Rama. I pari u shpall fitimtar në Kosovë si President i saj dhe i dyti thuajse kaloi në delir me 10 votat e tij shpëtimtare. Natyrisht, që z. Pacolli mbahej si mik i lindjes e Rusisë dhe jo i Perëndimit dhe, me shkarkimin e tij institucional nuk ka fituar kush tjetër nga ndërkombëtarët, përveçse Perëndimit. A ka ndonjë lidhje në fatin e tyre komiko-tragjik dhe a mund të ketë ndonjë dorë, përveçse asaj të Zotit, në këtë simetri vrastare ndaj fatit politik të këtyre të dyve? Po ndërkombëtarët e interesuar për fitoren e Ramës a ka mundësi të jenë të njëjtat qendra okulte që kërkonin të kurorëzonin edhe z. Pacolli? Ndonjë naiv mund të mendojë se skema nuk është kaq e ndërlikuar dhe e ngatërruar, por unë nuk do ta pranoja, pasi qendrat okulte do ti realizojnë skemat e tyre me të zgjedhurit e tyre në Tiranë, Maqedoni, Bullgari, Kosovë, Serbi, Greqi etj. Le të ecim në këtë logjikë e të shohim se si mund të jetë puzzle ballkanik dhe ai shqiptar në të, ani pse ministri i Jashtëm maqedonas deklaroi dje se ky pazzel tashmë është përfundimisht i zgjidhur e ska më të papritura. Më 21 janar u duk se në Tiranë kishte të paktën dy palë qendra që kishin qasje të ndryshme ndaj stabilitetit dhe destabilitetit të vendit. Të paktën u duk qartë se z. Arvizu, ambasadori i ri amerikan, diplomati profesionist i Georgetown University (ky universitet harton politikat e jashtme afatgjata të SHBA dhe të diplomuarit e saj janë nga më profesionistët në SHBA) kërkonte stabilitet dhe nuk i mbështeste veprimet e dhunshme dhe prishjen e rendit e të shtetit, qoftë edhe me çmimin e jetëve njerëzore. Edhe gjatë fushatës së fundit, në daljet e ndryshme ai gati-gati sa nuk bëri thirrje hapur që të votohej kundër z. Edi Rama dhe shtypi pranë PS-së do e kryqëzonte vazhdimisht atë. Në këtë kuptim, z. Arvizu me qëndrimin e tij si ambasador duket se ka venë një bast institucional për këtë çështje dhe një fitore e z. Rama do të thoshte që autoriteti i SHBA të binte shumë në Shqipëri, dhe personalisht z. Arvizu do ta kishte të pamundur të jepte nga sot e tutje mesazhe besimi te shqiptarët ose e thënë ndryshe, në Shqipëri kanë fituar qendrat Lindore okulte, të cilat mëtuan të ngrinin edhe Pacollin në Prishtinë. Këto qendra kulte
