Reflektimet e një eksperti lidhur me marrëdhëniet e Vatikanit me Kinën
Në ditën kur liturgjia kujton Zojën Ndihmë e të Krishterëve, apo Zojën Ndihmëtare, siç njihet ndër shqiptarë, Kisha universale, me ftesën e Papës Benedikti XVI, lutet për katolikët në Kinë. Edhe ata e nderojnë veçanërisht Zojën Ndihmëtare, së cilës i është kushtuar një shenjtërore në Sheshan të Shangait, ndërtesa më e madhe katolike në Azinë Lindore. Dita e sotme botërore për lutjen në favor të Kishës në Kinë është caktuar nga Ati i Shenjtë që në vitin 2007. Një vit më vonë Benedikti XVI shkroi një lutje për Zojën e Sheshanit, pikërisht në këtë ditë. Edhe të mërkurën e kaluar, gjatë audiencës së përgjithshme në Vatikan, Papa theksoi rëndësinë e kësaj nisme: “Kisha në Kinë, sidomos në këtë çast, ka nevojë për lutjen e Kishës universale. Së pari, ftoj të gjithë katolikët kinezë ta vazhdojnë e ta shtojnë lutjen, drejtuar sidomos Shën Marisë, Virgjërës së fortë. Por edhe për të gjithë katolikët e botës, lutja për Kishën që është në Kinë duhet të jetë impenjim i veçantë: ata besimtarë kanë të drejtë për lutjen tonë, kanë nevojë për lutjen tonë”.
Nga Veprat e Apostujve, shpjegoi Ati i Shenjtë, dimë se kur shën Pjetri ishte në burg, të gjithë u lutën me shpirt për të. Zoti i dëgjoi lutjet e dërgoi engjëllin e vet për ta liruar. Prandaj, shtoi Papa, të lutemi për katolikët kinezë, duke qenë të sigurtë se lutja jonë do të shkojë në vesh të Perëndisë: “Katolikët kinezë, siç kanë thënë shpesh, duan bashkimin me Kishën universale, me Bariun më të lartë të saj, me Pasardhësin e Shën Pjetrit. Me lutjen tonë mund të arrijmë që Zoti ta mbajë Kishën në Kinë një të vetme, shenjte e katolike, besnike dhe të qëndrueshme në doktrinë e në disiplinën kishtare. Ajo e meriton gjithë dashurinë tonë”.
Papa nuk mungoi të kujtonte se në Kinë ka ipeshkvij që vuajnë, nën presionet e regjimit komunist, i cili përpiqet të pengojë ushtrimin e misionit të tyre. Ftesa e Benediktit XVI u pranua me dëshirë nga të gjithë katolikët e botës, të cilët sot janë mbledhur në lutje, në kuadrin e iniciativave të ndryshme për katolikët kinezë. U lutën sidomos të krishterët e Tokës Shenjte dhe ata të Tajvanit. Cili është kuptimi i kësaj lutjeje korale të krejt Kishës? Sinologu (studiues i qytetërimit të Kinës) atë Anxhelo Laxaroto i Institutit Papnor të Misioneve të Jashtme (PIME), thotë për Radio Vatikanin: “Është një kërkesë që Ati i Shenjtë e ka bërë që vite më parë, prandaj, nuk i referohet dhe aq çastit, por ka vlerë më të gjerë. Gjithsesi, është veçanërisht e rëndësishme sot, pas krizës së marrëdhënieve të Kishës në Kinë me Kishën universale, në fund të vitit të kaluar. Akoma nuk është sqaruar qëndrimi i autoriteteve, prandaj është një çast delikat ankthi për shumë katolikë. Në lutjen e Papës për Virgjërën e Sheshanit u kërkohet katolikëve kinezë të mbahen fort pas “shkëmbit të shën Pjetrit”. Është lutje për bashkim. Natyrisht, vetë Benedikti XVI, me rastin e kësaj dite maji, shkroi lutjen për Zojën e Sheshanit. Papa shqetësohet që katolikët të mos jenë shkak ndarjeje, por të ndihmojnë bashkëjetesën në harmoni. Në lutje kërkonte: “Jepu bijve të tu aftësinë për të kuptuar, në çdo situatë, edhe në atë më të errtën, shenjat e pranisë plot dashuri të Zotit”, pra një çast besimi”. Lidhur me Sheshanin, si një vend tepër i rëndësishëm për Kishën në Kinë, Atë Laxaroto thotë: “Sheshani është një kodër e vogël, jo më shumë se 100 metra mbi nivelin e detit. Gjendet rreth 40 km në jugperëndim të Shangait. Që prej 150 vjetësh është vend shtegtimi e për të mbërritur aty i duhet ngjitur kondrës përpjetë, duke kaluar nëpër Udhën e Kryqit. Shenjtërorja, kushtuar Zojës Ndihmëtare, është ndërtuar në vitin 1871, ndërsa Bazilika aktuale ka përfunduar shekullin e kaluar, në vitin 1935. Në epokën e Mao Ce Dunit, sidomos gjatë Revolucionit Kulturor, u shkatërrua, si shumë kisha të tjera e, u hap sërish vetëm në vitin 1981, duke u bërë shpejt vend shtegtimi edhe nga anë të tjera të Kinës. Kohët e fundit, qeveria ka investuar për ta zhvilluar Sheshanin, si vend turistik, duke penguar e madje duke ndaluar shtegtimet fetare. Edhe këtë vit, shtegtimet janë të kufizuara, vetëm për dioqezën e Shangait, prandaj ka pasur vështirësi për besimtarët e shumtë, që donin të shkonin në Sheshan”.
Marrë nga Radio Vatikani