Përsëri luftë e ftohtë Paris-Uashington
“Ils sont fous ces Américains” - janë të çmendur këta amerikanët. Është titulli i njërit prej librave të fundit të botuar në Francë në lidhje me raportet që francezët kanë me ortakun e tyre të sikletshëm të përtej-Atlantikut. Pak muaj më parë doli në treg libri “Armiku amerikan” i autorit Philippe Roger; përpara Luftës së Dytë Botërore, intelektualëve francezë u përkasin edhe pamflete të tilla si “Mëria ndaj amerikanëve” apo “Kanceri amerikan”. Të hedhësh vickla ndaj kaubojsave është një lloj letërsie që në Paris i përket një tradite të hershme. Për Jean François Revel, historian dhe akademik francez, është edhe “Makthi antiamerikan” (titulli i një libri tjetër të suksesshëm).
Krahasuar me vendet e tjera antiamerikanizmi i tringjyrëshave ka gjithsesi një karakteristikë të veçantë: ai është krejtësisht dykrahësh. Në Itali apo në Gjermani, zakonisht është e majta që e urren imperializmin janki. Në Francë, e djathta dhe e majta flasin me të njëjtin zë. Kështu, të skandalizuarit e pamjeve të DSK-së në pranga dhe
me mjekër të parruar, të tërhequr osh-osh në sallat e gjykatave si një keqbërës i rëndomtë, kanë qenë si nga radhët e radikalëve shik të “Le Monde”, si nga e përditshmja rajonale “Le Républicain lorrain”, por edhe nga filozofi i së majtës Bernard-Henry Lévi dhe nga “dishepulli” i së djathtës Alain Finkielkraut.
Tek të gjithë ka ndikuar deri në alergji mënyra sesi ngjarja ka marrë karakter spektakolar, e cila ngërthehet bukurisht në këto rreshta të “Le Monde”: “A ishte më të vërtetë e nevojshme që fama e një individi të të pamundësojë prezumimin e pafajësisë mediatike? Përse vallë, kur të gjithë jemi të barabartë para drejtësisë, jo të gjithë janë të barabartë
përpara shtypit?”
Por, ka qenë një detaj tjetër që ka rënduar situatën, të cilin jo gjithkush e ka rrëfyer: “Goditja që është dhënë në imazh, ka qenë rasti kur kemi parë një individ me ofiq thuajse të njëjtë me atë të kreut të një shteti, si të ishte një kriminel apo keqbërës i rëndomtë. Pikërisht kjo situatë ka qenë mjaft e ngarkuar emocionalisht”, shkruante një komentator francez. Ky lloj reagimi i francezëve - bartës të botëkuptimit monarkik, madje thuajse perandorak të pushtetit të tyre - nuk mund të përtypet aq lehtë nga amerikanët. Kryetari i bashkisë së Nju-Jorkut, Michael Bloomberg, shprehu habi e mosbesim ndaj kritikave frontale të francezëve që u botuan në “New York Post”: “Natyrisht që jam i mendimit se janë pamje poshtëruese, por, nëse nuk dëshiron të të vënë prangat, mos e shkel ligjin”.
I njëjti tabloid njujorkez është dëshmia më e qartë se këto dy vende vuajnë moskuptimin e njëri-tjetrit. Në kohën e luftës në Irak, e dëshiruar nga Bushi dhe e kundërshtuar nga Parisi, “New York Post” dilte në faqe të parë me një histori të bujshme. Ndërkohë që gjithë Amerika bënte fjalë për “Axis of Evil”, boshtin e së keqes së udhëhequr nga
Sadami, titulli i faqes së parë të saj, të ilustruar me një foto të presidentit Shirak duke u përqafuar me kancelarin gjerman Gerhard Schroeder, shquante një akt pabesie nga “The Axis of Weasel”, boshti i nuselalëve.
Ishte koha kur në Uashington dy deputetë amerikanë bënë të kalojë një mocion në bazë të të cilit në të gjitha menutë e kongresit amerikan, “french aries” - patatina të skuqura, të zëvendësohej me shprehjen “freedom aries” - patatinat e lirisë.
Duke iu kthyer së tashmes, për të bërë me dije ndryshimet e mënyrës së sjelljes mes “Kontinentit të Vjetër” dhe “Tokës së Lirisë” me yje e shirita, na vjen në ndihmë një shprehje mjaft e përdorur: “amerikanët vijnë nga Marsi, evropianët nga Afërdita. Të parët janë të gatshëm të mbrojnë parimet me armë në dorë, të dytët janë të prirur ndaj bisedimeve e ujdive. Mjafton t’u zëvendësosh francezët evropianëve, e kështu mbyllet hesapi (aq më tepër kur për francezët Evropa nuk është veç një shtojcë e Ekzagonit).
Raportet dashuri-urrejtje bëhen edhe më të koklavitura mes Parisit dhe Uashingtonit, ngaqë klasat drejtuese respektive nuk ndan të njëjtin mendim me qytetarët e tyre të zakonshëm. Për udhëheqësinë francezë është e huaj mënyra e sertë e amerikanëve, ndërkohë që popullata e thjeshtë nuk e koncepton edhe aq në këtë mënyrë. Firma McDonald’s (Made in Usa), gëzon një respekt të padiskutueshëm në radhët e francezëve, shumë më tepër sesa në vendet e tjera evropiane. Në të njëjtën kohë, bojkotimi i
prodhimeve franceze në periudhën e luftës në Irak, gjeti terren pjellor në radhët e shtresave të gjëra të amerikanëve, por skandalizoi një pjesë të intelektualëve dhe “establishment”-it amerikan. Së fundmi, çështja “DSK” nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të dëshmojë stereotipin dhe paragjykimin e amerikanëve ndaj mënyrës së shthurur të
jetës së francezëve. Ndoshta do të kthehet në përdorim edhe ajo batuta e vjetër e Conan O’Brien-it, protagonistit të një “Talk show” mjaft të ndjekur dhe që transmetohet në mbrëmje: “E dini pse francezët kundërshtuan të bombardonin Sadam Hyseinin? A e dini përse urrejtja ndaj Amerikës gjen shumë ithtarë, por që kanë të njëjtën feste? Mbani vesh, o njerëz: “Sadami është francez”.