E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanibalizëm opozitar mbi vullnetin qytetar

25-05-2011 / Redaksionale

Një gjuajtje në tabelë. Pikë për Shqipërinë. Sepse këto zgjedhje ishin leksioni më i mirë mbi demokracinë, shtetin ligjor dhe votën e lirë në këto 20 vjet pluralizëm. Sidozot në këtë betejë elektorale së pari u pa ballafaqimin i një kandidati që fitoi mbështetje të paparë, sepse me ide e qytetari, modesti dhe dëgjueshmëri ndaj qytetarit, i cili e votë-besoi me bindje; dhe së dyti përballë ishte një Edi Rama që shpalosi sërish një retorikë populiste, pa finesë dhe  krejtësisht alarmante. Kësisoj hipnotizimi i qytetarëve me slogane, me premtime dhe me justifikime të çuditshme mori përgjigjen e duhur: shpërfillëse.
Për Lulzim Bashën kryetarë të Bashkisë Tiranë vendosën jo pak, por plot 124 786 qytetarë të kryeqytetit, të cilët me 8 maj nënshkruan kontratën e re me Partinë Demokratike duke votuar kështu ndryshimin, e për rrjedhojë i dhanë dorën një kupole oligarkike, që sundonte Tiranën prej disa vitesh. Është me të vërtetë një fitore që jep shumë shprese, një fitore që do të mbahet mend për ndryshimin që erdhi si pasojë e investimit të besimit.
Kësisoj nuk është e nevojshme të themi se protestat e Partisë Socialiste përballë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë sot më të pakuptueshme se kurrë më parë, dhe aq pa vend në gjithë Shqipërinë, saqë për të bërë “revolta popullore” në kryeqytet importohen protestues nga administrata e Bashkisë Elbasan Fier dhe Vlorë. Këta njerëz janë protestues profesionistë sepse bërtasin me telekomandë, edhe pse kur bie pak shi fiken si kandili në erë. Sigurisht e kam të vështirë të besoj se këto militantë socialistë që japin shfaqje në kryeqytet kishin shpresë se Edi Rama do të ndryshojë, ta paktën duke pezulluar të gjitha lejet e ndërtimit të dhëna deri më tani, apo duke shembur ndonjë pallat që ka zënë trotuaret në qendër, si dhe duke zgjedhur rrugë, për të ndërtuar rrugë për biçikleta, për të ndërtuar një park të ri, sikurse linjat e “TramTirana”, etj. Jo, aspak. Këto revolta dhe braktisje të Parlamentit atij i duhen vetëm për destabilizuar situatën dhe mandej gjithë vendin deri në atë pikë, saqë ai të shpallet Zgjidhësi i Lëmshit dhe i Ngërçit.
Sakaq të gjithë kemi kuptuar që Edi Rama s’do ta pranojë kurrë humbjen, edhe pse ajo është ashiqare. Është e vërteta që mbath këpucët, ndërsa gënjeshtra e tij ka bërë shumë rrugë nëpërmjet mediave që e shpallin fitues, pa mbaruar i gjithë procesi i numërimit dhe miratimi i 11 tabelave nëpërmjet shumatores së përgjithshme.
Në fakt kreu i PS-së na ka mësuar me mosnjohje. Ka një sërë arritjesh të administratës shqiptare që jo vetëm nuk janë vlerësuar, por ka pasur tendenca të qarta për t’’i bllokuar, që fillon me kartat e identitetit, me pasaportat biometrike, me hyrjen në NATO, me ndërtimin e rrugës së kombit, me heqjen e vizave, dhe lëvizjen e lirë. Janë shumë akte madhore që qeveria Berisha, për meritë edhe të aftësive të Lulzim Bashës, ka arritur të shënojë në historikun e punëve. Përkundër këtyre arritjeve, Edi Rama është shprehur me fjalët: “beteja”, “lufta jone”, “të papërkulur”, “kundër atyre”, “kundër atyre të Saliut”, “nuk tërhiqemi”, “është e kotë nuk trembemi”, “revolta”, “do jemi gjithmonë në revoltë”, “do revoltojmë”, “ju bëj thirrje për revoltë”, “dilni në rrugë”, “ta heqim qafe”, “Shqipëria është e jona”. Është fjalori i gueriljes urbane që frymëzon sjelljen politike të një opozite të kthyer në Parti Ekstra-parlamentare. Padyshim një gjë e tillë është e mundur përderisa brenda saj është dingas me multi-milionerë që kalërojnë frikën për të ardhmen. Mirëpo vetëm fëmijët tremben nga shkreptimat  e reve të zeza. Cilido që ka brenda guximin qytetar është pjesëtar i vendimmarrjes së përbashkët për të ndrequr sahatin e ngelur vendnumëro prej shuam vitesh. Kryebashkiaku i ri, Lulzim Basha duhet të përveshë mëngët dhe të punojë fort për rehabilitimin dhe rikualifikimin e një qyteti të sakatuar shkencërisht. Sapo të mbarojë edhe legalizimi fundor i Kolegjit Zgjedhor, ai së paku duhet të nisë punën për ato tre akte të rëndësishme të paralajmëruara përgjatë fushatës elektorale.
Së pari: krijimin Agjencisë së Konsumatorëve të bashkisë që të shqyrtojë nga problemet me CEZ, tek ujësjellësi, pra, njësitë publike në kuadër të shërbimit, duke vazhduar deri tek njësitë tregtare, ku duhen bashkërenduar veprimet për të ndalur spekulimet në treg që deformojnë konkurrencën. Së dyti: krijimi i Agjencisë së Punësimit, me hapjen e të paktën e 30 mijë vendeve të punës. Dhe së treti: miratimi i planit Urbanistik, si pjesë e domosdoshme e realizimit edhe të agjendës së punësimit dhe agjendës së krijimit të një Tirane Europiane që shtrihet në hapësirat territoriale që gëzon pa komplekse, por në respekt të plotë të ligjit dhe të parimeve themelore të tij, respektin për pronën private dhe rifitimit të hapësirës publike në favor të të gjithë qytetarëve. Në frymën e dashurisë, konsensusit qytetar dhe bashkëjetesës qytetare, që janë tre tiparet pa të cilat nuk mund të ketë qytet.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›