E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku i ri i Tiranës garanton vlerësim të pronës dhe pajisjen me hipoteka

04-05-2011 / Gazeta 55

Banorët e Tiranës i ankohen Lulzim Bashës për ndërtimet pa plan e kriter. “Dikush bën pallat, të tjerëve u shembet shtëpia”

Banorët e njësisë bashkiake numër 8 në Tiranë kanë denoncuar dje abuzimin me pronat dhe moslejimin e zhvillimit te saj, gjatë bashkëbisedimit që patën me kandidatin për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha. Sipas tyre, bashkia dikujt i ka dhënë leje për të ndërtuar pallate shumëkatëshe, e të tjerëve as për të riparuar shtëpitë e tyre që janë në prag shembjeje. Banorët kanë shprehur shqetësimin edhe për infrastrukturën rrugore, punësimin, etj. Lulzim Basha ka garantuar se projekti i tij për zhvillimin e Tiranës nis pikërisht nga lagjet dhe se do të respektohet dhe vlerësohet drejt prona e gjithsecilit. “Për shtëpi kemi hall ne të keqen nëna”, i tha Bashës një e moshuar. “Po kërkojmë kaq ne  si lagje, që të jetojmë si njerëzit”, u shpreh një banor. “Ajo që ka bërë atë shtesën është punonjëse e Bashkisë. Gjithë ujin e thith toka dhe lagështira këtu tek muret. Shihni si ka humb oborri nga pesha e pallatit”, u ankua një pronare e një shtëpie private.
Kandidati për kryebashkiak u shpreh se Bashkia e tij do të reagojë ndaj kësaj situate. “Të jeni të sigurt që do bëj gjithçka për të kthyer jetën dinjitoze për secilin prej jush dhe vlerën e pronës së gjithsekujt këtu. Në planin e ri urbanistik, do merret e gjithë njolla e zonës dhe çdo pronari, çdo centimetër katrorë do ti vlerësohet dhe shumëfishohet vlera në mënyrë proporcionale. Jo një pronari ti bi pallati, dhe një tjetër të jetojë në lagështirë. Zhvillimi i Tiranës do të nisë nga lagjet e Tiranës”, u shpreh Basha.
Në njësinë bashkiake numër 2, Basha është njohur me zhvillimin pa plan të kësaj zone. Pallate të ndërtuara aq pranë njëri-tjetrit sa është e pamundur të hyjë zjarrfikësja apo ambulanca. Gjithashtu, banorët i kanë bërë me dije Bashës se në këtë lagje mungojnë trotuaret, hapësirat e gjelbra, pastrimi, edhe pse bashkia mbledh çdo taksë. “Kjo rruga jonë këtu nuk ka as trotuare asgjë. Banorët dalin nga shkalla direkt në rrugë, nuk futet dot as zjarrfikësja asnjë gjo. Nuk ka kaluar njeri sot në rrugicë shih si është errësirë, thyen turinjtë natën”, tha një banore.
“Lagja jonë është e mbushur me lloj-lloj gjërash vetëm fëmijë nuk ka” , u shpreh një banore gjatë takimit me Bashës.
“Më morën 52 mijë lek për taksat se ndryshe nuk më jepnin certifikate, për ti bërë çunit pasaportën. Kur i thash unë për çfarë i paguajmë këto taksa për gjelbërimin ore zotëri, tek shtëpia ime është balta deri në gju. Çfarë gjelbërimesh më thua ti”, proteston një banor. “Duke filluar nga data 9 Maj do të kthejmë normalitetin siç e dimë ne. More taksën jep shërbimin, përndryshe mos paguaj takes”, u shpreh Lulzim Basha.
Edhe në këtë zone, si kudo në Tiranë, sistemi i ujësjellës-kanalizimeve, përben një shqetësim të madh. Shpërthimi i ujërave te zeza, rrezikon shembjen e pallateve, përveç se janë vatra infeksioni. “Është turp, këtu nuk jetohet. Ne kemi merak dëmtimin e themeleve sepse ky ujë ka aciditet” tha një banore. “Do të nisim me përparësi projektin e kanalizimit të ujërave të zeza  të Tiranës. Do ta marrë Bashkia përgjegjësinë, ju siguroj që do ta nisim me lagje si këto”, u përgjigj Basha.
Edhe pse kanë pasur fatin që në pronat e tyre të ndërtohen pallate, banorët kane shprehur shqetësimin e mungesës së hipotekave. Basha i ka garantuar banoret e kësaj njësie, dhe të gjithë Tiranës se brenda 6 muajsh, deri me 15 nëntor të këtij viti, ky problem do të marre zgjidhje.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›