E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeinspektori: Shtesa 12-katëshe, pa leje

Shtesa 12-katëshe në qendër të Tiranës konsiderohet nga strukturat e shtetit e jashtëligjshme, për rrjedhojë është marrë vendimi për ta prishur atë. Sipas urdhrit të lëshuar nga kreu i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Hekuran Hoxhalli, nga inspektimet e kryera në terren, është verifikuar se shtesa, pronë e subjektit "Alba-Lam" është ngritur mbi një truall publik të një rëndësie kombëtare dhe pa leje ndërtimi. Vendimi për prishjen e shtesës që ndodhet pas hotel "Tirana" (15-katëshi) është marrë dje, datë 7 dhjetor 2009, referuar ligjit "Për urbanistikën" dhe akteve të tjera ligjore.
"Në bazë të procesverbalit numër 1, datë 07.12.09 të mbajtur nga inspektorët Artan Cenaj dhe ing. Saim Keta në subjektin "Alba-Lam", ka rezultuar se është kryer kundërvajtja "objekt 12-katësh pa leje ndërtimi në fazën përfundimtare të rifiniturës", ndërtuar mbi pronë publike, në zonë me rëndësi kombëtare parashikuar në ligjin 8405, i vitit 1998 ‘Për urbanistikën‘", thuhet në vendimin e Inspektoratit. Për këto arsye, sipas Hoxhallit, referuar edhe ligjit "Për inspektimin e ndërtimit", u vendos "dënimi me prishje të objektit 12-katësh". Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim i drejtpërdrejtë në gjykatë, brenda dhjetë ditëve duke filluar nga data e njoftimit të vendimit. Por, procedura sqaron se, ankimi gjyqësor kundër këtij vendimi nuk e pezullon ekzekutimin e tij.
Sqarim ka dhënë edhe Hipoteka, ndikuar nga deklaratat e deputetit të Partisë Socialiste dhe ish-nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Eduard Shalsi. Sipas kreut të Hipotekave, Arben Qirjako, "shtesa pa leje, ndërtuar nga "Alba-Lam", pronë e Ilir Matës ka qenë e regjistruar në vitin 2005, por në 2007-ën, pas verifikimeve në terren, doli se objekti është ndërtuar mbi një truall publik, e për pasojë i është fshirë regjistrimi". Gjithnjë sipas Qirjakos, dosja ka shkuar për hetim në prokurori që prej vitit 2007. Në këtë mënyrë, Hipotekat kanë rrëzuar pretendimin e Shalsit se objekti ka qenë i regjistruar. Nga informacionet shtesë mësohet se prishja e objektit do të vijojë gjatë sot, deri në përfundimin total të procesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›