E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit: Nuk kemi lidhje me mafien

Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë protestoi dje ndaj asaj që e quajti "keqpërdorim politik të punës dhe biznesit të anëtarëve të vet", si dhe kërkoi që qeveritë (qendrore dhe vendore) t‘i trajtojnë seriozisht problemet ekonomike të vendit.
"Shoqata e Ndërtuesve shprehet e shqetësuar për përkeqësimin e klimës së biznesit, lidhur me deklaratat e vazhdueshme të dy javëve të fundit, lidhur me ekzistencën e ‘mafies‘ në ndërtim", tha dje Luigj Aleksi, kryetar i bordit të shoqatës që përfaqëson kompani me xhiro të përgjithshme vjetore prej qindra milionë eurosh. Sipas Aleksit, shoqata nuk ka asnjë lidhje me mafien në ndërtim dhe është pro luftës pa kompromis ndaj mafies, korrupsionit dhe çdo veprimi tjetër të paligjshëm.
"Pozicionohemi në mbrojtje të lejeve të ndërtimit, si i vetmi dokument i patjetërsueshëm që duhet të ketë ndërtuesi për të legjitimuar ndërtimin e tij. Ne jemi të bindur se institucionet e drejtësisë së këtij vendi janë në gjendje të penalizojnë çdo veprim të paligjshëm", tha ai. Deklarata e ndërtuesve erdhi pasi Kryeministri Berisha denoncoi një numër biznesmenësh si "mafia e ndërtimit" dhe deklaroi se zotëron dokumente për ta vërtetuar këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›