E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryekomunari i PS-së vlerëson investimet e qeverisë “Berisha”



Shushicë, Kryeministri përgëzohet nga vendorët socialistë

Berisha premton investime pa dallime partiake

Pavarësisht se është përfaqësues i PS-së, kryetari i komunës së Shushicës, Lutfi Lala, është i ndërgjegjshëm se qeveria “Berisha” ka përmirësuar cilësinë e jetës në Elbasan. Madje këtë z. Lala ia vuri dje në dukje vet Kryeministrit Sali Berisha gjatë vizitës që zhvilloi dje në këtë zonë ku përuroi fillimin e punimeve për projektin e kanalizimeve, në fshatin Hajdaraj të komunës Shushicë. Ky investim i Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit arrin vlerën 240 milionë lekë. Pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha në emër të banorëve të komunës Hajdaraj për investimet e bëra, z. Lala u shpreh se “pavarësisht se i përkas Partisë Socialiste, jam i sigurt dhe i ndërgjegjshëm se në plan të parë qeveria ka përmirësimin e jetës së komunitetit”. Duke folur për disa projekte konkrete për këtë zonë, Kryeministri u shpreh se “do të nisë së shpejti rruga e Gjinarit, një rrugë shumë e rëndësishme për Shushicën dhe Elbasanin”. Kryeministri Berisha siguroi kryetarin e komunës se për çdo projekt që ai do të paraqesë, për ndërtimin e rrugës së Bishekut dhe për ndërtimin e rrugëve apo shkollave të tjera, qeveria do t’i financojë ato. Ndërkohë që kryesocialisti Edi Rama po bën tur nëpër fshatra duke akuzuar qeverinë se ka sjellë varfëri dhe nuk po mendon për këtë kategori, një e vërtetë tjetër na paraqitet pikërisht nga të zgjedhurit vendorë të kësaj partie.

Berisha: Do investoj pa dallime partiake

Ndërkohë, Kryeministri Sali Berisha shpreh sigurinë e plotë se qeveria e tij do të investojë në çdo vend të Shqipërisë pa dallime partiake. Kjo, me qëllim ndryshimin e Shqipërisë anembanë saj. Për këtë Berisha garantoi "partneritetin e plotë dhe luajal të qeverisë qendrore ndaj të zgjedhurve vendorë". Kreu i qeverisë pohoi dje para banorëve në fshatin Hajdaraj të komunës Shushicë se "do të investohet kudo, në mënyrë që çdo komunë të ketë rrugët, shkollat dhe infrastrukturën e duhur në ujësjellës dhe kanalizime". Në këtë drejtim, ai vlerësoi si shumë të rëndësishëm "bashkëpunimin ndërmjet drejtuesve të qeverive vendore me pushtetin qendror", të cilin e konsideroi si "dëshminë e një vullneti të përbashkët për të ndryshuar jetën e banorëve". "Ju garantoj se kjo do të shkojë drejt një konsolidimi të mëtejshëm. Ne duhet t’i ndajmë paratë me ju dhe me mbarë shqiptarët. Ne nuk mund t’i përqendrojmë fondet vetëm në disa qendra të caktuara. Është një arritje e madhe për vendin që qeveritë vendore të bëjnë dhe të depozitojnë projekte, pasi kjo përbën dëshmi të një përkushtimi të madh për të zhvilluar zonat ku ata qeverisin", - u shpreh Kryeministri Sali Berisha. Ai mori pjesë dje në ceremoninë e përurimit të përfundimit të punimeve të argjinaturës së lumit Shkumbin, në komunën Labinot-Fushë, investim me vlerë 30 milionë lekë. Kryeministri shoqërohej nga ministri i Arsimit z. Fatos Beja, ministri i Jashtëm z. Lulzim Basha, deputeti i zonës z. Aurel Bylykbashi, përfaqësues të pushtetit vendor etj.

Qeveria, rritje fondi për arsimin

Kryeministri Sali Berisha premton rritje fondi për arsimin në Shqipëri. Gjatë vizitës së djeshme në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, preu dhe shiritin e përurimit të godinës së rektoratit, e ndërtuar me një fond prej 60 milionë lekësh të dhëna nga qeveria. Ai vuri në dukje se “arsimi universitar përbën linjën e parë të frontit të dijes, zhvillimit dhe progresit" dhe se qeveria i kushton dhe do t'i kushtojë këtij arsimi një rëndësi shumë të madhe. Sipas tij, “këtë vit ka një ndryshim cilësor, pasi ne japim grantin në përputhje me ligjin. Dhe do të jeni ju me bordin tuaj që do të përcaktoni destinacionin e tij, por do të ishte fatkeqësi e madhe në qoftë se për mungesë kapacitetesh, kjo nuk do të shkonte për zgjerimin e hapësirave për modernizimin e mjediseve dhe për hapjen e degëve të reja pra, për destinacionet më të rëndësishme. Ndaj mendoj që Ministria e Arsimit së bashku me Konferencën e Rektorëve duhet të hapë një dialog, me seriozitetin më të madh", - tha Berisha në Universitetin e Elbasanit, duke premtuar rritjen e fondeve për arsimin edhe në vitet që vijnë. "Një nga vendimet më të rëndësishme në historinë e arsimit shqiptar, ka qenë liberalizimi i universiteteve", - theksoi ai, duke shtuar se kjo politikë ka bërë që në një kohë të shkurtër trevjeçare të rritet më se dyfish numri i studentëve në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›