E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e PD-së shpërndahet në bazë



Pollo, sot fushatë për PD-në në Berat

Basha e Shamata, në Elbasan si anëtar të qeverisë

Fundjava i ka gjetur dje anëtarët e kryesisë së PD-së të shpërndarë në bazë sipas grupeve të punës të përcaktuara në mbledhjen e fundit të kryesisë. Në këtë mënyrë ata kanë nisur zyrtarisht procesin e zgjedhjeve të reja brenda PD-së. Secili nga anëtarët e 12 grupeve të punës ka nisur kontaktet me anëtarësinë e PD-së në zonat respektive për të dhënë porositë e para të ecurisë së procesit të zgjedhjeve, duke iu referuar gjithnjë udhëzuesit për procedurat që do ndiqen për zgjedhjet e reja në parti. Sot, i sapokthyeri në PD, z. Genc Pollo, do të nisë mbledhjen e parë me anëtarësinë e partisë së Beratit, ndërkohë që Majlinda Bregu, për shkak të një vizite të shpejtë në Francë, nuk do të jetë e pranishme në këtë takim. Bashkë me z. Pollo, znj. Bregu është caktuar që të ndjekë ecurinë e zgjedhjeve në egon e PD-së së Beratit. Anëtarit tjetër të kryesisë, z. Genc Ruli, dje i është dashur të zbresë në Gjirokastër për të nisur takimet e para me strukturat e partisë atje bashkë me Ilir Rusmalin. Dy anëtarë të tjerë të kryesisë, Lulzim Basha dhe Halit Shamata, të cilët duhet të ndjekin nga afër zgjedhjet në Elbasan, dje në këtë qytet ishin dhe si përfaqësues të qeverisë së bashku me Kryeministrin Berisha për përurimin e një sërë veprash publike në këtë zonë. Drejt Durrësit është nisur Gazmend Oketa, i cili bashkë me liderin Berisha, janë caktuar nga kryesia për të vëzhguar zgjedhjet në këtë zonë. Jemin Gjana është ngjitur në Kukës, ndërkohë që në Lezhë ka mundur të shkojë vetëm Edi Paloka për shkak se Fatos Beja ndodhej në Elbasan si ministër i Arsimit bashkë me Kryeministrin Berisha gjatë vizitës në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Enkelejd Alibeaj, që mbikëqyr zgjedhjet në Fier së bashku me Sokol Olldashin, kreun e grupit, dje i është dashur të mbajë kontakte me median në Tiranë për shkak të akuzave të opozitës për e-mail-et e çështjes “Gërdeci”. Astrit Bushati është gjendur në Shkodër, ndërkohë që kryetarja e grupit të kësaj zone, Jozefina Topalli, zhvilloi një takim me sportistët e “Vllaznisë”. Ilir Bano dhe Njazi Kosovrasti kanë takuar bazën e Dibrës ndërkohë që të njëjtën gjë kanë bërë në Korçë dhe Ridvan Bode dhe Edmond Spaho. Në Vlorë gjenden Astrit Patozi dhe Leonard Demi.

Grupet e punës mësohet të kenë zhvilluar mbledhje për të përcaktuar grafikun e zhvillimit të analizave dhe zgjedhjeve në zonat përkatëse, po ashtu dhe krijimin e grupeve të punës për çdo grup-seksion në të cilët do të angazhohen edhe këshilltarë lokalë, zyrtarë e drejtues të institucioneve si dhe anëtarë të PD-së. Zgjedhjet e reja në PD janë parashikuar që të mbyllen në muajin mars të vitit që vjen, pak kohë para startimit të zgjedhjeve parlamentare të qershorit të 2009-ës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›