Berisha: Rama, në vend të shkollave, jep leje ndërtimi
Akuza, kryebashkiaku po shpërdoron fondet publike
Sipas tij, Rama mezi mori një diplomë me shkarravina
Kryeministri Sali Berisha akuzon kryebashkiakun Edi Rama për shpërdorim të fondeve publike, duke dhënë leje ndërtimi për klientelën e tij, në vend të ndërtimit të shkollave. Berisha e kritikon kreun e PS-së edhe për mënyrën se si po u kundërvihet politikave arsimore të qeverisë, duke mashtruar me mosnjohjen e diplomave. Madje Berisha dje ironizoi duke thënë se më këtë qëndrim, Rama zgjodhi Haxhi Qamilin, kurse qeveria, Kristoforidhin. Berisha shprehu shqetësimin se Rama me praktikat e tij abuzive në kurriz të fëmijëve kryeqytetas, ka dhënë leje ndërtimi për ata që paguajnë 15-përqindëshin duke favorizuar klientelën e tij. Gjatë vizitës së djeshme në zonën e Elbasanit, në vijimësi të turit “Shqipëria po ndryshon”, Berisha argumentoi se fakti që Rama kërcënon me mosnjohjen e diplomave vjen se mezi ka marrë një diplomë dhe atë me shkarravina. Berisha mori pjesë në ceremoninë e përurimit të rindërtimit të plotë të shkollës 9-vjeçare “Evropa” në Bradashesh, investim me vlerë 50 milionë lekë. Berisha vuri në dukje se qeveria ka akorduar 2.2 miliardë lekë për 12 shkolla të reja në Tiranë dhe janë ndërtuar vetëm dy shkolla në periferi të saj, në një territor që nuk i përket Bashkisë së Tiranës. Kjo, sipas tij, ndodh sepse ai mblidhte 15-përqindëshin për lejet e ndërtimit, por për shkollat nuk ka 15-përqindësh dhe prandaj ai nuk mund t’i ndërtojë. “Qeveria nuk mund të paguajë gjë, ndaj zotëria i lë nga 40 nxënës në një klasë dhe jep troje për ata që paguajnë 15-përqindëshin. Pra, ekzistojnë dy praktika”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri siguroi se qeveria e tij është e vendosur të investojë për dijet e shqiptarëve më shumë se në çdo fushë tjetër. Sipas tij, kjo politikë, e cila konsiston në një model të zhvillimit të shpejtë të arsimit, në një ndryshim të shpejtë të jetës së arsimtarëve, në një ndryshim të shpejtë të kushteve në shkollat e vendit dhe në hapjen e dyerve të universiteteve për fëmijët tanë, i kundërvihet politikave të mashtrimit. “Kryetari i PS-së, i pyetur për arsimin, deklaroi se nuk do të njohë diplomat dhe se hapja e dyerve të universiteteve qenka një hap për shndërrimin e tyre në rezervat të të papunëve. Le t’i themi këtij zotërie se midis Kristoforidhit dhe Haxhi Qamilit, ti po zgjedh Haxhi Qamilin, ndërsa ne po zgjedhim Kristoforidhin”, - tha z. Berisha. Kryeministri shtoi më tej: “Le të pyesë ai 65 mijë studentë nëse është më mirë të ndjekin universitetin apo universiteti të mbetet një mollë e ndaluar për ta. Z. kryetar me korrespodencë i Bashkisë së Tiranës, pyeti edhe familjet e tyre për këtë”. Berisha pohoi se askush sot në Evrope nuk investon për arsimimin e fëmijëve më shumë sesa shqiptarët. “Askush nuk përpiqet dhe nuk dëshiron të shkollojë fëmijët më shumë sesa familjet shqiptare”, - deklaroi z. Berisha