E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministër i partisë apo i koalicionit fitues

Nuk ka shumë kohë që deputetë të maxhorancës kanë hedhur idenë se subjekti që do përzgjidhet nga presidenti për të formuar qeverinë nuk do jetë koalicioni më i madh, por partia më e madhe. Duke parë historikun e zgjedhjeve, duket sikur është një vetëvrasje, pasi Partia Demokratike asnjëherë nuk ka qenë partia më e madhe e votuar nga shqiptarët, por kundërshtarja e saj, Socialiste, ka qënë dhe do të jetë partia më e madhe edhe në këto zgjedhje. Por lepuri fle në tjetër ferrë dhe lëvizja është një përgatitje opinioni për çfarë do ndodhë pas 23 qershorit.
Në kushtet kur kontrolli i zgjedhjeve dhe shmangia e manipulimit të tyre ngjan të jetë më i fortë se herët e shkuara, sa do ndodhë është një variant rezervë në rast se fitorja nuk i vjen të djathtës në rrugë normale, ose me rrugët klasike të manipulimit. Nëse ndodhin këto rrethana, në marrëveshje edhe me aleatët brenda koalicionit, Partia Demokratike ia kalon vetes votat e aleatëve, duke u shpallur partia më e madhe. Pakkush ka të ngjarë të ankohet për parregullsitë. Kryetarët e partive aleate të PD-së janë në listat e saj, pra me vend të sigurtë në parlament. Në xhunglën shqiptare, askush nga kryetarët e partive të vogla nuk do të tregohet aq qibar sa të kërkojë destinacionin e votës për hir të parimit. Nëse këtë do ta bëjë PS, do të bjerë nën breshëritë e propagandës dhe sulmeve të së djathtës, se po kërkon sebepe për të mos njohur zgjedhjet. Ngjan se vendosja e kryetarëve të partive aleate në listat e sigurta, më shumë se gjest kalorësiak i kryetarit të PD-së, është llogari e ftohtë elektorale dhe blerje e tyre me një çmim më të ulët nga forca e tyre elektorale, por më të lartë nga sa iu mundëson sistemi zgjedhor, i cili nuk lejon zgjedhjen ndryshe.
Pas kësaj hyn në lojë presidenti i republikës, i cili nëse synimi i PD-së është i tillë, nuk ka asnjë dyshim që do zbatojë skemën. Qënia e tij prej gati një viti në karrigen më të lartë të shtetit nuk ka dhënë një rast për të kuptuar se është i pavarur nga kryeministri. Dhe pas kësaj, gjithçka është çështje merkatoje deputetësh. Elementë të lëkundur, të epshëm ndaj presioneve apo ryshfetit janë gjendur gjithmonë në radhët e grupimeve parlamentare, pavarësisht kujdesit të kryetarëve në përzgjedhjen e tyre.
Kjo fushatë elektorale dihet që do të prodhojë një rezultat të ngushtë, ndaj do të luftohet për çdo votë që të fitohet ndershmërisht ose jo dhe po ashtu nuk do të lihet mjet pa u përdorur për fitore. Ndryshimi i rezultatit në tavolinë nga KQZ sipas metodës “Ristani”, apo siç është skema e sipërpërmendur, mund të jenë variante rezervë që do të hidhen në veprim në momentin kur Berisha do ta shikojë se nuk ka rrugëdalje tjetër.
Ndërkohë gjuha e fushatës elektorale shënon errësim të saj. Nuk është çështja e epiteteve të përdorura, sa problematika që ngrihet në mitingje. Dhe ndërsa opozita kritikon performancën qeverisëse, është kjo e fundit që lufton me të njëjtën monedhë opozitën. Duke harruar se statistikisht fushata negativiste mund të dëmtojë opozitën, kur kjo e përzgjedh si luftë elektorale kundër qeverisë. Por është matematikisht e sigurtë se kur qeveria aplikon fushatën negativiste ndaj opozitës, qeveria ndëshkohet nga votuesi. Pasi nuk ka votues që vlerëson një qeveri e cila në vend që të paraqesë projekte, merret me opozitën, domethënë me mullinjtë e erës. Ndoshta mungesa e projekteve dhe kriza ekonomike e ngushtojnë së tepërmi fantazinë qeveritare. Por ky nuk është justifikim për të kërkuar votën.
Artificet qeveritare me ligjin, se kush është fituesi, partia apo koalicioni; gjuha e pashpresë, më shumë se klima e rëndë që po zhvillohen këto zgjedhje janë një simptomë e pasigurisë së madhe që ka në numrat e saj e djathta shqiptare. Për herë të fundit, ky dëshpërim i Berishës dhe kapja e tij pas kleçkave ligjore ka qënë karakteristikë e vitit ‘97, ku Vranicki dhe bashkëpunëtorët e tij kishin çdo ditë gjëegjëza juridike, që i hidhte në tavolinë presidenti i kohës dhe kryeministri i sotëm, vetëm për mos u larguar nga pushteti. Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh, Berisha nuk mungon të kundërshtojë optimistët se nuk ka ndryshuar fare që nga shekulli i shkuar. Ndërkohë në unin e tij, motoja se fitimtarët nuk gjykohen, duket se ka hedhur rrënjë dhe është udhërrëfyesja e tij. Duke harruar se në politikë ashtu edhe në fushëbetejë, fitimtarët gjykohen nga historia. Kush beson në të kundërtën, është nga kategoria e njerëzve që fitoret i kanë arritur gjithmonë me hile dhe goditje pas shpine.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›