E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëjetesa fetare, një realitet i prekshëm dhe evident

Botimi në “Gazetën Shqiptare” i një artikulli që nxiti diskutime të analistëve në lidhje me diskriminimin e një zonje me profesion infermiere në Spitalin e Burrelit ka vënë në lëvizje zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Media në cilindo format të saj (shtypi i shkruar apo media elektronike) përbën një informacion të besueshëm për të nisur një hetim nga Zyra e Komisionerit. Institucionalisht jemi të ndjeshëm dhe po ndërmarrim të gjithë hapat procedurale për shqyrtimin e çështjes. Është nisur hetimi dhe është kërkuar informacion nga drejtuesi i Spitalit të rrethit Burrel dhe subjektet e përfshira mbi rrethanat e ngjarjes.
Personalisht jam rritur në një qytet ku historikisht bashkëjetojnë në harmoni tri komunitete fetare, e rrethuar nga miq e të afërm me përkatësi fetare të ndryshme dhe deklarimi se Shqipëria është një shembull për t’u mbajtur parasysh dhe për t’u krenuar për bashkëjetesën fetare nuk është një slogan, por një realitet i prekshëm dhe evident.
Kombinuar kjo ndjeshmëri individuale me detyrimet që legjislacioni parashikon për institucionin që përfaqësoj (Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi), mendoj se pavarësisht se ky është një rast individual dhe nuk kemi një ankesë të bërë nga individi pranë zyrës sonë, ne duhet ta hetojmë këtë çështje për shkak të faktit se besimi fetar është një e dhënë sensitive për çdo individ dhe për shoqërinë. Kjo kërkon një vëmendje të veçantë dhe qëndrim të kujdesshëm. Pikërisht për këtë mendoj se ka rëndësi të sjellim në vëmendjen e secilit disa aspekte të zbatimit të Ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi” dhe garancive që ofron për mosdiskriminimin për shkak të bindjeve fetare.
Në proceset e aderimit në institucionet ndërkombëtare, Shqipëria ka nënshkruar një sërë aktesh ndër të cilat dëshiroj të ndalem tek Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila njeh dhe parashikon edhe kufizime të përgjithshme, edhe kufizime specifike për të drejta të veçanta. Konkretisht, në nenin 9 pika 2 të saj është parashikuar se “Liria e shprehjes së fesë ose e bindjeve të tij nuk mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike, për sigurimin publik, për mbrojtjen e rendit, të shëndetit ose të moralit publik, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”.
Ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi” përveçse parashikon shprehimisht si shkak për mbrojtjen nga diskriminimi bindjet fetare, ndalon diskriminimin “lidhur me ushtrimin e lirisë së ndërgjegjes dhe fesë, veçanërisht kur ka të bëjë me shprehjen e tyre individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve” dhe çdo përjashtim nga ky rregull ligjor “mund të lejohet vetëm kur ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive”. Në çdo rast po sipas këtij ligji “lejimi i diskriminimit për shkak të ushtrimit të lirisë së ndërgjegjes dhe fesë nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Sa më sipër, Ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë mbrojtjes nga sjelljet diskriminuese në fushën e punësimit, arsimit dhe shërbimeve e të mirave. Kështu, ai ndalon shprehimisht diskriminimin (i konceptuar si dallim, kufizim apo përjashtim bazuar në një listë joshteruese shkaqesh ndër të cilat edhe bindjet fetare) në rekrutimin dhe përzgjedhjen e punëmarrësve.
Po ashtu, vlen të theksohet se si drejtuesit e institucioneve arsimore, ashtu edhe punëdhënësit (drejtues institucionesh shtetërore apo subjekte private) kanë një sërë detyrimesh që synojnë promovimin e barazisë dhe mosdiskriminimin. Sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë për ligjin antidiskriminim është një detyrim ligjor për punëdhënësit, drejtuesit e institucioneve arsimore apo çdo subjekti që ofron shërbime, duke filluar me publikimin e ligjit në ambientet ku ato ushtrojnë aktivitetet e mësipërme.
Në ushtrim të funksioneve të veta që synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi çështjet e diskriminimit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka ndërmarrë një sërë veprimtarish si: aktivitete ndërgjegjësuese dhe trajnime të nëpunësve të administratës qendrore dhe vendore (përfshirë edhe nëpunës të zyrave rajonale të shëndetësisë, punësimit dhe arsimit), trajnime të mësuesve dhe punonjësve socialë në shkolla, ndërgjegjësimin e komunitetit të nxënësve.
Duke adresuar vëmendjen në komunitete të veçanta dhe më vulnerabël, Komisioneri ka dërguar rekomandimet përkatëse, duke kërkuar vëmendjen për zbatimin e kërkesave të Ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi” (shoqëruar me materiale ndërgjegjësuese si fletëpalosje, broshura, manuale trajnimi, postera) nga Drejtoritë Rajonale të Arsimit në 12 qarqet e Shqipërisë dhe përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit. Kjo do të vazhdojë edhe për Drejtoritë Rajonale të Punësimit dhe ato të Shëndetit Parësor, me synimin për të ndërgjegjësuar punëdhënësit dhe punëmarrësit, por edhe mjekët, infermierët dhe vetë pacientët për të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga ky ligj, për t’u mbrojtur nga sjelljet diskriminuese apo që e nxisin atë.
Referuar formave të diskriminimit të parashikuara në ligj, Komisioneri i ka kushtuar vëmendje jo vetëm diskriminimit të drejtpërdrejtë (siç është shqyrtimi i rastit konkret të mësipërm), por edhe diskriminimit të tërthortë (të kuptuar si një dispozitë, kriter apo praktikë në dukje të paanshme, por që mund të vendosë një subjekt në kushte më pak të favorshme se një tjetër apo që nuk justifikohen objektivisht nga një synim i ligjshëm, apo mjetet e arritjes së synimit nuk janë të përshtatshme apo të domosdoshme). Kësaj fryme i është përmbajtur Zyra e Komisionerit, kur ka adresuar rekomandimet që synonin shmangien e çdo situate diskriminuese për shkak të bindjeve fetare në sistemin e arsimit parauniversitar dhe që u reflektuan në draftin përfundimtar të Ligjit Nr 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”.
Raportet ndërkombëtare kanë evidentuar vazhdimisht tolerancën fetare që karakterizon marrëdhëniet ndërfetare në shoqërinë shqiptare. Raporti amerikan “Për lirinë ndërkombëtare të fesë për vitin 2012”, hartuar nga Byroja e Demokracisë, të Drejtave të Njeriut dhe Punës nënvizoi se në Shqipëri “nuk pati raportime për abuzim apo diskriminim nga shoqëria mbi bazën e përkatësisë, besimit, apo praktikës fetare” dhe “udhëheqësit fetarë shprehën mbështetje për njëri-tjetrin dhe komunitetet e tyre si dhe pohuan që faktorët historikë çonin në harmoninë jetëgjatë ndërfetare”.
Bashkëjetesa fetare është një vlerë për shoqërinë shqiptare, e cila duhet ruajtur dhe ushqyer si një model i mirë për të ndërtuar raportet mes komuniteteve të ndryshme përmes tolerancës dhe respektimit të të drejtave të çdo individi, pavarësisht cilësive individuale apo përkatësisë në një grup të veçantë që na dallon nga pjesa tjetër e shoqërisë.
Mendoj se është e rëndësishme të tërheqim vëmendjen e çdo individi në faktin se Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi është krijuar si një institucion që garanton “zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozicione gjenetike, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë, ose me çdo shkak tjetër”.
* Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›