Kryeministër, të ruajttë Zoti mendtë...!
Doja të sillja në vëmendjen tuaj një shkrim të mrekullueshëm botuar në shtypin e sotëm për intervistën skandaloze të Kryeministrit shqiptar në gazetën më të madhe italiane, “Corriere della Sera”. Po shkëpus një pjesë të kritikës:
“…Pa pikë mëdyshjeje Kryeministri ynë merr përsipër të na ndërtojë një Central Termobërthamor dhe na del se e vetmja pengesë që paska pasur deri tani, ishte qeveria e majtë italiane, kurse tani që në Gadishullin Apenin është rikthyer në pushtet “luani” Berlusconi, këtë punë do ta ketë më të lehtë. Por shton edhe se, nëse nuk do qeveria italiane, ai do të vazhdojë për këtë marrëveshje me privatë.
Madje nga intervista del se Kryeministri ynë nuk merakoset edhe aq për energjinë e shqiptarëve, por ai kërkon ta ofrojë Shqipërinë si truallin ku do të ndërtohet centrali termobërthamor që do të prodhojë, sipas “Corrieres”, energji “për Italinë”. Dhe kjo vërtetohet edhe nga ministri Tremonti, i cili çuditërisht e paska njoftuar prej kohësh, sapo u bë ministër, një projekt të tillë. Vërtetohet, indirekt, edhe nga fakti se Kryeministri ynë tashmë ka arritur marrëveshje për ndërtimin edhe të disa TEC-ve ku, për të mos përmendur atë të Vlorës, spikat ai i Durrësit (ME QYMYR!!!) që planifikohet të prodhojë 1300 MË çka, për dijeni të lexuesit, është afro baras me kapacitetet aktuale të të gjithë Shqipërisë.
Dhe kjo është më shumë se shqetësuese, është për të vënë alarmin kombëtar, pasi kjo është shenja se politika jonë po vazhdon ta trajtojë vendin si një mjet pushteti e pasurimi për disa politikanë, me filozofinë “merr, plaçkit sa të mundesh për veten dhe familjen tënde e ik”, kurse një pjesë italianësh vazhdojnë ta shohin si koshin e tyre të plehrave. Me fjalë të tjera Kryeministri ynë angazhohet ta përdorë tokën shqiptare pak a shumë ashtu siç e ka përdorur Camorra Campagna-n: si truall për të hedhur ndotjet kimike të Veriut të pasur, për t’u pasuruar camorristët. Hajde doktor hajde! Edhe për çështjen e ngritjes së djegësve të plehrave italiane duket sikur i vjen keq që na qenka aprovuar ligji se, përndryshe, po të ishte për doktorin, italianët mund të digjnin edhe plehrat këtu, në ndonjë vend në bregdet, pranë e pranë me TEC-in me qymyr dhe me pusin gjigant prej betoni që do të hapet për skoriet bërthamore. Na del se ky vend na qenka lokalizuar andej rrotull Durrësit, d.m.th., në zonën me popullsinë më të dendur të vendit dhe kjo e ka një shpjegim sepse italianëve kështu u kushton më lirë transporti…”.
….Le të vijmë tani tek përgjigja mbyllëse e intervistës. me të cilën përsëri nuk mund të pajtohem kurrsesi. I pyetur nëse do të vazhdojë të kandidojë Berisha përgjigjet se “në pension mund ta nxjerrë vetëm Zoti dhe populli shqiptar”... A e ka parasysh ai atë thënien: “Të ruajttë Zoti mendtë!”. Pushteti korrupton, pushteti zhvillon paranoja, mani madhështie, por edhe konsumon, prandaj të pushtetshmëve u duhen vendosur kufij në demokraci dhe jo të pritet vendimi i Zotit për tërheqjen e tyre...”.