Kryeministi i dekretuar Fatos Nano paraqiti sot tek presidenti i Republikes Alfred Moisiu perberjen e qeverise se re te vendit. Ajo përbëhet nga 19 anëtarë: Fatos Nano- Kryeministër. Fatos

Kryeministi i dekretuar Fatos Nano paraqiti sot tek presidenti i Republikes Alfred Moisiu perberjen e qeverise se re te vendit.
Ajo përbëhet nga 19 anëtarë:
Fatos Nano- Kryeministër.
Fatos Nano mban postin e kryetarit të PS-së, që prej krijimit të kësaj partie, më 13 qershor 1991. Ka lindur në Tiranë në 1952, dhe ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, dega Ekonomi politike, në Universitetin e Tiranës. I njohur si ekonomist liberal, në katedrën e Fakultetit Ekonomik ku ka punuar si pedagog i ekonomisë politike, Fatos Nano mbrojti gradë shkencore "doktorr i Shkencave" në ekonomi në vitin 1989. Në fund të vitit 1990, Nano u thirr në qeverinë e asaj kohe për të dhënë kontributin e tij, në transformimin e ekonomisë së centralizuar komuniste, në një ekonomi të lirë tregu. Në shkurt të vitit 1991, Presidenti i atëhershëm, Ramiz Alia, caktoi Fatos Nanon, si Kryeministër për të drejtuar një qeverie teknike, e cila përgatiti të parat zgjedhje të lira pluraliste në Shqipëri, që u zhvilluan më 31 Mars të vitit 1991. Në qershor të po këtij viti, z.Nano u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, e cila u krijua pas mbylljes së Kongresit të 10 të PPSH, ku u shpall dhe përfundimi i misionit politik të partisë së vjetër komuniste dhe lindja e një partie të re me frymën e socialdemokracisë europiane. Në zgjedhjet e 22 Marsit të 92, ku PS humbi ndjeshëm, lideri i saj, Fatos Nano drejtoi opozitën shqiptare dhe dhe vetëm tre muaj nga humbja e zgjedhjeve të përgjithshme, Fatos Nano udhëhoqi triumfin e PS në zgjedhjet lokale të 26 Korrikut të 92.
Fatos Nano udhëhoqi PS-në në fitoren e 29 Qershorit të vitit 1997. Më pas, ai emërohet si Kryeministër nga Presidenti i sapozgjedhur, Rexhep Meidani, post të cilin do ta mbajë vetëm një vit dhe më 28 Tetor 1998, ai jep dorëheqjen nga kjo detyrë. Nga kjo periudhë, ai mban sërish postin e Kryetarit të PS-së, dhe pas zgjedhjeve të 24 qershorit 2001 dhe formimit të parlamentit të rë, ai zgjidhet Kryetar i Komisionit parlamentar të Politikës së jashtme. Tashmë ai qëndron njëkohësisht në postin e Kryetarit të partisë dhe atë të Kryeministrit të vendit.
Ilir Meta - Zëvendësministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme
Z.Meta, 31 vjeç, është një nga figurat kryesore te Partise Socialiste. Ai ka lindur ne vitin 1969, ne Skrapar, dhe ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Ekonomi Politike. Në jetën politike u përfshi në fillim të viteve 90, ku u bë pjesë e udhëheqjes së Lëvizjen Studentore, që solli përmbysjen e regjimit komunist 50 vjeçar. Prej vitit 92, ai ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Socialiste, ndërsa nga viti 1995- 2001, kryetar i Forumit Rinor Euro-Socialist të Shqipërisë. Anëtar i Internacionales Rinore Socialiste, Ilir Meta ka mbajtur postin e nënkryetarit të PS-së, në periudhën 93-96. Meta u zgjodh për herë të parë deputet në vitin 92 dhe ka fituar dhe në zgjedhjet e radhës, përkatësisht në vitin 96, 97 dhe 2001. Në periudhën 96-97, ai ishte nënkryetar i Komisionit Parlamentar për marrëdhëniet me jashtë. Për herë të parë në postin e kryeministrit u zgjodh në 29 Tetor 1999, ndërsa më parë ishte zëvendëskryeministër në qeverinë "Majko 1". Z.Meta ka mbajtur dhe postin e Sekretarit të Shtetit për Integrim në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në vitin 1999, pas dorëheqjes së qeverisë së kryesuar nga Pandeli Majko, ai zgjidhet Kryeministër i vendit. Këtë post, ai do ta ruajë edhe pas zgjedhjeve të 24 Qershorit, 2001, ku sërisht zgjidhet nga KPD-ja socialiste, Kryeministër. Ai u largua nga ky post vetëm disa muaj më vonë, në muajin Mars të këtij viti. Ai është zotërues i gjuhës angleze dhe italiane. I martuar dhe baba i dy fëmijëve.
Pandeli Majko - Ministër i Mbrojtjes .
Z.Majko, 33 vjeç, një tjetër figurë potenciale e Partisë Socialiste. Eshtë cilësuar kryeministër i suksesshëm në periudhën e krizës në Kosovë, ku në Shqipëri u strehuan më shumë se 450 mijë refugjatë kosovare. Përfshirja e tij në politikë fillon me lëvizjen studentore të Dhjetorit 90, ku u zgjodh si përfaqësues në takimin me ish-presidentin Ramiz Alia. Z. Majko është një ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESSH), ndërsa në Maj të vitit 92, zgjidhet Kryetar i FRESSH-it, post të cilin e mbajti deri në verë të vitit 1995. Pas këtij viti ai caktohet Sekretar i Marrëdhënieve me Publikun në PS dhe më pas edhe Sekretar i Përgjithshëm i saj. Pas zgjedhjeve të 29 Qershorit 97 u zgjodh kryetar i Grupit Parlamentar Socialist, post të cilin e mbajti deri në Shtator të Tetor të vitit 1998, vit kur ai u zgjodh Kryeministër i Shqipërisë dhe drejtoi Qeverinë për një vit. Në qeverinë "Meta ", ai ka qenë Ministër i Mbrojtjes. Ndërkohë në Muajin Prill të këtij viti, ai rizgjidhet sërish nga KPD-ja socialiste në postin e Kryeministrit të vendit, post nga i cili dha dorëheqjen vetëm para pak ditësh, duke i hapur kështu rrugën qeverisë së re. Pandeli Majko është i martuar dhe ka dy fëmijë. Arta Dade - Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Znj.Dade, 48 vjeç, ka lindur në Tiranë. Eshtë diplomuar në Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë Angleze, në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1997 ajo mbron titullin "Doktore e Shkencave Gjuhësore". Për një periudhë kohe ajo ka punuar si mësuese në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja, në Tiranë, ndërsa vitet 85-97 do ta vendosin atë pedagoge pranë Departamentit të Gjuhës Angleze, në Universitetin e Tiranës. Në radhët e Partisë Socialiste u përfshi në vitin 91 dhe një vit më vonë, në vitin 92 u zgjodh anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Në vitin 1996 u caktua sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Socialiste. Ajo zgjidhet deputete, në legjislaturën e 15-të, të Kuvendit të Shqipërisë. Viti 98 e gjen në postin e Ministres së Kulturës, në qeverinë e krijur nga z.Pandeli Majko. Në qeverinë e krijuar pas 24 Qershorit 2001, ajo zgjidhet Ministre e Punëve të Jashtme. Këtë post do ta juajë edhe në qeverinë që do të krijohet disa muaj më vonë, pra në qeverinë Majko, të sapodorëhequr. Luan Rama - Ministër i Rendit Publik Z.Rama, 35 vjeç, ka lindur në qytetin e Peshkopisë. Ai është diplomuar në vitin 90 në Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë-Letërsi, në Universiteti "Luigj Gurakuqi" Shkodër. Pas përfundimit të studimeve, për 3 vjet punoi si gazetar, pranë gazetës "Zëri i Popullit", (organ i PS) ndërsa gjatë periudhës 93-96 ka qenë zëvendëskryeredaktor i kësaj gazete. Ndërsa në vitin 96 z. Rama do të caktohet në funksionin e kryeredaktorit të Gazetës "Zëri i Popullit". Ai është përfshirë në politikë në vitin 1991, ku dhe caktohet anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste, ndërsa në 97 ai do të jetë anëtar i Kryesisë së PS. Z. Rama ka qenë deputet i PS në legjislaturën e 15 dhe është rizgjedhur sërish i tillë në zgjedhjet e 24 Qershorit 2001. Në qeverinë Meta, ai do të caktohet Ministër i Kulturës, ndërsa në qeverinë e sapodorëhequr të z,Majko, ai mban postin e Ministrit të Mbrojtjes. Luan Rama është i martuar dhe ka një fëmijë. Lufter Xhuveli- Ministër i Mjedisit Xhuveli, 60 vjeçari i njohur për qëndrueshmërinë e tij në qeverisjet e të majtës shqiptare, është figura kryesore e Partisë Agrare, parti aleate e Partisë Socialiste. Ka lindur në Vlorë dhe është diplomuar në vitin 1962 në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë, dega Agronomi. Për tetë vjet, punoi si kryeagronom në Kooperativën Bujqësore Kutalli (Berat), ndërsa në vitin 69-72 mbajti postin e Shefit të Seksionit të Bujqësisë, në Berat. Gjatë viteve 72-74 ishte zëvendëskryetar i Komitetit Ekzekutiv të këtij rrethi. Deri në vitin 75 punoi si kryeagronom në Ndërmarrjen Bujqësore "29 Nëntori", në Lushnjë. Ndërsa përgjatë viteve 75-88 ai do të punojë si Rektor i Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës, dhe më pas, profesor i këtij Universiteti. Në vitin 80 merr titullin "Kandidat i shkencave", ndërkohë që katër vjet më vonë sërish merr një titull tjetër, atë "Doktor i Shkencave", dhe në 86 titullin "Profesor". Deputet i Kuvendit Popullor në vitet 91-92, Xhuveli zgjidhet sërisht i tillë, në Legjislaturën e 15-të të Kuvendit të Shqipërisë dhe në vitin 98 caktohet Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit. Edhe në qeveritë e z.Meta ai ruan sërish postin ministror. Në qeverinë e fundit të z.Majko ai caktohet Ministër i Mjedisit, post që e ruajti edhe në këtë qeveri të re. Luan Memushi - Ministër i Arsimit dhe Shkencës Z.Memushi, është 51 vjeç. Ai ka mbaruar Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Dega Biologji-Kimi, në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1985, Memushi, merr titullin e parë, "Kandidat i shkencave, dhe më pas Titullin "Docent". Më tej ai sërish, kualifikohet, duke fituar edhe titullin "Doktor i Shkencave". Ai është Asistent, Profesor, Doktor. Fillmisht, ai ka punuar si mësues në shkollat e Tepelenës dhe të Memaliajt, ku pas përvojës së fituar dhe kualifikimit në këto shkolla, ai fillon punë si petagog në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Më pas Memushi, do të punojë në Ministrinë e Arsimit. Në karrierën e tij politike, ai do të zgjidhet deputet i Partisë Sociualiste, në Kuvendin e Shqipërisë, në vitin 1997. Në qeverinë e fundit, të kryesuar nga z.Majko, ai ka mbajtur postin ministror të Ministrit të Arsimi. Të njëjtin post, ai do të ketë edhe në qeverinë e krijuar këto ditë nga Kryeministri i dekretuar Nano. Agron Duka -Ministër i Bujqësisë. Z.Duka, është 43 vjeç dhe vjen në qeverinë e re, pa ndonjë përfaqësi politike. Ai është diplomuar për agronomi, ku më pas ka kryer detyra në drejtim në sektorin e bujqësisë, dhe në arsimin bujqësor. Deri në 2001, ai ka qenë në detyrën e Prefektit të Durrësit. Në legjislaturën e fundit parlamentare, në zgjedhjet e 24 Qershorit 2001, Duka përzgjidhet nga strukturat e PS-së, për të përfaqësuar në Kuvend zonën elektorale të Shijakut. Z.Duka, ka qenë i përfaqësuar në "qeverinë Meta", në postin e ministrit të Bujqësisë, më pas këtë post ai do ta ruajë edhe gjatë qeverisjes së z.Pandeli Majko. Edhe në qeverinë e re Nano, që pritet të dekretohet, ai sërish mbetet Ministër i Bujqësisë. Duka, zotëron gjuhën anglisht, italisht. Blendi Klosi - Ministër Shteti Z.Klosi, njihet si një nga ekspertët më të mirë për çështjet elektorale dhe juridike. Aktualisht, ai është deputet i Partisë Socialiste, në Kuvend dhe për disa vjet me radhë, ai punon pranë komisioneve të ndryshme për çështje elektorale. Për një periudhë kohe, ai ka qenë zëvendësministër i Pushtetit Lokal dhe më vonë, një nga kandidatët për Ministër të Pushtetit Lokal, në kohën kur dhanë dorëheqjen 4 ministra të "Kabinbetit Meta", por kandidatura e tij, u rrëzua nga deputetët në Parlament. Me ngritjen së fundi, të Komisionit parlamentar dypalësh, për reformën zgjedhore, ai zgjidhet bashkëkryetar i tij.Kastriot Islami - Ministër i Financave Z.Islami, 50 vjeç ka lindur në Tiranë, një nga figurat e njohura brenda Partisë Socialiste, që nga krijimi i kësaj partie. Studimet e larta i ka kryer në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega e Fizikës Speciale. Më pas është diplomuar me Diplomë të Studimeve të Thelluara, Universiteti i Parisit. Islami ka marrë Dekorate në fushën e Fizikës Atomike e Molekulare në Universitetin e Parisit. Gjithashtu, ai mban titullin "Doktor i Shkencave". Fillimisht ka punuar si fizikan në Ndërmarrjen Gjeologji-Gjeodezi, dhe më pas, fizikan në Byronë e Matjeve dhe pedagog në Katedrën e Fizikës Teorike pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Përsa i përket jetës politike të tij, në qeverinë e vitit 1991, ai do të caktohet Ministër i Arsimit. Ndërsa në Mars të vitit 1991, deri në Mars 1992, ai caktohet Kryetar i Kuvendit Popullor. Nga periudha 1992-1996 ai është vetëm deputet i Partisë Socialiste. Nëdrsa në vitin 1996 ai zgjidhet anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Do të rizgjidhet sërish deputet në legjislaturën e 15-të, si dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare të 24 Qershorit 2001. Në kabinetin e fundit të dorëhequr të z.Majko, ai u caktua Ministër i Financave, post të cilin do ta mbajë edhe në kabinetin e ri të Fatos Nanos. Arben Malaj - Ministër i Ekonomisë Z.Malaj, është 41 vjeç, ka lindur në Vlorë. Ai mbetet një nga figurat më kontribuese të Partisë Socialiste. Malaj është diplomuar më 1986 në Universitetin e Tiranës, Bankier. Nga viti 1986 deri më 1992, ka punuar bankier, ndërsa në 1993-1995, ka qenë Menaxher i Agjencisë Rajonale të Biznesit Durrës-Tirane, Kavajë, programi "PHARE" BE. Ndërsa në vitet 1996-1997, Malaj, zotëron një studio, Konsulencë Ekonomike. Arben Malaj, më 1997 merr gradën shkencore, Doktor i Shkencave Ekonomike". Nga viti 1993, ai do të punojë si lektor në Fakultetin Ekonomik të Tiranës. Ndërkohë më 1997 ai do të jepte leksione jashtë shtetit në Universitetin e Boconit, në Itali, më 2001 në Universitetin Bambergut në Gjermani dhe po në 2001 në Universitetin e Kosovës. Ai ka bërë një sërë studimesh, ka shkruar një sërë artikujsh shkencor, brenda dhe jashtë vendit. Në karrierën politike, Arben Malaj, do të bëhej fillimisht anëtar i partisë Socialiste. Në vitin 1997 dhe deri më sot, është deputet i Kuvendit. Në qeverinë e "Pajtimit Kombëtar", do të caktohej Ministër i Financave, dhe në Qeverinë "Aleanca për Shtetin", pas zgjedhjeve të 29 qershorit 1997, do të ruante sërish të njëjtin post. Malaj gjithashtu, kryeson edhe komisionin parlamentar të Ekonomi-Financë-Privatizim, kryetar i Delegacionit ndërparlamentar Shqipëri-Parlamenti Europian. Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, në 24 Qershor 2001, Malaj zgjidhet kryetar i grupit parlamentar të PS-së, post të cilin e la vetëm para disa ditësh, pas një vendimi të KPD-së socialiste. Ai është i martuar dhe ka një fëmijë. Mustafa Xhani- Ministër i Shëndetësisë Z.Xhani, 55 vjeç ka lindur në Tiranë. Në vitin 1970 ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë dhe që nga ky vit ka punuar si kirurg- urolog në Spitalin numër 2. Për disa vite ka punuar si shef pavioni në këtë spital. Nga viti 1997 deri në vitin 2001 ka qenë drejtor i Qëndrës Spitalore Universitare në kryeqytet. Z.Xhani mban titullin Profesor. Fillimet e këti viti do ta gjenin pedagog në Fakultetin e Mjekësisë si dhe shef i Shërbimit Universitar të Urologjisë. Në legjislaturën e fundit parlamentare, ai zgjidhet deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në kabinetin e fundit qeveritar të z.Majko, z.Xhani mban postin e Ministrit të Shëndetësisë, post të cilin e ruajti edhe në qeverinë e re të krijuar nga z.Nano. Viktor Doda - Ministër i Industrisë dhe Energjetikës Z. Doda ka lindur në Rubik në vitin 1955. Ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën Gjeologji Miniera. Në këtë sektor ai ka një eksperiencë të gjatë praktike, në kërkimin shkencor, në përgatitjen e kuadrit ligjor përkatës, etj. Në hapësirën politike, nga viti 1997, deri në Prill të 2001 ai ka qenë zëvendësministër i Ekonomisë dhe i Privatizimit. Ndërsa, në Prill 2001, Doda emërohet Ministër i Transporteve, post të cilin e ka mbajtur deri në Shtator 2001. Krijimi kabinetit qeveritar të z.Majko në muajin prill të këtij viti, do ta vendoste, atë Ministër të Industrisë dhe Energjitikes, post të cilin do ta mbajë edhe në kabinetin e ri qeveritar. Eshtë i martuar, me tre fëmijë. Spiro Peçi - Ministër i Drejtësisë Z. Peçi ka lindur në vitin 1947 në Delvinë. Ka mbaruar fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike dega Drejtësi në vitin 1969. Gjatë viteve 1970-85 ka punuar në Prokurorinë e Sarandës, ndërsa pas vitit 1985 ka punuar si prokuror i rrethit të Durrësit. Në fund të vitit 1991 emërohet zëvendësprokuror i përgjithshëm ndërsa më pas vazhdon detyrën si drejtor Drejtorie në Prokurorinë e Përgjithshme. Në kabinetin e fundit qeveritar të kryesuar nga Majko, z.Peçi ka mbajtur postin e Ministrit të Drejtësisë. Këtë post do ta mbajë edhe në kabinetin e ri qeveritar të krijuar nga z.Nano. Ben Blushi- Ministër i Pushtetit Lokal dhe Decentralizimit Blushi, 32 vjeç, është një nga figurat më të reja të Partisë Socialiste. Ka lindur në Tiranë dhe ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi. Me përfundimin e studimeve ka punuar si gazetar në organe të ndryshme të medias shqiptare dhe më pas ka qenë kryeredaktor i gazetës "Koha Jonë". Në radhët e Partisë Socialiste është përfshirë në vitin 97. Z.Blushi ka qenë anëtar i Kabinetit të Kryeministrit Fatos Nano, e më pas edhe i Kabinetit t z.Ilir Meta. Në Tetor të vitit 99, u emërua në postin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, post të cilin e mbajti deri në Shkurt të vitit 2000. Në 28 Dhjetor të vitit të kaluar u emërua në detyrën e prefektit të Qarkut të Korçës, me vendim të Keshillit të Ministrave. Në qeverinë Meta, të krijuar pas zgjedhjeve të 24 Qershorit, 2001, Blushi u emërua Ministër i Arsimit dhe Shkencës, post të cilin do te mbajë edhe në kabinetin e ri qeveritar. Ai është i martuar dhe ka një fëmijë. Sokol Nako- Ministër shteti për Integrimin Z.Nako, 31 vjeç, është një nga ministrat më të rinj të Kabinetit Nano. Ka lindur në Tiranë në 28 Dhjetor të vitit 1970 dhe ka mbaruar studimet e mesme me Medalje Ari. Studimet e larta i ka perfunduar në Universitetin e Tiranës për jurisprudencë, ndersa ka kryer fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin Komenski në Bratisllavë të Sllovakisë, ku dhe mori titullin "Magister i së Drejtës". Ai gjithashtu, ka studiuar në Fakultetin Juridik të Universitetit Widener në SHBA, ku mbrojti Master në të Drejtën dhe Financat e Korporatave dhe ka marrë titullin "Honoris Causa", për rezultate të larta në studime. Për rreth 6 muaj ka punuar në gjykatën e Korporatave në Delaware të SHBA. Sokol Nako ka punuar për disa kohë si pedagog i jashtëm në shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë dhe në Fakultetin Juridik dhe Filologjik të Universitetit të Tiranës. Ai ka qenë këshilltar juridik i Kryeministrit Meta, deri në Maj të vitit 2000, kur ai emërohet në postin e Ministrit të Transporteve. Spartak Poçi- Ministër i Tranporteve dhe Telekomunikacionit Spartak Poçi, ka lindur në Tiranë, më 1949. Eshtë i martuar, dhe ka dy fëmijë. Eshtë diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Universiteti i Tiranës. Përsa i përket eksperiencës në punë, vitet 1971-1974 ai do të jetë drejtues në ndërtimin e Konbinatit Metalurgjik Elbasan, ndërsa në 1974-1979, drejtues në ndërtimin e tre hekurudhave nacionale. Në vazhdimi, në 1979-1993 ai punon si drejtues teknik për ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve nacionale, ndërkohë që në periudhën 1993-1996 ai do të jetë pronar i një firme ndërtimi. Në fushën politike, veprimtarie e z.Poçi mbetet e hershme, duke përmendur 1992, ku ai caktohet nënkryetar i Komitetit Drejtues të PS-së, të qytetit të Tiranës. Në periudhën 1992-1998 ai zgjidhet anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS-së dhe në vitet 1992-1996, anëtar i Kryesisë së PS-së. Në 1997 ai zgjidhet deputet i PS-së në Legjislaturën e 15-të të Kuvendit të Shqipërisë. Në qeverinë "Meta 1", pra në 1999, ai zgjidhet Ministër i Rendit Publik dhe më vonë, Ministër i Punës dhe Cështjeve Sociale. Aktualisht ai është edhe nënkryetar i komisionit parlamentar të Rendit dhe SHISH. Besnik Dervishi - Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit Z.Dervishi, është 39 vjeç. Ai është diplomuar në fushën e drejtësisë, dega Juridik. Ai ka marrë titullin "Doktor Shkencash" Fillimisht, ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Transporteve dhe Punëve Publike . Para një viti e gjysëm, ai ka punuar si sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Transporteve, dhe pas kësaj detyre, caktohet zëvendësministër i Ekonomisë. Aktualisht, ai është profesor i jashtëm në fakultetin Ekonomik në Tiranë. Valentina Leskaj - Ministre e Punës dheÇështjeve Sociale Znj.Leskaj, përfaqësuese nga shoqëria civile, në kabinetin Nano, që pritet të dekretohet, vjen nga posti i Kryetares së Shoqatës për Planifikim Familjar, dhe një nga themelueset e kësaj shoqate. Në pjesëmarrjen e saj në politikë, ajo është diskutuar nga z.Nano dhe forumet drejtuese të PS-së, në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 24 Qershorit 2001, ku ajo u përmend si kandidate për deputete. Nuk bën pjesë në asnjë strukturë partiake dhe vjen si e dyta Ministre femër, në qeverinë e re Nano.