E Diel, 1 Nëntor 2026

Me poshte eshte teksti i plote i deklarates se kryeministrit Pandeli Majko ku njoftohet doreheqja e tij: Kliko ketu per video

Me poshte eshte teksti i plote i deklarates se kryeministrit Pandeli Majko ku njoftohet doreheqja e tij:
Kliko ketu per video

Të nderuar miq,
Nëpërmjet jush kërkoj të bëj publik vendimin tim politik për të dhënë dorëheqjen nga detyra e kryeministrit të vendit. Ky është një vendim që shpresoj se lejon hapësira për të shmangur dhe zgjidhur me mjete politike përplasjen në Partinë Socialiste, forumet vendimmarrëse të së cilës nuk rikonfirmuan mbështetje për kabinetin që drejtova.

Ky vendim i imi politik është respektimi i plotë i kësaj vendimmarrjeje partiake. Pese muaj më parë pranova të drejtoj ekzekutivin shqiptar me besimin për të qëndruar krahas moralit të Partisë Socialiste, frymëzimit politik e mbështetjes që ajo do të jepte qeverisjes së vendit në këtë mandat të dytë si mazhorancë.

Pranova të drejtoj ekzekutivin shqiptar i bindur për domosdoshmërinë e demilitarizimit të politikës, shuarjes së klientelizmit e trafiqeve të influencës dhe dhënies fund të luftrave pa fund, të akuzave verbale që rrezikonin, cënonin e deformonin imazhin tonë politik si parti e moralit të shërbyesit të publikut.

E mora detyrën, sepse besova se këtë e kërkonte nderi i partisë dhe nderi im. E mora detyrën, sepse forumet drejtuese të partisë sime besuan se do të bëhesha pjesë dhe protagonist i zgjidhjes së krizës së besimit që na kishte mbërthyer. Besoj se kabineti që drejtova e meritoi ketë besim dhe tashmë jam gati të përballem me survejimin dhe verdiktin e opinionit publik nëse në detyrën e kryeministrit isha komponent i krizës apo bashkëzgjidhës i saj.

Për të afruar qytetari, dinjitet dhe partneritet në korrigjimin e arsyeve që akumuluan vazhdimisht krizë në Partië Socialiste dhe personalizimim të luftës politike në vend vendosa të jap dorëheqjen.

Iki me bindjen se në Partinë Socialiste nuk kam qenë thjesht vetëm zgjedhje, por edhe zgjidhje.

Të nderuar miq,

Pese muaj më parë premtova se në krye të ekzekutivit shqiptar do të ndiqja si prioritete qeverisjeje luftën kundër korrupsionit, trafiqeve të të gjitha llojeve, kryesisht atë të qënieve njerëzore dhe luftën totale kundër krimit të organizuar. Po kështu, jemi munduar të japim maksimumin në ruajtjen e balancave e stabilitetit markoekeonomik, goditjen e situatave monopolistike në treg, arritjen e marrëveshjeve me institucionet financiare ndërkombëtare, zgjidhjen e krizës energjitike dhe rimotivimin e administratës shqiptare.

Dua të nënvizoj gjithashtu, faktin se sot vendi ka një strategji kombëtare për integrimin e Shqipërisë në BE dhe një shans më shumë në realizimin e këtij prioriteti kombëtar për rikthimin e vendit në arealin tonë të natyrshëm historik, gjeografik dhe politik.

Ne luftuam fort për të korrigjuar imazhin e vendit që prodhonte klandestinë dhe ishte skaji i trafiqeve të të gjitha llojeve, luftuam imazhin e vendit që ishte pjesë përbëre e krizave ciklike të të gjitha llojeve, kontrabandës, korrupsionit, luftuam banditizmin e rrugës dhe atë politik, shkeljen e parimeve të të drejtave njerëzore dhe vlerave universale të të drejtave njerëzore që ka prodhuar herë pas herë pluralizmi latent shqiptar dhe ndikuam në forcimin, pavarësinë e kontrollin reciprok midis pushteteve.

Kam bindjen e thellë se këto arritje, pjesë integrale e asaj cka kanë bërë qeveritë socialiste në këto pese vjet janë një dëshmi e sigurisë sonë se kemi prodhuar qeverisje me fytyrën e qytetarit të sotëm shqiptar. Tre vjet më parë kam kërkuar firmosjen e një Pakti Stabiliteti në PS, një pakti që do të bënte të mundur kanalizimin e interesve dhe energjive tona, jo në ndeshje pjesore mes nesh, por në ndeshjen me sfidat që kërkon qeverisja energjike e një vendi që ka shumë emergjenza të tranzicionit. I njëjti Pakt Stabiliteti, por edhe Mirëkuptimi besoj se duhet të firmoset pa humbur më kohë të cmuar edhe me opozitën shqiptare në emer të aspiratave dhe intersave tona të përbashkëta dhe prioriteteve tona ekonomike politike dhe sociale.

Akumulimi i një filozofie të përbashkët për të gjithë klasën politike, shndërrimi i urrejtjes dhe sherreve në politikën e debatit dhe oponencës është ajo cka më së fundi duhet të kthehet në moral të politikës shqiptare. Ka shumë rrugë për të mbërritur tek e vërteta, por e vërteta është vetëm një. Për të respektuar të vërtetën time vendosa të jap dorëheqjen,

Ndaj,

Duke konsideruar si domosdoshmëri strategjike, kombëtare formulimin e politikave të reja të komunikimit, duke konsideruar sakrificat tona të përbashkëta për ndërtimin e shtetit të ri modern shqiptar, duke e konsideruar se qënia ime në politikë nuk kushtëzohet nga detyrat konrekte, por nga një moral që është pjesë e të vërtetës sime politike,

Duke konsideruar se ndeshjet e të gjitha llojeve dhe përjashtimi e përplasja mes shqiptarëve janë të destinuara të prodhojnë vetëm humbës,

Duke konsideruar vijimësinë tonë në një qeverisje të suksesshme, derivat i besimit të njëpasnjëshëm të votuesve shqiptarë,

Duke konsideruar se në këtë mënyrë i hap rrugën një procesi emancipimi politik të vetë Partisë Socialiste,

Vendosa të jap dorëheqjen nga detyra e Kyreministrit.

Vendosa ta bëj një gjest të tillë vetëm mbas shuarjes së bucimës së topave në ceremoninë e kalimit të pushteti presidencial, në shenjë respekti për institucionet dhe vullnetit të votuesit shqiptar prej nga ato rrjedhin.

Më lejoni që në përfundim të falenderoj të gjithë miqë dhe kundërshtarët e qeverisjes sime, optimistët dhe skeptikët, mbështetësit dhe kritikuesit e saj, të falenderoj punonjësit e medias; më lejoni gjithashtu, të shpreh mirënjohjen time të thellë për kontributet e dhëna, por edhe ato të munguara.

Ju faleminderit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›