Kryeministrat Berisha dhe Thaci peruruan autostraden dixhitale

Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Thaçi kanë përuruar sot autostradën dixhitale. Kështu gjatë paradites së sotme dy krerët e qeverive morën pjesë në ceremoninë që u zhvillua në Qafe Morinë, për inaugurimin e projektit të Postës Shqiptare "Linja ndërkombëtare e internetit 100 GBps".
Kryeministri, Hashim Thaçi e vlerësoi si të rëndësishme këtë ditë, pasi sipas tij, të dy vendet ndihen dhe më të bashkuar përmes kësaj rruge.
“Dikur na ndante Serbia, ndërsa më të bashkuar në rrugën integruese. Jam i gëzuar që ndodhem në vendlindjen e Berishës”, u shpreh Thaçi.
Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare theksoi faktin se përmes këtij përurimi u faktua se mazhoranca qeverisëse i ka mbajtur dhe do të vazhdojë të mbajë premtimet.
“Këtu jemi për të inauguruar autostradën që nuk njeh kufij në Shqipëri dhe në botë. Ndaj dhe unë jam këtu për tu zotuar së bashku me kryeministrin Hashim Thaçi se do të bëjmë gjithçka që këto ndërtesa t’i shndërrojmë në virtuale, në simbolike. Do të bëjmë gjithçka që projektin e madh të grave dhe burrave shqiptarë që u mblodhën në Prizren, në Pejë, në Gjakovë, në Prishtinë, në Shkup e Mitrovicë, do të bëjmë gjithçka që ëndrrën e luftëtarëve të Drenicës dhe mbarë Shqipërisë ta bëjmë realitet të prekshëm për ju, për fëmijët tuaj dhe brezat që vijnë. Kombi do të qëndrojë një dhe vetëm një”, vuri në dukje Berisha.
Për realizimin e këtij projekti është investuar mbi 9 milionë euro nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), 2.6 milionë euro nga Posta e Shqipërisë dhe rreth 2 milionë euro nga kompania “Kujtesa” në Kosovë, një premtim i mbajtur që i bëhet Shqipërisë 100 vjeçare në këtë përvjetor.
Për realizimin e këtij projekti është investuar mbi 9 milionë euro nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), 2.6 milionë euro nga Posta e Shqipërisë dhe rreth 2 milionë euro nga kompania “Kujtesa” në Kosovë, një premtim i mbajtur që i bëhet Shqipërisë 100 vjeçare në këtë përvjetor.