Kryeministrat që në kohë pushimesh punojnë
Për të dy kryeministrat, atë të Italisë Silvio Berlusconi dhe atë shqiptar Sali Berisha, pushimet e programuara në këtë sezon veror janë të shkurtra. Për kryeministrin e Shqipërisë Berisha, siç e deklaroi edhe ai vetë në mbledhjen e qeverisë, pushimet e pakta kanë mbaruar. Ndërsa kryeministri italian është shprehur me një batutë se “këtë vit nuk do të bëjë pushime, sepse tanimë nuk kam më para”. Të paktën kështu është shprehur në përfundim të fjalës së tij mbi krizën ekonomike duke theksuar se të shtunën do të niset për në Arkore (në afërsi të Milanos) ku do të punojë deri në 10 gusht për të fluturuar pastaj drejt Sardenjës për të festuar ditëlindjen e vajzës së tij Marina. Në vilën Çertoza – është shprehur Kavalieri me disa përfaqësues të djathtë do të qëndrojë deri në mesin e gushtit për t’u rikthyer në punë më datën 16 gusht. Por ndoshta nuk do të ndodhë pikërisht kështu dhe pushimet e kryeministrit italian mund të pësojnë ndryshime. Në fakt ka shumë mundësi që në datën 11 gusht të ketë një mbledhje të Këshillit të Ministrave të Italisë. Nga ana tjetër kryeministri Sali Berisha ka pritur në takim, ministrin e Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës Yang Jiechi. Një takim i rëndësishëm sigurisht, që përkonte me 40 vjetorin e pranimit të Republikës Popullore të Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria luajti një rol të rëndësishëm në këtë proces. Në këtë takim Kryeministri ka vlerësuar pranimin e Republikës Popullore të Kinës si një moment të rëndësishëm edhe për mbarë botën dhe se gjatë këtyre 40 viteve, Kina ka dëshmuar se ka qenë faktor paqeje, stabiliteti dhe zhvillimi në nivel botëror për të konstatuar më tej me kënaqësi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve në të gjitha sferat, si dhe faktin se këto marrëdhënie njohin rritje dhe konsolidim nga viti në vit. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen ekonomike që Kina i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të zhvillimit. Kryeministri Berisha, ka nënvizuar se zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Kinës e ka bërë atë jo vetëm një nga aktorët më kryesorë të ekonomisë botërore, por ka ndihmuar që të dalin nga varfëria qindra miliona njerëz në Kinë dhe në mbarë botën. Mes takimesh dhe mbledhjesh puna e kryeministrit shqiptar ka filluar edhe pse nuk ishte ndalur tërësisht. Pak më të vështirë mund ta ketë pasur kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi kur është shprehur se këtë vit do të pushojë vetëm pesë ditë. Vështirësia në fakt vjen sepse në shtetin fqinj të Italisë ka një kulturë tashmë të konsoliduar për pushimet. Vetë italianët pohojnë se kanë eksportuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe në vende të tjera kulturën e pontes (urës). Mjafton të kujtojmë se pushimet dimërore tashmë prej shumë vitesh zgjaten dhe stërzgjaten. Një rast tipik është ai i asamblesë rajonale siciliane të vitit 2001 që zgjati plot shtatë javë. Një “urë” që bashkonte Krishtlindjet me vitin e Ri, këtë të fundit me javën e bardhë dhe javën e bardhë me Karnavalet. Pra pushime 52 ditore. Por nëse ky ishte rekordi shumë të tjerë kanë dashur ta arrijnë atë. Parlamenti rajonal i Abrucos që vitn e kaluar që pasi ishte mbledhur më 9 mars vendosi të fiksonte mbledhjen e ardhshme më 20 prill, pra pas 42 ditë pushimesh. Por shembujt janë të shumtë. Ja si informon agjencia “ansa” e 29 korrikut të vitit 2007: “Punimet e asamblesë pas pushimeve do të fillojnë më 14 shtator, ndërsa më 7 shtator do të rikthehen komisionet parlamentare. Këtë ka deklaruar konferenca e kryetarëve të grupeve të Monteçitorios”. Pra 46 ditë të plota. Gjithsesi kryeministri italian nuk ka folur vetëm për pushimet e tij të pakta. Ka dhënë si gjithmonë entuziazmin e tij për ekonominë italiane duke nënvizuar “se ndodhemi përpara një krize që ka përfshirë tërë planetin”. Zërat kundër si gjithmonë nuk kanë munguar. Dikush ka përgëzuar kryeministrin italian kur ka folur që të gjithë bashkë duhet të punojnë për mos t’u prekur nga kriza ndërsa për disa të tjerë fjala e kryeministrit ka qenë me një ton jo shumë bindës dhe Berlusconi ka dashur të flakte tutje fantazmën e një qeverie “teknike”. Nga ana e tij Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Silvio Berlusconi ka ritheksuar vullnetin që qeveria aktuale e Italisë do të mbërrijë deri në fund të mandatit në vitin 2013. Më tej ka numëruar edhe pikët e forta të ekonomisë italiane, si pasuria e familjeve, soliditetin e bankave, aprovimin e manovrës së financave publike nga ana e Europës dhe kapacitetin eksportues të firmave italiane. Ndërsa për tregjet financiare ka kritikuar nervozizmin e tyre, duke nënvizuar se në këtë situatë edhe Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë pasur probleme. Ndërkaq është pritur shumë mirë vendimi për investimin që kap shifrën e 7 miliardë eurove për infrastrukturën e Italisë së jugut që do të japë një impuls më të madh ekonomisë italiane. Mes krizës planetare, mes pushimeve të pakta, me një opozitë, nga të dyja anët e Adriatikut, aspak bashkëpunuese, me një qeveri që do të vazhdojë mandatin e saj deri në vitin 2013, duket se dy shtetet, dy kryeministrat, ai shqiptar Berisha dhe ai italian Berlusconi kanë shumë gjëra të përbashkëta.
...