E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Ne Shqiperi vazhdon rritja ekonomike dhe rritja e rrogave e pensioneve

Kryeministri inspektoi sot, ecurinë e punimeve në rrugën Librazhd-Fushë Studen dhe Librazhd-Steblevë, me gjatësi 41 kilometra dhe investim me vlerë 2.8 miliardë lekë.

Kjo rrugë lidh Librazhdin me Ostrenin dhe është pjesë e unazës verilindore të vendit. Aktualisht po punohet në dy segmente, përkatësisht me gjatësi 10.5 kilometra dhe 30.5 kilometra.

Pasi u informua nga zbatuesit e projektit për fazat e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se së shpejti do të nisë edhe ndërtimi i segmentit Ostren - Ura e Cerenecit, me gjatësi 17 kilometra, i cili përmbyll unazën verilindore që nis në Valbonë e përfundon në Librazhd.

Në një prononcim për mediat, Kryeministri Berisha tha se kjo rrugë është shumë e rëndësishme për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e saj të mëdha ekonomike, së pari turistike, por edhe potenciale të tjera minerare, bujqësore dhe të shumëllojta të kësaj zone.

“Rruga që ndërtojmë - u shpreh Kryeministri - është një nga segmentet më kryesorë të unazës verilindore që nis në Valbonë e përfundon në Librazhd, për të vazhduar më tej me unazën Juglindore që fillon në Librazhd, Pogradec, Korçë, Ersekë, Leskovik, Përmet, Kardhiq, Delvinë. Siç e shihni, ne po vazhdojmë me intensitet më të madh se kurrë ndërtimin e një infrastrukture moderne, të denjë për Shqipërinë vend i zhvilluar. Rrugët e të gjithë këtyre zonave dhe në tërësi rrugët e Shqipërisë kanë qenë në të vërtetë rrugë të mundimshme. Ne po i kthejmë ato në rrugë moderne, të cilat krijojnë korridore të reja energjish të fuqishme të tregut, por i bëjnë shqiptarët krenarë me çdo metër katror të këtij vendi, i bëjnë shqiptarët të njohin potencialet e jashtëzakonshme të vendit të tyre dhe ta duan atë shumë më tepër”, tha ai.

Duke shtuar se Kjo është alternativa jonë.

“Alternativa jonë është që aty ku ju jetoni, në Stëblevë, në Valbonë, në Kala të Dodës e kudo të ndërtojmë një infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve. Të keni shkolla moderne. Sot në shkollat tuaja, këtu dhe në mbarë Shqipërinë, fëmijët lundrojnë në internet njëlloj si fëmijët e vendeve më të zhvilluara të Europës. Të keni rrugë të standardeve më të mira, kanalizime, ujësjellës. Pra të keni infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve.

Perspektiva e dytë e madhe për ju dhe mbarë Shqipërinë është turizmi malor. Asnjë nga ne që jemi këtu nuk mund të imagjinonte në vitin 2004 apo 2005 se në një hark kohor pesë vjeçar numri i turistëve në këtë vend do të rritej nga 300 mijë në 3.5 milionë. Ju garantoj se me ndërtimin e kësaj infrastrukture, në një hark kohor po kaq të shkurtër, miliona e miliona turistë nga rajoni dhe mbarë bota do të vërshojnë drejt zonave turistike malore të mrekullueshme të Librazhdit, Peshkopisë, Kukësit, Përmetit, Gjirokastrës dhe mbarë Shqipërisë.

Alternativa jonë ka vetëm një synim: mëkëmbjen tuaj. Ne bëjmë dhe do të bëjmë gjithçka që ju me mundin, djersën, mundin tuaj të begatoni familjet tuaja. Rrugën prapë nuk e kemi të lehtë, por e kemi njëzet herë më të lehtë se atë që kishim njëzet vjet më parë. Sot ne jemi një vend anëtar i NATO-s. Sot, ju qytetarët e Stëblevës dhe të mbarë Shqipërisë lëvizni të lirë në mbarë Europën. Ekonomia e vendit është një ekonomi solide, një ekonomi që i reziston krizës, ndërkohë që vende të tjera përjetojnë probleme dhe pasoja nga më dramatiket e krizës së borxheve. Në Shqipëri vazhdon rritja ekonomike. Në Shqipëri vazhdon rritja e rrogave, vazhdon rritja e pensioneve. Ju garantoj se çdo vit do të vazhdojmë t’i rrisim ato. Do të jetë shumë e afërt dita kur ju, gratë dhe burrat e Stëblevës, të keni pensione të njëjta me të qytetit. Çdo javë, çdo muaj, çdo vit ne ndryshojmë këtë vend. Në një hark kohor pesë vjeçar ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi nëntëmijë kilometra rrugë”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›