E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha : Në katër vite që vijnë do të shndërrojmë në vlera për qytetarët e Matit dhe mbarë Shqipërisë pasuritë përrallore të këtij vendi

Kryeministri Berisha ka vijuar sot turin e tij elektoral në qytetin e Burrelit, ku shprehur mbështetjen e tij për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, zotin Skënder Lleshi.  Duke vlerësuar kandidaturën e zotit Lleshi, Kryeministri Berisha  tha para banorëve të qytetit të Burrelit se vlerësoj kandidatin Lleshi  njërin nga qeveritarët vendorë më të suksesshëm, njërin nga personalitetet  më të vendosura më kompetente të qeverisë vendore të Partisë Demokratike. 

Kryeministri përshëndeti dhe shprehu nderimin e tij për të gjithë burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat matjane, për mbështetjen e jashtëzakonshme që ata i kanë dhënë dhe i japin Partisë Demokratike që nga themelimi i saj.

Kryeministri Berisha premtoi para qytetarëve të Burrelit  se me Skënder Lleshin qeveria e tij do të punojë dhe do të realizojë të gjitha projektet për ta bërë Matin një zonë të zhvilluar. 

Gjatë fjalës  së tij kryeministri Berisha garantoi  se katër vitet që vijnë qeveria do të asfaltojë çdo rrugë të Matit, nga qendra e Burrelit në kufi  me Mirditën, me Tiranën, me Krujën.  “Katër vitet që vijnë do të asfaltohen rrugët e mëdha Rrëshen –Klos,  Urakë-Klos, do të asfaltohet rruga Selishtë-Macukull-Muhërr,  do të asfaltohet rruga Komsije- Qafë-Shtamë, do të hapet tuneli i Qafës së Murrizit dhe do të finalizohet rruga e Arbërit. Katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë ujësjellsat dhe kanalizimet për 24 orë ujë  në çdo fshat, në çdo lagje të këtij vendi. Do të ndërtojmë gjimnazin tjetër në Burrel dhe do të ndërtojmë shkolla të reja, kopshte të reja në mbarë vendin. Katër vitet që vijnë do të vendosim në Mat sistemim  më modern të vaditjes dhe do të subvencionojmë mijëra hektarët  tokë dru frutorë dhe sera”,  përfundoi kryeministri.

Gjatë  fjalës së tij kryeministri tha:

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Burrelit

Matjanë dhe matjane

Zotërinj deputete, qeveritarë vendorë

Lartësia  Juaj mbretërore

I dashur zoti Skënder Lleshi, kryetari aktual dhe kryetari i ardhshëm i bashkisë së Burrelit

Së pari, ju përshëndes vëllazërisht dhe me nderimin më të madh, me mirënjohjen më të thellë përulem  para jush, matjaneve dhe matjanëve, burrave edhe grave , djemve dhe vajzave të këtij rrethi, për, mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike , qeverisë së mazhorancës, reformave të saj.

Unë vij sot tek ju për të paraqitur kandidat për kryetar të Bashkisë suaj, kryetarin aktual të Bashkisë zotin Skënder  Lleshi.  Njëri nga qeveritarët vendorë më të suksesshëm, njërin nga personalitetet  më të vendosura më kompetente të qeverisë vendore të Partisë Demokratike.

Skënder Lleshi, është intelektuali, është matjani , është familjari, është qytetari i përkushtuar, siç ishte dje ndaj fëmijëve tuaj, sot ndaj qytetit tuaj, ndaj qytetarëve të këtij qyteti.

Unë jam sot këtu, për tu garantuar ju qytetarëve dhe qytetareve të Burrelit, por dhe të gjithë rrethit të Matit, se me Skënder Lleshin dhe qytetarët e parë të tjerë të Bashkive dhe Komunave të këtij rrethi, do të shndërrojmë Matin në katër vjet, në  Matin e zhvilluar, në Burrelin e zhvilluar dhe se qeveria do të financojë çdo projekt, me të cilin ju dhe qytetarët tuaj të parë mendoni dhe besoni, se do të mund të ndryshoni për mirë jetën tuja. 
Gjatë katër viteve që shkuan ne kemi investuar në këtë rreth në rrugë, ujësjellësa,  shkollat, kanalizimet, kanalet e vaditjes, kopshtet dhe në të gjitha aspektet shumë herë më shumë se tetë vitet e tjera  të marra sëbashku.

Po ju garantoj  se katër vitet që vijnë ne do të asfaltojmë çdo rrugë të Matit, nga qendra e Burrelit në kufi  me Mirditën, me Tiranën, me Krujën.  Katër vitet që vijnë do të asfaltohen rrugët e mëdha Rrëshen –Klos,  Urakë-Klos, do të asfaltohet rruga Selishtë-Macukull-Muhërr,  do të asfaltohet rruga Komsije- Qafë-Shtamë, do të hapet tuneli i Qafës së Murrizit dhe do të finalizohet rruga e Arbërit.

Katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë ujësjellsat dhe kanalizimet për 24 orë ujë  në çdo fshat, në çdo lagje të këtij vendi. Do të ndërtojmë gjimnazin tjetër në Burrel dhe do të ndërtojmë shkolla të reja, kopshte të reja në mbarë vendin. Katër vitet që vijnë do të vendosim në Mat sistemim  më modern të vaditjes dhe do të subvencionojmë mijëra hektarët  tokë dru frutorë dhe sera.

Katër vitet që vijnë ne do të shpalosim para jush dhe do të kthejmë në vlera për ju pasuritë e mëdha të këtij rrethi, potencialet e tij të madh minerar, potencialin e tij të madh turistik, potencialin e tij të madh ujor, dhjetëra hidrocentrale   do të ndërtohen në ujërat e rrethit tuaj.

Vëllezër dhe motra

Matjanët, shqiptarët, janë këtu që në kohërat më të hershme gjer  më  sot.  Nga  identiteti  ne jemi Europian, por kohërat pushtimet, copëtimet na  lanë shekujt larg Europës.  Këto 20 vjet në liri ne njerëzit e lirë të Matit dhe Shqipërisë  po ndërtojmë çdo ditë, çdo muaj, çdo vit me mundin, djersën, përkushtimin tonë, Europën që meritojmë.

Europa na mungonte ne dhe prapë na mungon, sepse ne duhet të kemi rrugë, duhet të udhëtojmë në vendin tonë në fshatra dhe qytetet  tona njëlloj si qytetarët  Europianë.  Ne kemi asfaltuar në Mat dhe në mbarë Shqipërinë 8 mijë kilometra rrugë në pesë vjet, në katër vitet  që vijnë në Mat dhe mbarë Shqipërinë, do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë.  Në vitet që vijnë matjanët, tropojanit, sarandjotët, kolonjarët dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi, do të arrijnë në kryeqytetin  tyre në rrugë Europiane në një kohë më te shkurtër, sesa gjysma e kohës që harxhojnë sot.

Ne jemi Europë, por Europa na mungon ne, gjersa çdo banor, çdo shtëpi, çdo familje të ketë ujë të pijshme të rrjedhshëm.
Këto pesë vite ne sëbashku ia dolëm të ofrojmë ujë të rrjedhshëm përmbi  95% të  popullsisë shqiptare të familjeve shqiptare.  Në katër vitet që vijnë do të ketë ujë 24 orë për të gjithë shqiptarët.  Ne jemi Europiane që në kohërat më të hershme, por Europa na mungonte ne, sepse ne u rropatëm në varfërinë më ekstreme. Por në rrugën tonë të lirisë këto pesë vite ne jemi  i vetmi vend,  që kemi dyfishuar rrogat , vendi i vetëm që kryeson rritjen ekonomike në Europë dhe më gjerë.  Ne me mundin djersën përkushtimin tonë do të shndërrojmë  në vlera për qytetarët e Matit dhe mbarë Shqipërisë pasuritë përrallore të këtij vendi.

Ne jemi Europian  ndër më të vjetrit, por Europa na mungonte ne, sepse të pakët shumë të pakët, ishin ata që vinin nga Europa në Shqipëri. Shqipëria nuk ekzistonte në hartën e turizmit Europian dhe botërorë , këtë vit Mati dhe Shqipëria u shpall e Bukura e Dheut, destinacioni turistik kryesor i planetit.

Ne jemi Europë, por të mos harrojmë se jemi ndër të fundit që patëm alfabetin tonë, kurse sot në shkollat tona, në gjimnaze ulen 91 % e të gjithë nxënësve që mbarojnë klasat e nënta, ulen 70% e maturantëve në auditorët e universiteteve tona.  Në çdo shkollë ne kemi internet  në përqindjen më të lartë se në vendet e zhvilluar.  Ne jemi Europë, por prapë  kemi rrugë për të bërë për të realizuar plotësisht ëndrrën tonë Europiane.
Sot ne jemi më Europian se kurrë, sepse lëvizim të lirë në mbarë Europën pa viza. Sot Shqipëria është një nga vendet me klimën më të mirë të biznesit në Europë.  Sot Shqipëria  është një nga vendet që  vrapon drejt të ardhmes së saj.

Kjo është pra rruga jonë, ky është projekti ynë, kjo është alternativa e qytetarit e bazuar në mundin, në djersën, në përkushtimin, në sakrificën tuaj, besimin që ju keni tek reformat tona për transformimin e këtij vendi. Rruga  tjetër e nxjerrë nga veprat e Enver Hoxhës, si e vetmja rrugë, është rruga e sharjeve, e shpifjeve, e trillimeve dhe ne le ti lëmë, të vendosim sot shpifjet, trillimet, sharjet, ti lëmë në rrugën e vetmisë.

Të bashkohemi sot të gjithë qytetarët dhe qytetare e  Burrelit, pavarësisht nga bindjeve tona, në alternativën e  qytetarit.  Në shtëpinë tonë ka vend për çdo matjan e matjeve, ka vend për çdo shqiptarë e shqiptare.

Ndaj dhe votoni Skënder Lleshin, votoni kandidatët e alternativës për qytetarin. Në katër vitet që vijnë ne do të lartësojmë Matin, ne do të lartësojmë Shqipërinë, ne do të ndërtojmë Matin ne do të ndërtojmë Shqipërinë, në përputhje me ëndrrat tonë, ëndrrat e burrave të mëdhenj të  këtij kombi të Ismail Qemalit dhe Ahmet Zogut, ëndrrat e fëmijëve tanë.

Rrofshi ju.

Rroftë Mati.

Rroftë Shqipëria.

Fitore.


02/05/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›