Kryeministri Berisha: Saranda, kurora e bukurive natyrore. Katër vitet e ardhshme, shumëfishojmë investimet
Në këto vite, në Sarandë është njëzetfishuar turizmi; janë shumëfishuar bizneset;
janë investuar në infrastrukturën e qytetit 70 milion euro;
në rrugë kombëtare në këtë rreth janë 170 milion euro;
do të përfundojnë rrugët Qafë Botë-Sarandë, Kardhiq-Delvinë-Sarandë, Sarandë-Butrint, Metoq-Çukë-Xarë.
Katër vitet që vijnë, Shqipëria do të eci 16 herë më shpejt, se kjatër vitet që shkuan.
Shqipëria është për t’u zbuluar. Pasuritë e saj janë të pafundme. Këto pasuri, ne po i shndërrojmë çdo ditë në vlera për qytetarët shqiptarë.
Sharjet, shpifjet, trillimet nuk i përgjigjen as moralit, as interesave, as projekteve të qytetarëve të Sarandës dhe të mbarë Shqipërisë.
Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mesditë, një takim me qytetarë të Sarandës, ku paraqiti alternativën e “Aleancës për qytetarin” dhe kandidatin e saj për kryetar bashkie të këtij qyteti, Edmond Gjoka.
Kryeministri tha se Saranda është në prioritet e zhvillimit të vendit, si një “kusht kryesor për Shqipërinë, një vend i zhvilluar” dhe katër vitet që vijnë, në Sarandë do të shumëfishohen investimet. Krahas projekteve në infrastrukturën rrugore si përfundimi i rrugës Qafë Botë-Sarandë, Kardhiq-Delvinë-Sarandë, Sarandë-Butrint, Metoq-Çukë-Xarë, vëmendje të veçantë do të vazhdojë të ketë zhvillimi i potencialeve të jashtëzakonshme turistike që ka ky qytet. “Këto vite, - tha Kryeministri - në Sarandë është njëzetfishuar turizmi, është shumëfishuar biznesi”.
Kryeministri premtoi se do të marrë gjithashtu zgjidhje problemi i trojeve në Sarandë. “Me Edmond Gjokën, brenda vitit të parë, ne do t’i japim përgjigje përfundimtare problemit të trojeve në Sarandë dhe me zotin Vesel, të trojeve në Ksamil. Ju garantoj se kurrë ndonjëherë nuk harroj premtimet e mia. Ju siguroj se qëndroj fuqishëm prapa tyre”, tha Kryeministri.
Edhe nga Saranda, Kryeministri përsëriti sërish thirrjen e tij drejtura fermerëve shqiptarë të marrin zotimin “ta shndërrojmë Sarandën dhe Shqipërinë në kopshtin më të bukur të Europës, të guxojmë të imagjinojmë të njëqinfishojmë rrënjët e drurëve frutorë.”
Më gjerë, në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, ju përshëndes përzemërsisht, shpreh kënaqësinë time të madhe që ndodhem sot, mes jush, për të paraqitur kandidat për kryetar të ardhshëm të bashkisë Sarandë, zotin Edmond Gjoka. Shpreh kënaqësi të veçantë se paraqes sot, këtu, zotin Edmond Gjoka, në një ditë të shënuar për ju e mbarë Shqipërinë, ditën e çeljes së sezonit turistik. Vij këtu për t’ju garantuar se zotin Edmond Gjokën do ta mbështesim me të gjithë potencialin e qeverisë shqiptare, për Sarandën, qytet të zhvilluar, si kusht kryesor për Shqipërinë, vend të zhvilluar.
Zonja e zotërinj
Edmond Gjoka është njeriu i transformimeve të mëdha të këtij qyteti. Në qeverisjen e tij, Edmond Gjoka, sëbashku me ju, bëri që Saranda të ngjitet në krye të kurorës turistike të vendit. Në qoftë se në Shqipëri turistët u dhjetëfishuan në këto 5 vite, në Sarandë u njëzetfishuan. Edmond Gjoka është njeriu që i dha Sarandës universitetin e merituar, njeriu që me përkushtimin më të madh, sëbashku me ju, çdo muaj, çdo javë, çdo vit po modernizon qytetin tuaj. Ju garantoj se votën tuaj për zotin Edmond Gjoka do ta shndërrojmë në sukses të vërtetë për secilin prej jush, për Sarandën, perlën e bukurive natyrore botërore.
Këto vite të qeverisjes së zotit Gjoka në infrastrukturën e këtij qyteti janë investuar 70 milion euro. Këto vite, në Sarandë është njëzetfishuar turizmi, është shumëfishuar biznesi. Këto vite, në rrethin tuaj, vetëm në rrugë kombëtare është investuar 170 milion euro. Saranda, nga Qafë Bota, në Himarë, Delvinë, Kardhiq, në të katër anët, do të ketë së shpejti infrastrukturën rrugore më moderne. Janë ndërtuar rrugët Vlorë-Sarandë, do përfundojë rruga Qafë Botë-Sarandë, Kardhiq-Delvinë-Sarandë, Sarandë-Butrint, Metoq-Çukë-Xarë dhe ju garantoj se në katër vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë e rrugicë. Është investuar në dhjetëra shkolla, dhjetëra ujësjellës e kanalizime. Katër vitet që vijnë, në Sarandë e fshatrat e saj do të garantojmë ujin 24 orë, do të përfundojmë kanalizimet, do rindërtojmë çdo shkollë e kopsht. Me Edmond Gjokën, brenda vitit të parë, ne do t’i japim përgjigje përfundimtare problemit të trojeve në Sarandë dhe me zotin Vesel, të trojeve në Ksamil. Ju garantoj se kurrë ndonjëherë nuk harroj premtimet e mia. Ju siguroj se qëndroj fuqishëm prapa tyre.
Zonja e zotërinj,
Ne mblidhemi sot, në këtë shesh, pas një rrugë të lodhshme, me mundime, djersë, përkushtim e punë, por mblidhemi sot, pasi këto pak vite kemi ndërtuar këtu, në Sarandë, më shumë se në të gjitha kohërat të marra sëbashku. Mblidhemi në këtë shesh, pasi Sarandën, pasuritë e saj arkeologjike dhe historike i kemi bërë të famshme në mbarë botën. Ne mblidhemi në këtë shesh, pasi Sarandën, me potencialin e saj turistik, e kemi bërë të bukurën e dheut, destinacionin kryesor turistik të këtij viti. Mblidhemi sot, në këtë shesh, pasi Sarandën dhe Shqipërinë e kemi shndërruar në vendin me rritjen ekonomike kryesore në Europë. Ne mblidhemi sot, në këtë shesh, pasi sëbashku lëvizim të lirë, në mbarë Europën.
Kurrë ndonjëherë herë, ndonjë gjeneratë e këtij kombi nuk ka arritur në një kohë kaq të shkurtër, kurrë ndonjëherë, ndonjë komb tjetër nuk ka realizuar në një kohë kaq të shkurtër atë që kemi realizuar ne, burrat e gratë e Shqipërisë, djemtë e vajzat e saj, në rrugën e lirisë dhe shfrytëzimit të pasurive të saj.
Sërish, ne kemi rrugë për të bërë. Por ne jemi sot, më shumë se kurrë, njerëzit e suksesit, jemi sot, më të bindur se kurrë në sukseset që na presin, jemi sot, më të vendosur se kurrë të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë.
Zonja e zotërinj,
kjo është alternativa jonë, alternativa e shndërrimit në realitet të ëndrrave tona më të bukura, alternativa e mundit, djersës dhe përkushtimit. Krahas kësaj, është një alternativë tjetër, alternativa e rrugës së vetme. E dëgjuat edhe këtu, në Sarandë, dëgjojeni në çdo shesh. Alternativë e mbushur me sharje, shpifje dhe trillime. Para jush do t’i përgjigjem zotit Rama se nuk kam ndërmend të harxhoj qoftë edhe tre sekonda me fjalorin tënd, as me deklaratat e tua. Jo se unë nuk respektoj kundërshtarin, jo se unë injoroj kundërshtarin, por, sepse sharjet, shpifjet, trillimet nuk sjellin turistë, sepse sharjet, shpifjet, trillimet nuk rrisin rrogat, nuk rrisin pensionet, nuk ndërtojnë ujësjellës e kanalizime, shkolla e kopshte, nuk ndërtojnë vendin. Ato nuk i përgjigjen as moralit, as interesave, as projekteve të qytetarëve të Sarandës, as qytetarëve të mbarë Shqipërisë. Ndaj unë ju ftoj të vazhdojmë me alternativën për qytetarin. Ju garantoj se interesat tuaja, vizioni, përkushtimi, mundi e djersa juaj janë dhe do mbeten epiqendër e kësaj alternative. Katër vitet që vijnë, në Sarandë do të shumëfishojmë investimet. Katër vitet që vijnë, Shqipëria do të eci 16 herë më shpejt, se kjatër vitet që shkuan.
Zonja dhe zotërinj,
Vëllezër e motra,
kur kaloj nga një rreth në një rreth tjetër, më duket se e vizitoj për herë të parë në jetën timë, sepse sa herë që i vizitoj më duken të bukura, më duken me potencialet më të mëdha. E vërteta është se e tillë është Shqipëria. Shqipëria është për t’u zbuluar. Pasuritë e saj janë të pafundme. Me këto pasuri, Shqipëria nuk po ecën, por po vrapon, siç thotë edhe Komisioni Europian për ekonominë shqiptare. Këto pasuri, ne po i shndërrojmë çdo ditë në vlera për qytetarët shqiptarë. Vetëm turizmi i njëzetfishuar do të thotë shumëfishim i tregut dhe fuqisë blerëse, do të thotë shumëfishim punësimi, do të thotë dhjetërafishim i fisnikërisë, bujarisë, shpirtit tuaj të mrekullueshëm në Europë e në mbarë botën. Pasuritë e vendit janë të pafundme, nëntokësore e mbitokësore, në pyje, në ujëra, fushat e malet e tij. Vendi po vrapon drejt nivelit të vendeve të zhvilluara. 2017 - Saranda, qytet i zhvilluar, Shqipëria, vend i zhvilluar.
Ne patëm forcën e guximin ta anëtarësonim Shqipërinë në NATO. Ne patëm forcën e guximin të arrijmë heqjen e vizave për shqiptarët. Ne patëm forcën e guximin të ndërtojmë në pesë vite, 8 mijë kilometra rrugë në mbarë vendin e rreth 200 kilometra në rrethin tuaj. Ne patëm forcën e guximin të dyshojmë pensionet, të dyfishojmë rrogat. Ne patëm forcën e guximin të dhjetëfishojmë apo njëzetfishojmë turistët.
Kurrë ndonjëherë, vendi nuk ka ndryshuar me shpejtësinë më të madhe. Por ne, qytetaret e qytetarët e Sarandës e të mbarë Shqipërisë, duhet të kemi forcën dhe guximin të marrim zotimin para vetes, fëmijëve tanë, të Sarandës e Shqipërisë, ta shndërrojmë Sarandën, ta shndërrojmë Shqipërinë në kopshtin më të bukur të Europës, të mbjellim në çdo metër katror të këtij vendi, të kësaj toke të bekuar, drutë tona frutore, që japin frutet më të shijshme në Europë, të guxojmë të imagjinojmë të njëqinfishojmë rrënjët e drurëve frutorë. Ju jap fjalën se qeveria do të financojë cdo rrënjë dru frutor që do të mbillni. Saranda dhe Shqipëria do të bëhet qind herë më e bukur në pranverën e saj.
Qytetare e qytetarë të Sarandës,
Do ta mbyll fjalën tim me thirrjen më miqësore. Në 8 maj votoni Edmond Gjokën, votoni kryetarët tanë të komunave nga Konispoli gjer në Nivicë. Ju garantoj se çdo projekt të tyre do ta shndërrojmë në realitet, çdo projekt të tyre që do të bëjë që të jeta juaj të jetë gjithnjë e më mirë. Për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, komuniteti tuaj është i pari, Saranda është e para, Shqipëria është e para. Rroftë Saranda, bukuria e dheut! Rroftë Shqipëria, e bukura e dheut! Zoti ju bekoftë ju! Zoti bekoftë Shqipërinë!”
30/04/2011