Kryeministri Berisha: Vendosja e portabilitetit është një ngjarje e rëndësishme për telekomunikacionin, por edhe për zhvillimin e vendit
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e fillimit të zbatimit të portabilitetit të numrit të telefonit celularë. Ceremonia u zhvillua në zyrat e Infosoft në Tiranë, ku morën pjesë Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit z. Genc Pollo, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) Pirro Xhixho dhe Administratori i Infosoft zoti Grigor Joti.
Portabiliteti i numrit personal të celularit, do të thotë që një klient i një operatori celular, nëse i pëlqen shërbimi i një operatori tjetër, mund të ndërrojë operatorin duke ruajtur numrin e tij.
Kryeministri Berisha e ka vlerësuar si një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për telekomunikacionin në veçanti, por edhe për tërë zhvillimin e vendit arritjen e vendosjes së portabilitetit.
Në përshëndetjen e tij kryeministri tha:
I nderuar zoti Xhixho
I nderuar zoto president i Infosoftit
Përfaqësues të Telekomit e kompanive private
Zonja dhe zotërinj
Është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për telekomunikacionin në veçanti, por edhe për tërë zhvillimin e vendit arritja e vendosjes së portabilitetit . Ky moment shënon shkëputjen përfundimtare të pronësisë së numrit nga operatori dhe kalimin e tij në pronësi të individit. Që nga ky moment telekomunikacioni në Shqipëri fillimisht në fushën celulare dhe më pas në të gjithë spektrin e tij, do të njohë dimensione, të cilat ne që jemi këtu e kemi të vështirë ti parashikojmë. Do të njohë zhvillime shumë më të mëdha, do të ndezë atë mekanizëm, i cili është faktuar si magjia e të gjitha magjive, konkurrenca, gara.
Në këtë rast unë dua të përgëzoj ministrin Pollo, dua të përgëzoj zotin Pirro kryetarin e AKEP-it , anëtarët e bordit, punonjësit, por dua të përgëzoj edhe kompaninë Infosoft dhe partnerin tij. Për përgjegjësinë e madhe me të cilën trajtuan këtë problem dhe i dhanë në kohën më të shkurtër përgjigjen më të mirë.
Sot, Shqipëria renditet rreth 20 % mbi mesataren Europiane për sa i përket telefonisë celulare, portabiliteti do të jetë në vetvete një moment i fuqishëm dhe rregullator i tregut, kompanitë celulare kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e këtij vendi, ato kanë mirënjohjen dhe vlerësimin tonë më të thellë. Kompanitë e telekomunikacionit u shndërruan në faktorët më kryesorë të një kapërcimi që Shqipëria bëri, nga nivelet më të ulta të përdorimit të internetit që ajo kishte në fillim të vitit 2006 në 4.8% në rreth 50 %, që është këtë vit dhe me një rendje të pa përmbajtur mbi mesataren Europiane. Ndaj dhe unë do tu shpreh atyre vlerësimin dhe konsideratën time më të lartë.
Natyrisht dëshiroj dhe uroj që në bashkëpunim me AKEP-in, të gjejmë normat e pranueshme të tregut të tarifave që u caktojnë shërbimin e tyre qytetarëve shqiptarë . Në mënyrë absolute e pranojmë dhe le të themi këtu publikisht se ato le të jenë edhe më të larta sesa të rajonit, për arsye se Shqipëria ka një dinamizëm të madh zhvillimi dhe rritje ekonomike, por ato duhet të jene brenda rregullave, sepse të gjitha tregjet e botës disa shërbime i janë lënë tregut, por me një rregullator. Shikoni se çfarë ndodhi me mos respektimin e rregullatorit me financat, i shndërroi ato në piramida, shndërroi bankat më serioze të botës në piramidat më të shëmtuara të tipit shqiptarë. Kjo është e vërteta jo se nuk kishte rregulla, jo se nuk kishte borde rregullator, por problemi është se bankat nuk iu përgjigjën përcaktimeve te supervizorëve dhe ku përfunduan? Përfunduan në një falimentim të pa parë ndonjëherë në atë sektor, për shkak të prishjes së rregullave. Nuk është ky rasti, këtu me kompanitë e telekomunikacionit , por kërkoj mirëkuptimin e tyre përcaktimin e rregullave që përcakton AKEP-i, është një kusht pasi AKEP-i përcakton ato mbi bazën e parimeve të shëndosha, jo shqiptare ndërkombëtare të tregut.
Sot, është rasti të falënderoj këto kompani për kontributin e shkëlqyer, jashtëzakonisht të rëndësishëm që kanë dhënë në zhvillimin e këtij vendi, është rasti të falënderoj edhe Infosoftin dhe kompaninë rumune për , veprimin e shpejtë që ndërmorën për ta shndërruar në realitete këtë projekt, i bëj thirrje të gjitha kompanive të Hi Tech-ut shqiptarë le të guxojnë, sepse koha është para tyre, në kuptimin që tregu po rritet me shpejtësi të madhe dhe këto duhet të jenë në lartësinë, në nivelet në të cilat ka kapur tregu , po ecin me shpejtësi. Fakti se ky proces realizohet nga një kompani shqiptare, e cila është nga më të mëdhatë në Shqipëri është jashtëzakonisht pozitive.
Unë garantoj se qeveria e ka në epiqendër këtë zhvillim, ne nuk kemi një sektor ku të kemi përqendruar kaq shumë forca të kualifikuar dhe përpjekje sa në sektorin telekomunikacionit, e sektorit të moshës dixhitale dhe efektet janë jashtëzakonisht të jashtëzakonshme.
Por ka një gjë, se komunikimi është bërë sot një e drejtë themelore e njeriu, ju garantoj se në këto zgjedhje mesa po duket do të jenë dhe faktor kryesor i rezultatit.
Ndaj dhe njëherë ju përshëndes dhe ju përgëzoj se keni bërë një punë të shkëlqyer dhe jam jashtëzakonisht i gëzuar që e arritëm këtë.
02/05/2011