E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Katër vitet e ardhshme do të pesëfishojmë investimet në bashkinë e Mamurrasit

Ne jemi të vetëdijshëm se sot janë jo të paktë shqiptarët që vuajnë nga papunësia, por theksoj këtu se Shqipëria është nga më të paktat vende në Europë e në botë, që, sipas BE, nuk pati rritje, por ulje të papunësisë.

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarë të Mamurrasit, para të cilëve shprehu mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar të bashkisë, zotin Ilir Pjetri.   

Duke vlerësuar zotin Ilir Pjetri për përkushtimin dhe dashurinë për qytetin tij,  Kryeministri garantoi qytetarët e Mamurrasit se në katër vitet që vijnë do të pesëfishohen investimet në bashkinë e Mamurrasit. “Vitet që shkuan, - tha Kryeministri - ne kemi investuar apo janë në investim e sipër rreth 900 milion lekë në rrugë, shkolla, ujësjellës-kanalizime, pemëtari. Erdha këtu për t’u zotuar se katër vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo rrugë e rrugicë të këtij qyteti e fshatrave të tij, do të garantojmë ujë 24 orë.”

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dua t’ju përshëndes vëllazërisht dhe me shumë mirënjohje për ndihmën mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë Partisë Demokratike nga dita e themelimit të saj gjer më sot. Së dyti, të shpreh kënaqësinë time që paraqes sot kandidat për qytetar tuaj të parë, për kryetar të bashkisë, zotin Ilir Pjetri dhe vij këtu për t’u dhënë juve fjalën se me zotin Ilir Pjetri, katër vitet që vijnë do të pesëfishojmë investimet në bashkinë e Mamurrasit. Vitet që shkuan, ne kemi investuar apo janë në investim e sipër rreth 900 milion lekë në rrugë, shkolla, ujësjellës-kanalizime, pemëtari. Erdha këtu për t’u zotuar se katër vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo rrugë e rrugicë të këtij qyteti e fshatrave të tij, do të garantojmë ujë 24 orë për Mamurrasin dhe të gjitha fshatrat, do të rindërtojmë gjimnazin dhe të gjitha shkollat e tjera të bashkisë, do të shndërrojmë Mamurrasin në një qendër të fuqishme industriale e turistike të Kurbinit dhe Shqipërisë.

Vëllezër e motra,

Kjo është alternative jonë, alternativa që bazohet në interesat, hallet, dertet, në vizionin dhe në projektet tuaja. Me këtë alternativë, ne duan të ndërtojmë Mamurrasin, Shqipërinë, siç e duan qytetarët dhe siç e ëndërrojnë ata. Kjo alternativë është alternativa e sakrificave, djersës, mundit, nderit, dinjitetit, përkushtimit dhe respektit ndaj vetes, njëri-tjetrit dhe vendit. Së bashku, ne ia dolëm që Shqipërinë, vendin më të izoluar të planetit ta shndërrojmë në anëtare të aleancës më të fuqishme të lirisë të të gjitha kohërave. Së bashku, ne ia dolëm që shqiptarët, qytetarët më të izoluara të planetit të lëvizin sot të lirë pa viza, në mbarë Europën. Sëbashku, ne ia dolëm që Shqipërinë, të harruar në hartën turistike të botës, ta shndërrojnë këtë vit në destinacionin turistik kryesor të planetit. Me mund, djersë e sakrifica, ne ia dolëm sëbashku që ekonominë shqiptare, dikur ekonomia më e falimentuar e Europës, ta nxjerrin në krye të rritjes ekonomike të Europës, të dyfishojmë pensionet e fshatit dhe pensionet e ulëta, të dyfishojmë rrogat e ulëta dhe ato mesatare. Këto janë rezultatet e alternativës sonë, e cila ka në epiqendër ju, fëmijët dhe familjet tuaja.

Duke renditur sukseset, ne nuk mohojmë, nuk injorojmë aspak problemet. Ne jemi të vetëdijshëm se sot janë jo të paktë shqiptarët që vuajnë nga papunësia, por theksoj këtu se Shqipëria është nga më të paktat vende në Europë e në botë, e cila, sipas Bashkimit Europian, nuk pati rritje, por ulje të papunësisë. Sërish në Shqipëri ka të varfër, por theksoj se kjo është varfëri në ulje, sepse në luftën kudër saj, ne dyfishuam pensionet e ulëta, në luftën kundër saj, ne dyfishuam rrogat e ulëta, në luftën kundër saj, ne dyfishuam ndihmën ekonomike. Ndaj edhe varfëria u ul nga 18 përqind që ishte në vitin 2005, në 12 përqind në vitin 2009. Në Shqipëri sërish ka qytetarë që marrin ushqimin me lista, por në vitin 2005 kishte 60 mijë familje shqiptare që merrnin ushqimin me listë, sot janë 15 mijë familje shqiptare që marrin ushqim me listë. Jam këtu, para jush, për t’u zotuar se në viti 2012 nuk do të ketë qytetarë shqiptarë në mjerim dhe varfëri ekstreme.

Vëllezër e motra,

Kjo është alternativa jonë, alternativë, në të cilën ne sëbashku, jo pa vuajtje e sakrifica, ia kemi dalë të shndërrojmë në realitet, si dritën e diellit, ëndrrat më të bukura të kombit tonë, ëndrrat më të bukura të qytetarëve shqiptarë, anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë pa viza, Shqipërinë turistike, dyfishimin e rrogave e pensioneve, rrugën e kombit, veprën më të madhe publike, në tërë historinë kombëtare.

Krahas kësaj rruge është edhe rruga e vetmisë, apo rruga e vetme. Çfarë ju ofroi ju, të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë, këto katër vite rruga e vetme  apo rruga e vetmisë. Përpjekje të turpshme dhe unike në botë për të bllokuar heqjen e vizave për shqiptarët. Lëvizja e lirë, pa viza ishte motoja dhe premtimi ynë, vizat në kuti ishte motoja e rrugës së vetmisë. Çfarë ju premtoi rruga e vetmisë këto 4 vite, përveç një lumi sharjesh, shpifjesh, fyerjesh e trillimesh, përpjekje të mëdha për të bllokuar anëtarësimin në NATO, ndërkohë që ne realizuam anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Çfarë ju premtoi rruga e vetmisë për rrogat e pensionet tuaja? Ajo e deklaroi rritjen e tyre si akt kriminal, kurse ne i dyfishuam dhe mbidyfishuam ato. Zoti Edi Rama kalon nga takimi në takim me sharje, fyerje, fjalë, të cilat që të gjitha i merr nga kazani i fjalorit shqiptar. Por do t’i them këtu, para jush, se në këtë fushatë nuk kam ndërmend të merrem aspak me fjalorin tënd, as me mëkatet e tua që nuk ka lumë që i lan, do të merrem vetem me hallet, dertet, projektet, përkushtimin, vizionin tuaj. Për mua ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Mamurrasi është i pari, Kurbini është i pari, Shqipëria është e para.

Në 8 maj të votojmë për njëri-tjetrin, të votojmë për Partinë Demokratike. Ju garantoj të dashur qytetare e qytetarë, banorë të Mamurrasit, se suksesin e Ilir Pjetrit do ta shndërrojmë në sukses e mirësi për secilin prej jush, për fëmijët tuaj, për familjet tuaja, për komunitetin tuaj. Rroftë Mamurrasi! Rroftë Shqipëria!”


22/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›