Kryeministri Berisha përshëndet Asamblenë e Përgjithshme të Komisioneve Drejtësi dhe Paqe të Evropës
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme të Komisioneve Drejtësi dhe Paqe të Evropës, me temë “Marrëdhëniet ndërkulturore dhe ndër fetare, mundësi dhe sfidë për një të ardhme të përbashkët. Një kontribut i Shqipërisë për ndërtimin e Evropës”, të organizuar nga Komisioni Drejtësi dhe Paqe i Shqipërisë. Ky Komision është një Organizatë Katolike e themeluar në vitin 96 nga Fretërit Françeskanë me qendër në qytetin e Shkodrës dhe President i saj është Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv Shkodër - Pult.
Në këtë aktivitet ndërkombëtar dy ditor marrin pjesë përfaqësues nga të gjitha Komisionet Evropiane Drejtësi dhe Paqe, si dhe përfaqësues të autoriteteve më të larta fetare dhe shtetërore, trupit diplomatik, si dhe intelektualë dhe specialist të ndryshëm të fushës.
Kryeministri Berisha përshëndeti këtë aktivitet ku më gjerësisht u shpreh:
I nderuar zoti President i Komisionit “Drejtësi dhe Paqe për Europën” .
I nderuar imzot Rrok Mirdita.
Imzot Massafra.
Të nderuar udhëheqës të besimeve fetare në Shqipëri.
Të nderuar miq dhe të ftuar.
Së pari dua t’ju falenderoj me shumë mirënjohje, se keni zgjedhur Shqipërinë, keni zgjedhur Tiranën, për të mbajtur këtë takim dhe organizuar këtu asamblenë e Komisionit “Drejtësi dhe Paqe”, ky është një nder dhe një vlerësim shumë i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Unë dua të shpreh nderimin tim më të madh për ju zoti President, për Komisionin “Drejtësi dhe Paqe” , përpjekjen e tij të madhe fisnike dhjetëra vjeçare, për të inkurajuar dialogun , mirëkuptimin, ndër fetar si vlera të mëdha dhe të pazëvendësueshme të paqes në Europë dhe në Botë. Nuk ka besoj unë, përpjekje më fisnike, për ata që i besojnë Zotit, sesa të përpiqen të mirëkuptojnë besimin e tjetrit, sesa të promovojnë idenë e madhe, se liritë dhe të drejtat universale, janë para së gjithash hyjnore dhe si të tilla, janë vlera në të cilat duhet të bashkohen të gjithë ata që i besojnë Zotit, pa dallim nga besimet e tyre fetare. Janë këto vlera të bëjnë pjesë në deklaratën universale të lirive dhe të drejtave të njeriut, të cilat burojnë si vlera hyjnore.
Në kohën e sotme, kohë në të cilën realisht kryqëzohen lloje të shuma krizash, ky dialog, ky debat , kjo përpjekje bëhet shumë herë më e rëndësishme. Ky dialog, kjo përpjekje, ky mision, është i një rëndësie nevralgjike, sepse sërish duhet të pranojmë,se muret e padijes krijojnë përshtypje dhe hendeqe tërësisht të pamerituara midis besimeve , apo midis kulturave, midis kombeve me besime të ndryshme. Ndaj dhe është për tu admiruar përpjekja juaj të nderuar drejtues dhe anëtarë të këtij komisioni, përpjekja e udhëheqësve shpirtëror në tërësi, për të promovuar këtë çështje të rëndësishme jetike, për paqen dhe mirëkuptimin shoqëror edhe midis kombeve.
Një ditë në zyrën time, prita një grup parlamentarësh nga një vend mik, pasi ju bëra një ekspoze u shpreha se jam i hapur për çdo pyetje dhe njëri prej tyre më shprehu shqetësimin më të madh, se pse Shqipëria është anëtare e Konferencës Islamike? Gjëja e parë që më erdhi në mend dhe ju përgjigja. I thash: zotëri, – burri i parë i shteti në Botë që më ka përgëzuar ka qenë Papa Gjon Pali i II dhe këtë mesazh përgëzimi e dërgoi, sepse ishte i bindur në domosdoshmërinë dhe nevojën e dialogut, midis popujve me besime të ndryshme.
Nuk ka nderim më të madh se ata që i besojnë Zotit, sesa të respektojnë besimin e tjetrit, që i lutet të njëjtit Zot. Në këtë kontekst dua të theksoj se të tillë janë të krishterët, dhe myslimanë shqiptarë. Aq sa e kanë të fortë besimin tek Zoti, po kaq e kanë të palëkundur respektin për besimin e njëri- tjetrit. Dëshmi e kësaj force të besimit të tyre janë dhe sakrificat që ata përjetuan të paimagjinueshme në kalvarin e regjimit komunist. Udhëheqësit shpirtëror të besimeve fetare shqiptare në tërësi dhe veçanërisht klerikët katolik, u përballën me shtypjen më të egër, me torturat më mizore, me persekutimet , por qëndruan të pamposhtur, nuk i mbajtën asgjë tjetër përveç besimit tek Zoti dhe Krishti dhe po kështu klerit mysliman dhe udhëheqësit e besimeve të tjera.
Ndaj dhe duke ju falënderuar shumë për nderin që i keni bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve me këtë konferencë ne Tiranë , dua të shpreh krenarinë time të madhe për të gjithë besimtarët e Zotit të këtij vendi, katolik,mysliman, ortodoks, protestant, hebre dhe të të gjitha besimeve, të cilët me qëndrimin e tyre faktojnë se shpirti i kombit ndriçohet gjithnjë nga gurrat hyjnore të pashtershme të këtyre besimeve.
Faleminderit.
16/09/2011