Kryeministri Berisha në inagurimin e qendrës së përpunimit të të dhënave të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ambientet e INSTAT, ku mori pjesë në inagurimin e qendrës së përpunimit të të dhënave të Censusit të Popullsisë dhe Banesave, i cili nis më datë 1 tetor 2011.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha shprehu falenderimet për Komisionin Europian, qeverinë zvicerane, qeverive dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, për ndihmën bujare që i kanë dhënë Shqipërisë për realizmin e këtij akti madhor, themelor, për të dhënat dhe pasurimin e madh që i bënë database-it të Shqipërisë, duke pajisur Institutin e Statistikës me teknologjinë më moderne të kohës.
Duke theksuar se ky regjistrim është ndoshta regjistrimi i parë i lirë, pas regjistrimeve të bëra në fillimet e mbretërisë shqiptare dhe të atyre të bëra pak më parë, kryeministri vlerësoi se në kët regjistrim shqiptarët i nënshtrohen këtij procesi si qytetarë të lirë për të dëshmuar vullnetin e tyre të lirë, përkatësinë e tyre etnike, besimin e tyre fetar.
“Rregjistrimi, theksoi kryeministri, do të bëjë të mundur që politika e qeverisë shqiptare të jenë më të drejta dhe më të ndershme, pasi do të japë të dhëna të sakta mbi demografinë e rretheve dhe rajoneve, të dhëna këto të domosdoshme për një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave buxhetore në mbarë vendin. Regjistrimi do të përbëjë një orientim shkencor për të gjitha politikat demografike të vendit, politika të cilat janë shumë të rëndësishme”.
Kryeministri përgëzoi gjithashtu edhe Institutin dhe të gjithë punonjësit e kësaj qendre por dhe të gjithë Censorët në mbarë vendin, që të trajnuar me përgjegjësi, po presin me padurim dhe pasion të realizojnë regjistrimin “Shqipëria 2011”.
Më gjerësisht gjatë fjalës së tij kryeministri u shpreh:
“Së pari dua të falenderoj me shumë mirënjohje Komisionin Europian, organizatat e tjera ndërkombëtare, për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë qeverisë shqiptare, në realizimin e këtij akti madhor, siç është regjistrimi i popullsisë dhe banesave, duke pajisur Institutin e Statistikës përgjegjës, për realizmin e këtij regjistrimi me teknologjinë më moderne të kohës. Dua të përgëzoj gjithashtu Institutin e Statistikës për punën e madhe që ka bërë, me përkushtim dhe seriozitet, në përgatitjen e këtij akti.
Regjistrimi i popullsisë 2011 është regjistrimi më i veçantë në historinë e vendit. Është më i veçanti sepse për shumë arsye ky ndoshta është regjistrimi i parë i lirë, pas regjistrimeve të bëra në fillimet e mbretërisë shqiptare dhe të atyre të bëra pak më parë. Shqiptarët i nënshtrohen këtij procesi si qytetarë të lirë për të dëshmuar të gjitha kërkesat e procesit, për të dëshmuar vullnetin e tyre të lirë, përkatësinë e tyre etnike, besimin e tyre fetar.
Ky regjistrim realizohet me teknologjitë më të avancuara, para kemi të bëjmë me një harmoni të plotë të standardeve bashkëkohore të regjistrimit të njerëzve të lirë dhe teknologjinë me bashkëkohore për realizimin e këtij procesi.
Regjistrimi është një akt themelor, i cili do të bëjë të mundur që politikat e qeverisë shqiptare të jenë më të drejta dhe më të ndershme, pasi do të japë të dhëna të sakta mbi demografinë e rretheve dhe rajoneve, të dhëna këto të domosdoshme për një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave buxhetore në mbarë vendin. Regjistrimi do të përbëjë një orientim shkencor për të gjitha politikat demografike të vendit, politika të cilat janë shumë të rëndësishme.
Sot, ne i kemi treguesit demografik në tërësi shumë të mirë, por këta nuk janë të dhënë njëherë e përgjithmonë. Është në detyrën e çdo qeverie dhe shoqërie që në momente të caktuara të bëjë çdo ndërhyrje për ti garantuar kombit rininë e përjetshme. Sot për sot këto ndërhyrje nuk janë të nevojshme por nëpërmjet regjistrimit bëhet i mundur regjistrimi më i saktë i trendit demografik të shoqërisë dhe kombit në tërësi. Por ky regjistrim, ka edhe një meritë tjetër të madhe, është një pasqyrë e kristaltë , e përpjekjes dhe arritjes së madhe të shqiptarëve në këto vite lirie.
Ata trashëguan nga 45 vjet diktaturë ndëshkimin me 750 mijë bunkerëve. Ata kanë ndërtuar në këto vite sipërfaqe ndërtimi, vila dhe pallate më shumë se të gjithë breznitë e të gjitha kohërave dhe kanë një arsye të krenohen me të dhënat e këtij regjistrimi.
Disa qëndrime të përshtatura nga grupet ndaj regjistrimit janë atavike. Dua të theksoj këtu, se në një shoqëri të lirë, grupet, njerëzit, organizatat kanë të drejtë të kenë qëndrimet e tyre. Kanë të drejtë ti shpallin ato pa asnjë lloj kufizimi, por kur këtë e bëjnë institucionet, të cilat në ligjin dhe Kushtetutën e vendit janë të depolitizuar, kjo lëvizje nuk mund të quhet ndryshe veçse “lëvizja faqezi”. Pra nuk kam asgjë me mendimet e tyre atavike, sepse ato, jam i bindur se nuk jua dëgjojnë as anëtarët e familjeve të tyre, lerë më ato që janë jashtë pragut të derës. Por ajo që mua më shqetëson dhe i bëj ketë etiketim është fakti se ata keqpërdorin detyrën e lartë shtetërore për qëllime meskine personale.
Dua ta mbyll fjalën time me mirënjohjen më të thellë ndaj Komisionit Europian, qeverisë zvicerane, qeverive dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, për ndihmën bujare që i kanë dhënë Shqipërisë për realizmin e këtij akti madhor, themelor, për të dhënat dhe pasurimin e madh që i bënë database-it së Shqipërisë. Të përgëzoj Institutin dhe të gjithë punonjësit e kësaj qendre, të pajisur me teknologjinë më moderne, por dhe të gjithë Censorët në mbarë vendin, që janë trajnuar me përgjegjësi dhe po presin me padurim dhe pasion të realizojnë regjistrimin “Shqipëria 2011”.
Faleminderit !
15/09/2011