Kryeministri Berisha inauguron rrugën Pushimi i Shoferit – Divjakë, me vlerë 1.2 miliard lekë

Kryeministri Berisha ishte sot pasdite në komunën Remas, në Lushnje, ku mori pjesë në inaugurimin e rrugës Pushimi i Shoferit – Divjakë, me gjatësi 24 kilometër dhe vlerë rreth 1.2 miliardë lekë. Rruga, e ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, u shërben 50 mijë banorëve të zonës dhe pritet të ndikojë në zhvillimin e bujqësisë, agrobiznesit, etj.
Në përshëndetjen e tij drejtuar banorëve, Kryeministri Berisha u shpreh se përfundimi i rrugës jo vetëm që u vjen në ndihmë fermerëve, por për këtë zonë hap dhe një perspektive të jashtëzakonshme turistike. Kryeministri Berisha i ftoi banorët që të shfrytëzojnë pasuritë që u ka falur natyra për të shtuar jo vetëm prodhimet bujqësore, por edhe për të mbjellë sa më shumë ullinj dhe drurë frutorë. Më tej, Kryeministri Berisha kërkoi nga kryetari i komunës së Remasit dhe komunave të tjera përreth që të hartojnë me shpejtësi masterplanin për zhvillimin e turizmit.
Kryeministri Berisha shprehu, gjithashtu, angazhimin se qeveria do të mbështesë çdo projekt që komuna dhe këshilli i komunës do të hartojnë bashkërisht për tua lehtësuar dhe përmirësuar jetën banorëve të tyre.
Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë që sot inaugurojmë një nga rrugët më të bukura të vendit, rrugë e cila lidh Divjakën me Kolonjën, rrugë e cila i jep Lushnjës dhe mbarë Shqipërisë dhjetëra e dhjetëra kilometra bregdet, tërësisht të virgjër, për tu ndërtuar; rrugë e cila në gjatësinë e saj prej 24 kilometrash u shërben fermerëve të Tërbufit, Divjakës, Remasit, Gradishtës, Kolonjës, rreth 50 mijë banorëve dhe mijëra e mijëra fermerëve të shkëlqyer, të cilët i kanë shndërruar fermat e tyre në histori suksesi, i kanë venë ato me djersë dhe mund. Kjo rrugë u mundëson atyre të kapin tregun e Lushnjës, të Tiranës dhe tregjet e tjera të vendit me mundimin më të paktë dhe kohën më të shkurtër. Por rruga hap një perspektive të jashtëzakonshme dhe të shkëlqyer turistike. Unë ju garantoj se në një hark të shkurtër kohor ju do të shndërroheni në një nga zonat turistike më të vlerësuara dhe më të kërkuara të vendit. Rruga që ne inaugurojmë është, njëkohësisht, dhe pjesa perëndimore e unazës së fushës së Myzeqesë, pasi segmenti tjetër Krutje – Fier Shegan ka përfunduar me kohë dhe në tërësi kjo ka një trajektore prej 49 kilometra.
Këto vite në rrethin e Lushnjës janë investuar 14 herë më shumë se tetë vitet pararendëse. Janë asfaltuar 210 kilometra rrugë, nga të cilat rrugë kombëtare 103 kilometra dhe rrugë rurale apo dytësore 107kilometra. Ne kemi investuar në furnizimin me ujë për 33 ujësjellës e kanalizime, për përmirësimin e 27 shkollave dhe të 26 qendrave shëndetësore. Kemi subvencionuar 550 hektarë me vreshta, ullinj, sera dhe bimë arash, nga të cilat kanë përfituar 1100 fermerë. Qeveria këto vite ka bërë investime thelbësore në furnizimin me energji të këtij rrethi, por dhe në sistemin e vaditjes së tij, duke përfshirë këtu edhe kanalin e madh të Myzeqesë.
Vëllezër e motra,
Me një përpjekje të përbashkët ne çdo vit ndryshojmë dhe do të ndryshojmë jetën tonë. Kjo përpjekje është konkretizuar me rritje të madhe të prodhimit, është konkretizuar me rritje të madhe të rrogave dhe pensioneve. Sot pensionet e fshatit janë mbidyfishuar. Kemi një sistem të ri shkollash e kopshtesh. Unë ju garantoj se ritmet e kohërave që vijnë do të jenë edhe më të shpejta. Nuk ka qëllim më fisnik dhe më jetik për secilin prej jush, për qeverinë, për vendin në tërësi, se sa mëkëmbja juaj e vazhdueshme. Ju keni shndërruar fermat tuaja në ferma suksesi, por duhet të jetë në shpirtin tonë që kurrë të mos kënaqemi me ato që kemi arritur, por të shohim se çfarë do të mund të arrijmë më shumë.
Zoti kryetar i komunës,
Ky është një vend i bekuar. Këtu natyra dhe Zoti kanë qenë më shpirtgjerë se kudo. Por ju takon ju, na takon ne së bashku, që të gjitha pasuritë e mëdha të natyrës së bashku me këta banorë t’i shndërrojmë në pasuri dhe vlera për ta. Ndaj, zoti kryetar, tani që rruga është ndërtuar dhe është kaq e mirë, ju takon ju dhe kryetarëve të komunave të tjera që të bëni me shpejtësi masterplanin për zhvillimin e turizmit, në mënyrë që çdo gjë këtu të zhvillohet sipas një planimetrie, sipas një urbanistike më njerëzore të mundshme. Ju takon ju, këshillit tuaj të komunës dhe këshillave të komunave të tjera që t’i vishni këto kodra me ullinj. Unë nuk them, në asnjë mënyrë, që ju të shkulni pishat, por shkurret e tjera, të cilat nuk japin asgjë, që të gjitha duhet t’i zëvendësoni me ullinj. Unë e di që ju keni mbjellë dhe mbillni ullinj, por ne qeveritarëve na takon të mendojmë se si këto gra e burra, me djersën e tyre të mund të përmirësojnë gjithnjë e më shumë jetën e familjeve të tyre. Potencialet këtu janë të mëdha dhe të gjithanshme. Ndaj le të shfrytëzojmë ne çdo pëllëmbë tokë. Ju garantoj se ky vend është shumë i pasur, ka pasuri të jashtëzakonshme, por edhe toka e tij pjellore ka pasuritë më të mëdha dhe që ne duhet ta shfrytëzojmë në çdo pëllëmbë të saj.
Ju bëj thirrje të mbillni sa më shumë ullinj dhe drurë frutorë. Ju jap fjalën se ne, sapo të arrijnë drejt përfundimit të këtij sistemi rrugor, i cili është jetik për secilin prej jush dhe për çdo shqiptar, projekti i dytë më i madh i këtij vendi do të jetë vaditja e plantacioneve, e fermave dhe tokave tuaja. Ne do të investojmë dhe së bashku do të ndërtojmë në Shqipëri sistemin më modern të vaditjes në Evropë. Ndaj dhe këtë tokë që kemi le ta shfrytëzojmë pëllëmbë për pëllëmbë për të mirën e çdo familje shqiptare.
Sot Shqipëria është ndër vendet më të pakta në Evropë dhe në botë që nuk është gjunjëzuar nga kriza. Shqipëria nuk është gjunjëzuar dhe nuk do të gjunjëzohet nga kriza, për dy arsye kryesore: së pari, për djersën lum që derdhni ju çdo ditë në punë në këtë vend dhe së dyti, për reformat e shkëlqyera që ka ndërmarrë qeveria shqiptare. Ju garantojmë se me këto reforma do të bëjmë gjithçka që puna juaj të jetë një sukses i vërtetë. Vitin që kaloi, në dallim nga çdo vend tjetër i Ballkanit, ne ishim i vetmi vend ku u rritën investimet e huaja. Para vitit 2005, për tetë vite me radhë, investimet e huaja mesatare në këtë vend kanë qenë 38 milionë dollarë, ndërsa vitin e kaluar, pavarësisht nga kriza, investimet e huaja kanë qenë 1 miliardë e 97 milionë dollarë. Ne do të bëjmë përpjekje të mëdha që këto investime të dy dhe trefishohen, të shndërrohen në rroga, të shndërrohen në punësim, të shndërrohen në pasuri për qytetarët shqiptarë. Ekonomia shqiptare është një ekonomi solide, e cila këtë vit do të ketë një rritje rreth 5 përqind. Ekonomia shqiptare është një ekonomi solide, e cila ka bërë të mundur që këto vite të asfaltohen më shumë se 8 mijë kilometra rrugë dhe këto të shtrira në të gjithë vendin. Këto ditë një mik imi më telefonoi dhe më thotë – “po kthehesha nga Gjirokastra dhe në Fratar pyeta se si mund të dal te kantieri. Më treguan rrugën, një rrugë fshati 3 - 4 kilometra, dhe dola në autostradën që po ndërtohej. Erdha me një nga rrugët më të bukura të Shqipërisë dhe më vinte të kthehesha edhe një herë në Gjirokastër nga kënaqësia dhe lehtësia që më krijonte kjo rrugë”. Pra ne do të bëjmë që ju, që qytetarët shqiptarë kudo që janë të arrijnë në kryeqytet maksimumi me 60 përqind kohë më pak seç kanë shpenzuar para se të kemi pasur këtë rrjet rrugor. Ne do të bëjmë çdo gjë që ju të keni ujë 24 orë. Uji nuk duket siç duken rrugët, por sot 98 përqind e shqiptarëve kanë ujë të rrjedhshëm. Janë ende 2 përqind që e marrin me bucela. Nuk e kanë 24 orë dhe këtë e di. Por unë ju garantoj se projekti tjetër do të jetë furnizimi 24 orë me ujë për të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe që jetojnë, në fshat, në qytet dhe në çdo vend.
Zoti kryetar i komunës,
Jam këtu për tu angazhuar para këtyre banorëve se qeveria do të mbështesë çdo projekt që ju dhe këshilli i komunës do të hartoni bashkërisht për tua lehtësuar dhe për tua përmirësuar jetën banorëve të mrekullueshëm të komunës së Remasit, si dhe të gjitha komunave të tjera.
Faleminderit!"
15/09/2011