E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton ekspozitën e piktorit Myftar Cubi; “100 vjet, Atdheu im i dashur”, punime në mozaikë me gurë natyror

Kryeministri Berisha vizitoi sot në mesditë ekspozitën personale të piktorit Myftar Cubi, me titull:  “100 vjet, Atdheu im i dashur”, e çelur prej disa ditësh në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë e veçantë përmban portrete historike, materiale etnografike e lirike, në mozaikë të realizuar me gurë natyror. Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë vizitë nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha dhe  Drejtori i Muzeut Kombëtar Luan Malltezi.

Kryeministri Berisha u njoh nga afër me materialet artistike të ekspozitës dhe e vlerësoi atë si shumë mbresëlënëse, një ekspozitë ku janë derdhur në mozaikë historia, etnografia, lirikat dhe bukuritë shqiptare. Kryeministri theksoi se ky art, ndër më të vështirët në krijim, në imagjinatë dhe në realizim, i mjeshtrit Myftar Cubi, pasuron një traditë të hershme, duke pasur parasysh se në trojet tona gjenden disa nga mozaikët më të mirë të planetit, siç është “Bukuroshja e Durrësit”, “Mozaiku i Linit”, etj.

Kryeministri u shpreh se kishte mbetur i impresionuar nga portretet e burrave të shquar të kombit, në këtë 100 vjetor, që nisnin me prijësin e të gjithë 100 vjetorëve të shqiptarëve, Skënderbeun, me themeluesin e Pavarësisë së Kombit Ismail Qemalin, me tribunin legjendar Isa Boletinin, me Mbretin Zog, burrin që i bëri shqiptarët me shtet, e të tjerë portrete historike.

Në komentet e tij, pas vizitës në këtë ekspozitë, Kryeministri Berisha u shpreh për mediat:

Vizitova një ekspozitë ndër më mbresëlënëset në jetën time. Ekspozitë e një artisti të shquar që ka derdhur në mozaikë historinë, etnografinë, lirikën, bukuritë shqiptare. Ky art, ndër më të vështirët, në krijim, në imagjinatë, në realizim, ka sot një mjeshtër të madh te Zoti Myftar Cungu, i cili pasuron kështu një traditë të hershme, pasi nuk duhet të harrojmë se, ne trojet tona gjenden disa nga mozaikët më të mirë të planetit, siç është “Bukuroshja e Durrësit”, “Mozaiku i Linit” dhe shume shumë të tjerë.

Myftari ka ringjallur dhe ka sjellë në ditët e sotme këtë zhanër që u reziston kohërave më shumë se të gjithë zhanret e tjerë të arteve pamore. Mbeta shumë i impresionuar nga portretet e burrave të shquar të kombit, në këtë 100 vjetor. Natyrisht,  nis me prijësin e të gjithë 100 vjetorëve të shqiptarëve, Skënderbeun, me themeluesin e Pavarësisë së Kombit Ismail Qemalin, me tribunin legjendar Isa Boletinin, me Mbretin Zog, burrin që i bëri shqiptarët me shtet.

Por nuk është vetëm historia pasioni i tij. Jo! Pasioni i Myftarit është pasuria e madhe, trashëgimia e madhe krijuese e shqiptarëve, e shprehur në kostumet e tyre. Janë pasqyruar këtu kostume të të gjitha trevave shqiptare. Natyrisht, artisti nuk mundet kurrë të shkëpusë shpirtin e tij nga lirika dhe lirizmi dhe në këto mozaikë ka vetëm fisnikëri dhe aspak vulgaritet. Pra, ka art të vërtetë.

Ndaj edhe njëherë dua ta falënderoj Myftarin për këtë ekspozitë, e cila e vërteta është se mund të shëtisë në galeritë më serioze dhe të vendoset me dinjitet në to. Por një falënderim tjetër të veçantë unë dua t’i bëj zonjës Fitnete Sula, përfaqësuese e Kompanisë Intersig Vjena Group, të cilët bujarisht kanë sponsorizuar dhe mbështetur familjen Cubi në këtë nismë të shkëlqyer. Natyrisht, këto vepra janë punë shumë vjeçare e tyre, por janë një kurore e vërtetë suksesi. Edhe njëherë, dua të të falënderoj për këtë ekspozitë të shkëlqyer, pasi ke përjetësuar në gur këto figura historike dhe traditën tonë”.       


28/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›