E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Alternativa jonë beson se, në punën, mundin dhe përkushtimin tuaj qëndron fuqia e shqiptarëve për të ndërtuar Përmetin evropian, Shqipërinë evropiane

-          Në filozofinë tonë përpiqemi që pasuritë e Përmetit ti shndërrojmë në vlera të çmuara për qytetarët e tij.

-          Unë vij këtu me lutjen para jush që të vendosim së bashku që të rrisim dhjetëra e dhjetëra herë pemët arrore, arrave, lajthive, bajameve dhe të gjithë arrorëve që rriten në këtë rreth. Ju jap juve fjalën  e nderit, se çdo rrënjë  e tyre, çdo fidan i tyre do të subvencionohet nga qeveria shqiptare.

-          Vendi ynë do të shkojë në BE, si një nga prodhuesit më të rëndësishëm të arrorëve në Evropë.

Kryeministri Berisha vijoi sot paradite takimet për fushatën zgjedhore në Përmet, ku në një tubim me qytetarë  shprehu mbështetjen për kandidaturën e zotit Kujtim Hoxha, si kryetar bashkie i këtij qyteti, përfaqësues i koalicionit ‘Aleanca për qytetarin”.

Kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë, se fitoren e zotit Kujtim Hoxha dhe të të gjithë qytetarëve të tjerë të parë të Këlcyrës dhe të komunave përreth, në datën 8 maj, do ta shndërrojë në një sukses për çdo qytetar dhe çdo familje, të qytetit të Përmetit dhe rrethit të Përmetit në 4 vitet që vijnë.

Kryeministri përmendi se gjatë këtyre 4 viteve janë investuar në shkollat, ujësjellasat, kanalizimet dhe shërbimin shëndetësor të këtij rrethi rreth 10 milion dollarë, duke u zotuar se në 4 vitet që vijnë kjo shifër do të arrijë në 50 milion dollarë.

Me premtimin për një infrastrukturë moderne dhe bashkëkohore për Përmetin dhe zonat përreth, kryeministri  garantoi se në 4 vitet që vijnë do të asfaltohet çdo rrugë dhe rrugicë të këtij qyteti, dhe të fshatrave përreth, si dhe do të përfundojnë  rrugët Përmet- Tepelenë, Këlcyrë-Ballaban, Përmet – Tre urat.

Në përshëndetjen drejtuar qytetarëve të Përmetit, kryeministri u shpreh:

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Përmetit,

Së pari ju përshëndes përzemërsisht, ju shpreh mirënjohjen për mbështetjen që i keni dhënë kësaj mazhorancë në përpjekjen tonë të përbashkët për transformimin e Përmetit dhe të Shqipërisë, në një Përmet të zhvilluar, në një Shqipëri të zhvilluar.

Jam sot këtu para jush për tu zotuar para jush se fitoren e zotit Kujtim Hoxha dhe të të gjithë qytetarëve të tjerë të parë të Këlcyrës dhe të komunave në datën 8 maj së bashku me ju do ta shndërrojmë në një sukses për secilin prej jush , të  çdo familje, të qytetit të Përmetit dhe rrethit të Përmetit në 4 vite që vijnë.

Në shkollat ujësjellasat, kanalizimet dhe shërbimin shëndetësor të këtij rrethi ne kemi investuar në 4 vitet që kaluan rreth 10 milion dollarë. Jam këtu për tu zotuar para jush se në 4 vitet që do të vijnë do të investojmë 50 milion dollarë.

Në 4 vitet që vijnë në do të asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë të këtij qyteti, çdo rrugë të fshatrave, do të përfundojmë rrugët Përmet- Tepelenë, Këlcyrë-Ballaban, Përmet – Tre urat.

Në 4 vitet që vijnë do të investojmë në ujësjellës, për të bërë që çdo banor i Përmetit dhe i fshatrave të tij të ketë ujë 24 orë. Në 4 vitet që vijnë do të rindërtojmë të gjitha shkollat që nuk janë rindërtuar deri tani në parametrat më moderne.

Qytetarë dhe qytetare të Përmetit,

Gjithçka që ne bëjmë është shumë herë më e vogël se ajo  që ju bëni çdo ditë për veten tuaj, për Përmetin dhe Shqipërinë, por me këtë që bëjmë ne synojmë që tu japim ju mundësinë që të përmirësoni çdo ditë e më shumë jetën tuaj, tu japim ju mundësinë që çdo ditë  e më shumë të mbrothësoni  familjet tuaja, tu japim ju mundësinë që të shndërroni vlerat, pasuritë  e pafundme të Përmetit dhe Shqipërisë.

Ndaj dhe alternative jonë është alternative   që në epiqendër ju ka ju të dashur qytetarë dhe qytetare të Përmetit , ka interesat tuaj, ka fëmijët tuaj, ka familjet tuaja, ka mundin dhe djersen tuja, ka përkushtimin dhe vizionin tuaj për Përmetin dhe Shqipërinë.

Ne do të bëjmë çdo gjë që Përmeti, të ketë infrastrukturë evropiane, pasi Evropën në Përmet, nga Këlcyra, në Piskovë, Ballaban do ta ndërtojmë bashkërisht.

Ne mblidhemi sot në këtë shesh pasi kemi dalë 20 vjet më parë nga diktatura më e  egër, pasi  20 vjet në rrugën e lirisë kemi provuar mundime, sakrifica, dhimbje, por kemi shënuar suksese më të mëdha të jetës sonë dhe kjo është e vërtetët. Ne njerëzit më të izoluar të planetit lëvizim të lirë pa viza në të gjithë Evropën. Ne vendi më i shtypur në botë sot jemi anëtarë të NATO-s. ne vendi me ekonominë më të falimentuar në Evropë, për tre vite me radhë kryesojmë rritjen ekonomike në Evropë.

Ne vendi i pensioneve dhe rrogave simbolike gjatë viteve të fundit ia dolëm të dyfishojmë të gjitha pensionet  e ulëta në mbarë Shqipërinë, si dhe të dyfishojmë të gjitha rrogat  e ulëta dhe të mesme. Si asnjë vend tjetër në një hark kohor të shkurtër ne ulëm varfërinë nga 18 % në 12 %  dhe ulje të tjera të mëdha do të njohë.

Sot vërtet ka varfëri, por ka dhe ulje të mëdha të saj, sot vërtetë ka papunësi, por nuk ka rritje të papunësisë,si në shumë vende të tjera. Siç konfirmon edhe Komisioni Evropian, Shqipëria në kulmin  e krizës ekonomike pati ulje të papunësisë.

Vëllezër dhe motra,

Në tërë filozofinë tonë ne përpiqemi që pasuritë  e Përmetit ti shndërrojmë në vlera të çmuara për ju. Përmeti ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Asnjë piktor i asnjë kohe, nuk mund të pikturonte një tablo kaq të bukur si kjo që e ka bërë zoti Përmetin. Por nuk janë vetëm pamjet, por Përmeti ka ujërat termale më të mirat në Ballkan, në mos në Evropë. Përmeti ka prodhimet dhe traditën  e këtyre prodhimeve, absolutist më të shijshmet që mund të prodhohen mbi tokë.

Përmeti ka Vjosën, këtë mbretëreshë të lumenjve të Shqipërisë, e cila përbën një pasuri të madhe, jo vetëm për ju, por për mbarë kombin shqiptar. Përmeti ka traditën e dijeve dhe të shqiptarësisë. Përmetarët themeluan rilindjen, themeluan kombin modern shqiptar.

Vëllezër dhe motra,

Toka juaj është një tokë më pjelloret, prodhimet  e saj janë ndër më të shkëlqyerat. Përpunimi që ju i bëni atyre është bërë i famshëm kudo, ndaj dhe unë vij këtu me lutjen para jush që të vendosim së bashku që të rrisim dhjetëra e dhjetëra herë pemët arrore, arrave, lajthive, bajameve dhe të gjithë arrorëve që rriten në këtë rreth. Deri tani të marra së bashku kemi 5 ha. Unë jam i bindur se së bashku shumë shpejt do të shkojmë në 500 ha. Unë ju jap juve fjalën  e nderit, se çdo rrënjë  e tyre, çdo fidan i tyre do të subvencionohet nga qeveria shqiptare.

Ju jeni të mençur, jeni burra dhe gra të mençur, mos harroni se tregu për disa prodhime ka vështirësi në Evropë, ndërsa tregu i arrorëve në Evropë do të jetë i përjetshëm dhe Shqipëria do të jetë një nga vendet më të rëndësishme në prodhimin  e tyre. Ndaj dhe mos ngurroni të mbillmi sa më shumë. Ne po ecim drejt Evropës, ne do të shkojmë në BE, si një nga prodhuesit më të rëndësishëm të arrorëve në Evropë. Nevojat  e këtij kontinenti, nevojat  e BE janë të jashtëzakonshme dhe prodhimet tona do të jenë më të preferuarat.

Kjo është alternativa e kësaj qeverie, alternative që i beson mendjes, djersës dhe punës suaj, alternativë që beson se, në djersën, në mundin, në përkushtimin, në punën tuaj qëndron fuqia e shqiptarëve për të ndërtuar Evropën në Përmet dhe në mbarë Shqipërinë.

Alternativa tjetër është alternativa e rrugës së vetme. Asnjë koment nuk kam, vetëm se ta lemë zotin Rama në rrugën e tij të vetmisë dhe të mos merremi me të.

E nisi me tabelën para se “fajin e ka Saliu”, por problemi ishte se kalonte nga qyteti në qytet, nga sheshi në sheh me Saliun para, por pastaj e hoqi, e hoqi sepse e di që vetë është mbrapa, e di që nuk ka shanse. Ndaj dhe në 8 maj të votojmë të gjithë së bashku, të votojmë për zotin Kujtim Hoxha, të votojmë për të gjithë kryetarët  e komunave të "Aleancës për qytetarin".

Ju jap fjalën e nderit  se çdo projekt të tyre do ta realizojmë, do ta shndërrojmë në një projekt të dobishëm për ju, se për ne, ju jeni të parët, familjet tuaja janë të parët, komuniteti juaj është i pari, Përmeti është i pari, Shqipëria është e para.

Rroftë Përmeti!

Rroftë Shqipëria!


26/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›