Kryeministri Berisha: Qarku Elbasanit, epiqendër kryesore e investimeve energjitike në fushën e hidrocentraleve
“Jam këtu për t’u zotuar se në 18 muaj, dy qytetarët e parë, qytetari i parë i Tiranës dhe qytetari i parë i Elbasanit, zoti Lulzim Basha dhe zoti Durim Hushi do të inaugurojnë tunelin, do të bashkojnë Tiranën me Elbasanin.”
“Ne jemi të vendosur që paratë, taksat e djersën tuaj ta kthejmë në rrugë, në tunele, në shkolla, në ujësjellësa e kanalizme, ta kthejmë në biznese, të nxisim tuirizmin, të nxisim ekonominë, të rrisim rrogat.”
Kryeministri Berisha, në përmbyllje të takimeve të sotme për prezantimin e disa kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit, zhvilloi në mbrëmje një takim me banorë të lagjes “Skënderbej”, në Elbasan. Kryeministri, i shoqëruar nga kandidati i këtij koalicioni për kryetar bashkie të qytetit të Elbasanit, Durim Hushi, shpreu kënaqësinë që brenda dita ditëve do të inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan dhe tunelit prej 2.4 kilometra, si pjesë e saj. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetare e qytetarë të Elbasanit, kudo që jeni sonte, ju përshëndes vëllazërisht, shpreh mirënjohjen time të thellë për mbështetjen tuaj dhe ju garantoj se votën tuaj për Durim Hushin, suksesin e tij në 8 maj do ta shndërrojmë në një sukses personal, në një mirësi personale për secilin prej jush, për çdo qytetar të kësaj lagjeje, për çdo qytetar të Elbasanit. Me Durim Hushin, ne jemi të vendosur që katër vitet që vijnë të shumëfishojmë investimet në këtë qytet të mrekullueshëm. Brenda pak ditësh, ne inaugurojmë fillimin e punimeve të autostradës Tiranë-Elbasan, e cila shkurton së paku me 50 minuta distancën midis kryeqytetit dhe Elbasanit dhe i shndërron këto dy qytete në një metropol të përbashkët.
Në këtë qark, katër vitet që shkuan, ne kemi ndërtuar e rindërtuatr 400 kilometra rrugë, por ju garantoj se investimet më të mëdha janë të këtij katërvjeçari. Qyteti juaj do të ketë unazën dhe By pass-in dhe me Durim Hushin do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo rugë të këtij qyteti, çdo shkollë, kopsht, sistem kanalizimi, qendra shëndetësore. Ne do të bëjmë gjithçka për një Elbasan, qytet të zhvilluar, Shqipëri, vend të zhvilluar.
Zonja e zotërinj,
Alternativa jonë është alternativa që ju ka juve në epiqender, të dashur qytetare e qytetarë, ka rrugët tuaja, shkollat e kopshtet për fëmijët tuaj, ujësjellësit e kanalizimet, shërbimet më të mira, ka punësimin tuaj, tregun dhe zhvillimin e tij. Jam sot këtu për t’u zotuar se gjatë katër viteve që vijnë, parku industrial do të njohë dimensione të reja. Qarku i Elbasanit dhe qyteti juaj do të jenë epiqendër kryesore e ndërtimeve dhe investimeve energjitike në fushën e hidrocentraleve. Në të katër anët, infrastruktura e këtij qyteti e rrethi po ndryshon me shpejtësi. Shumë shpejt do të lëshojë shtat Boshti i Jugut drejt Beratit, rruga do të kalojë në Qafë Stude dhe shumë shpejt në Gjinar. Ne nuk do të lëmë zonë turistike të këtij rrethi pa e bërë disponibël për qytetin tuaj.
Ndaj ju ftoj në 8 maj të votojmë alternativën e qytetarit. Për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, komunitet tuaja janë të parat, Elbasani është i pari, Shqipëria është e para.
Në rrugën tonë, natyrisht, ka vështirësi, ka mund e djersë, por, në tërë historinë e njerëzimit, gjithçka e madhe, e mirë, e mrekullueshme është ndërtuar mbi sakrificën, djersën e mundin e grave dhe burrave punëtore, ndaj dhe ne jemi të vendour të ndërtojmë të ardhmen tonë, të ardhmen që meritojmë.
Katër vitet që shkuan, ne sëbashku kemi realizuar ëndrra shekullore, anëtarësimin në NATO, Shqipërinë pa viza, Shqipërinë destinacion turistik të botës, rrugën e kombit, dyfishimin e pensioneve të ulëta, dyfishimin e rrogave të ulëta dhe dyfishimin e rrogave të mesme.
Krahas kësaj alternative, është edhe alternativa tjetër, alternativa e rrugës së vetme, e cila ka si shprehje një dhe vetëm një, bllokimin e çdo reforme, çdo ligji, çdo vendimi dhe çdo projekti që ju intereson juve, që ndryshon jetën tuaj, që krijon vende pune, që rrit rrogat dhe pensionet.
Qytetare dhe qytetarë të Elbasanit,
Ju bëj thirrje nga kjo tribunë, të rikujtoni natën, kur, në parlament, gjer vonë pas mesnate, kalorësit e rrugës së vetmuar mbajtën parlamentin, bënë çdo gjë për ta bllokuar, vetëm e vetëm të mos votohej buxheti për tunelin. Atë natë ju deklarova se nuk ka gjë në botë ta pengojë ndërtimin e tunelit, se zotërinjve deputetë socialistë të Elbasanit, të Korçës, Librazhdit që komandoheshin me sms për të votuar kundër tunelit, qytetarët e Elbasanit, të Korçës, të Librazhdit do të dinë t’u japin përgjigjen e merituar me votën e tyre. Për zotin Edi Rama, autostrada dhe tuneli më mirë të mos ndërtohej njëqind herë, sesa ta ndërtonte atë qeveria e Sali Berishës. E vërteta është se tunelin e ndërtoni ju, gratë e burrat e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë, me mbështetjen e madhe që i keni dhënë e i jepni kësaj shumice dhe ne jemi të vendosur që paratë, taksat e djersën tuaj ta kthejmë në rrugë, në tunele, në shkolla, në ujësjellësa e kanalizme, ta kthejmë në biznese, të nxisim tuirizmin, të nxisim ekonominë, të rrisim rrogat. Dua t’ju rrëfej se unë i kam ndërprerë inaugurimet, por në fund të këtij muaji, atë inaugurim nuk e ndërpres dot, do ta bëj. Ai është ëndrra juaj, është ëndrra ime, është ëndrra e të gjithë shqiptarëve që duan Elbasanin, që duan Tiranën. Jam këtu për t’u zotuar se në 18 muaj, dy qytetarët e parë, qytetari i parë i Tiranës dhe qytetari i parë i Elbasanit, zoti Lulzim Basha dhe zoti Durim Hushi do të inaugurojnë tunelin, do të bashkojnë Tiranën me Elbasanin.
Ana tjetër e medaljes së rrugës së vetmisë janë shpifjet, trillimet, mashtrimet dhe sharjet. Dua t’i them zotit Rama se po zhytesh gjithnjë e më thellë në kazanin e tyre dhe ne nuk kemi ndërmend në këtë fushatë, të harxhojmë as edhe një sekondë të vetme me fjalë kazani që ti përdor gjithë ditën. Ne do të merremi vetëm me qytetarët, me projektet për ta, me projektet për fëmijet e tyre, me problemet e interesat e tyre.
Ndaj ju ftoj në 8 maj të votojmë të gjithë, të votojmë në shpirtin qytetar të këtij qyteti mijëvjeçar, të këtij qyteti që ka rrezatuar dritë, dije, civilizim, në mbarë kombin shqiptar, të votojmë për Durim Hushin, kandidatin e “Aleancës për qytetarin” dhe ju jap fjalën e nderit se çdo premtim të tij, çdo projekt tuajin do ta shndërrojmë në realitet, në katër vitet që vijnë. Rrofshi ju! Rroftë Elbasani! Rroftë Shqipëria! Fitore!”
24/04/2011