E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Tepelena turistike, Tepelena qendër e fuqishme e zhvillimit të këtij rrethi, do të jetë motoja jonë në katër vitet që vijnë

-       Do të bëjmë gjithçka që të shfrytëzojmë më së miri pasuritë e Vjosës dhe ujërave të tjera të këtij rrethi, pasuritë e mëdha të pllajave, kullotave e maleve të këtij rrethi.

Kryeministri Berisha përshëndeti sot në mesditë takimin elektoral me qytetarë të Tepelenës, ku shprehu mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar bashkie të këtij qyteti, z.Sevo Miçi.

Kryeministri siguroi se në katër vitet që vijnë investimet në këtë rreth do të katërfishohen dhe se qeveria do të investojë e punojë për ndërtimin e Tepelenës së zhvilluar, Shqipërisë së zhvilluar. Në katër vitet që shkuan, tha Kryeministri, në rrugë kombëtare e rurale, në ujësjellës e kanalizime, në shkolla e qendra shëndetësore, janë investuar mbi 30 milionë dollarë në këtë rreth, ndërkohë që në katër vitet e ardhshme do të asfaltohet çdo rrugë, do ndërtohet çdo ujësjellës, çdo kanalizim, çdo shkollë, kopsht, çdo qendër shëndetësore.

Duke iu referuar pasurive të mëdha të kësaj zone, Kryeministri u shpreh se qeveria, së bashku me drejtuesit vendorë do të bëjë gjithçka që të shfrytëzohen më së miri pasuritë e Vjosës dhe ujërave të tjera të këtij rrethi, pasuritë e mëdha të pllajave, kullotave e maleve të këtij rrethi.

Gjithashtu, Kryeministri siguroi se ndërtimi i autostradës së re në këtë rreth, nuk e shmang aspak Tepelenën, përkundrazi. “Unë jam këtu për t’ju njoftuar se nuk do të shmanget qyteti nga ndërtimi i autostradës së re. Përkundrazi. Ne do të ndërtojmë këtu një nga veprat më unike në tërë punët publike të Shqipërisë, në mënyrë që ju të mos shmangeni, por të jeni një nyje kryesore e transportit të vendit”.

Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, ju falënderoj nga zemra për këtë pritje miqësore, ju falënderoj edhe për mbështetjen e madhe që i keni dhënë dhe i jepni qeverisë shqiptare në përpjekjen e përbashkët për ndërtimin këtu në Tepelenë, në mbarë Shqipërinë, të Shqipërisë evropiane, të Tepelenës evropiane. Jam sot këtu për t’u zotuar para jush dhe për t’u dhënë fjalën e nderit se suksesin e zotit Sevo Miçi, suksesin e kryetarëve të komunave e bashkisë së Memaliajit, në datën 8 maj, së  bashku me ta, gjatë 4 viteve që vijnë do ta shndërrojmë në një sukses të vërtetë për secilin prej jush, për çdo familje të Tepelenës, për çdo qytetar të këtij rrethi.

 Në katër vitet që shkuan, në rrethin tuaj, në rrugë kombëtare e rurale, në ujësjellës e kanalizime, në shkolla e qendra shëndetësore, janë investuar mbi 30 milionë dollarë. Jam sot këtu për t’u zot para jush se në 4 vitet që vijnë këto investime do të katërfishohen dhe se në qytetin tuaj, në Tepelenë e Memaliaj, në komunat  e fshatrat  e tyre, do të asfaltojmë çdo rrugë, do ndërtojmë çdo ujësjellës, çdo kanalizim, do rindërtojmë çdo shkollë, kopsht, çdo qendër shëndetësore. Zotimi ynë solemn është; aty ku jetoni të keni infrastrukturë moderne, njëlloj si infrastruktura e qyteteve moderne, e qyteteve evropiane.

Këto vite, për secilin prej jush për të gjithë shqiptarët, vitet në rrugën e lirisë, kanë qenë vite plot dinjitet, nder, përkushtim, por edhe me lumenj djerse, mundi dhimbjeje  e sakrificash. Këto vite, me punën tuaj, me përkushtimin tuaj, Shqipëria ka ndryshuar më shumë se çdo herë tjetër në një hark të tillë kohor. Nga vendi më i izoluar i planetit, sot në këtë shesh mblidhemi si vendi anëtar i NATO-s dhe kjo përbën arritjen më të madhe në fushën e sigurisë, që nga koha e Skënderbeut deri më sot. Sot ne mblidhemi në këtë shesh, nga qytetarë që më parë ishim të rrethuar me tela me gjemba, sot ne lëvizim të lirë, pa viza, në mbarë Evropën. Sot ne mblidhemi në këtë shesh, nga vendi  që 8 vite më parë kishte gjithsej 2400 km rrugë të asfaltuar, ndërkohë që vetëm në këto vite kemi asfaltuar 8 mijë të tilla. 

Së bashku, me mund, djersë, e sakrifica po ndërtojmë në Tepelenë, në Shqipëri, infrastrukturën rrugore më moderne në rajon e  në Evropë. Me mundin, djersën, përkushtimin tuaj, me reformat e kësaj qeveria, ne ia dolëm që në një hark kohor  4-5 vjeçar dhe në kulmin e krizës ekonomike financiare botërore, të dyfishojmë të gjitha pensionet e ulëta në Shqipëri, të dyfishojmë  ndihmën ekonomike, të mbi dyfishojmë rrogat e ulëta, rrogat e mesme. Kurrë ndonjëherë në historinë e vendit nuk ka qenë më e suksesshme lufta kundër varfërisë dhe papunësisë.

Dy javë më parë, Komisioni Evropian do të deklaronte se Shqipëria qëndron në krye të rritjes ekonomike në Evropë, se ekonomia e Shqipërisë është ekonomi në vrapim. Dhe kjo është për shkak të lumenjve të djersës, mundit, përkushtimit tuaj. Komisioni do të deklaronte se, edhe në kulmin e krizës ekonomike botërore, në Shqipëri, jo vetëm nuk u rrit papunësia, por ajo u ul  në mënyrë të ndjeshme. Sot sërish në Shqipëri ka papunësi, ka varfëri, sërish ka qytetarë që marrin bukë me lista. Por unë i garantoj ata se  derisa të krijojmë të gjitha vendet e punës, kjo qeveri do të bëjë gjithçka për ta, se derisa qytetari i fundit të mos ketë nevojë të marrë ushqimet me listë, ne do të rrisim ndihmën ekonomike, do të rrisim pensionet, do të rrisim rrogat.

Kudo që hedh sytë, në të katër anët e këtij vendi, syri të kap pasuri të mëdha, bukuri të mëdha, pasuri turistike, pasuri malore, ujore, pyjore. Shqipëria është një vend i bekuar. Mungesa e infrastrukturës e ka lënë Shqipërinë të prapambeturën e madhe, ndaj dhe në 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë në Shqipëri infrastrukturën më modern. Tepelena turistike, Tepelena prodhuese, Tepelena qendër e fuqishme e zhvillimit të këtij rrethi, do të jetë motoja jonë në katër vitet  që vijnë. Do të bëjmë gjithçka që të shfrytëzojmë pasuritë e Vjosës dhe ujërave të tjera të rrethit tuaj, pasuritë e mëdha të pllajave, kullotave e maleve tuaja.

Kam një thirrje vëllazërore për të gjithë fermerët e Tepelenës, që të mbjelli sa më shumë ullinj, arra. Kryevepra jonë më e madhe do të jetë: të shndërrojmë Shqipërinë në kopshtin më të madh frutor. Këtë vit kanë aplikuar 300 fermerë, ju bëj thirrje që vitin tjetër të aplikojnë 600, tjetrin 1200. Qeveria do të financojë çdo fidan ulliri, arre, lajthie, bajame, shege dhe çdo gjë që do të mbillni ju për pasurimin tuaj për përmirësimin e jetës suaj.

Unë jam këtu gjithashtu për t’ju njoftuar se nuk do të shmanget qyteti nga ndërtimi i autostradës së re, përkundrazi. Ne do të ndërtojmë këtu një nga veprat më unike në tërë punët publike të Shqipërisë, në mënyrë që ju të mos shmangeni, por të jeni një nyje kryesore e transportit të vendit.

Këto vite, në sajë të punës sonë të përbashkët, ne kemi arritur gjëra që 5 vjet më parë as që nuk i mendonim. Kam ardhur këtu në vitin 2005, kam qenë në Sarandë, Gjirokastër dhe kam deklaruar se në 5 vjet do të trefishojmë turizmin, por vitin e kaluar turizmi u 11 -fishua. Këtë vit, Tepelena dhe Shqipëria është e bukura e Dheut. Vitin e kaluar, gjatë muajve të turizmit, u bëmë rreth 7 milionë shqiptarë e turistë së bashku, çka do të thotë njohje shumë herë më e madhe për ne, për shpirtin tonë, për mikpritjen tonë, për prodhimet tona, çka do të thotë treg dy herë më i fuqishëm për çdo fermer shqiptarë, për çdo prodhues  shqiptarë.

Duke përfunduar, ju bëj thirrje që në 8 maj të votoni Aleancën për Qytetarin, votoni Sevo Miçin, kandidatin tonë për kryetar bashkie. Unë ju jap fjalën e nderit se katër vitet që vijnë investimet do të katërfishohen, se në 4 vitet që vijnë, së bashku me zotin Sevo dhe komunarët tuaj, do të ndërtojmë Tepelenën e zhvilluar, Shqipërinë e zhvilluar. Për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parët, Tepelena është e para, Shqipëria e para. Tepelena blu, Përmeti blu, Tirana blu, Kukësi blu, Shqipëria blu.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria”


26/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›