Kryeministri Berisha në Fushë Arrëz: Do të përdorim skemat më favorizuese për punësimin
Kryeministri Berisha ka vijuar sot prezantimin e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” në rrethin e Pukës. Gjatë paradites, Kryeministri u ndal në bashkinë e Fushë Arrzit ku prezantoi dhe shprehu mbështetjen e tij për zotin Alfred Qafa.
Duke renditur disa nga investimet e bëra në këtë bashki, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të mbështesë çdo projekt të zotit Alfred Qafa dhe se do të përdorë skemat më favorizuese për punësimin dhe nxitjen e investimeve në këtë zonë.
Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur banorë të Fushë Arrzit,
Zonja kryetare e Kuvendit, deputetë e qeveritarë vendor,
I dashur zoti Alfred Qafa, kryetar i ardhshëm i bashkisë së Fushë Arrzit,
Së pari ju uroj gëzuar Pashkët! Dëshiroj t’ju shpreh vëllazërisht mirënjohjen, nderimin e respektim më të madh për mbështetjen e madhe që ju banorë të Fushë Arrzit dhe të Pukës i keni dhënë Partisë Demokratike që në themelimin e saj dhe që i keni dhënë kësaj mazhorance në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara. Unë jam sot këtu, gjithashtu, për të marrë zotimin e angazhimin tim se suksesin e zotit Alfred Qafa më datën 8 maj, që sigurisht është një sukses i madh personal i tij, do ta shndërrojmë në mirësi, në sukses, në mbarësi për secilin prej jush, për çdo familje tuajën, për bashkinë e Fushë Arrzit, për komunitetin e Fushë Arrzit.
Gjatë katër viteve që shkuan në këtë bashki ne kemi investuar mbi 220 milionë lekë, kemi ndërtuar unazën e qytetit, kemi ndërtuar e rindërtuar rrugë, shkolla, fazën e parë të ujësjellësit, kanalizime, ura. Pra jemi përpjekur të ndryshojmë për mirë jetën tuaj. U kemi financuar projekte fermerëve të Fushë Arrzit. Unë vij sot tek ju për tu zotuar solemnisht se katër vitet që vitet që vijnë qyteti i Fushë Arrzit, fshatrat e tij, nuk do të kenë më as edhe një kilometër rrugë pa asfaltuar. Siç bëmë unazën, siç ndërtuam rrugën kombëtare Vau Dejës – Qafë Mali, do të asfaltojmë çdo rrugë e rrugicë të kësaj bashkie. Ndërtimi i rrugës së kombit, Durrës - Kukës, e ka shmangur në një farë mënyre qytetin e Fushë Arrzit, por ju jap fjalën se në segmentin më të shkurtër do ta bashkojmë Fushë Arrzin me rrugën e kombit dhe me Tiranën. Ne kemi investuar për modernizimin e shkollave. Katër vitet që vijnë çdo shkollë e kësaj bashkie do të jetë e rindërtuar me parametrat më modernë. Ne do të vazhdojmë fazat e tjera të ndërtimit të ujësjellësit, në mënyrë që ju të keni ujë 24 orë. Ne do t’ju mbështesim ju për shërbimet më të mira dhe më cilësore.
Vëllezër e motra,
Ne jemi të vetëdijshëm se kjo është rrugë me mundime, me djersë, me sakrifica, por është edhe një rrugë me dinjitet, me arritje, me sukses, sepse ne së bashku mblidhemi këtu si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, si qytetarë të një vendi që lëvizin të lirë të mbarë Evropën, si qytetarë që ia dolëm të dyfishojmë pensionet dhe të dyfishojmë rrogat e ulëta, ia dolëm të dyfishojmë numrin e biznese dhe jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethin e Pukës. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj. Do të përdorim skemat më favorizuese. Këtu këto ditë nis punën një fabrikë, manifakturë. Ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për të inkurajuar biznesmenët e huaj dhe shqiptarë që të vijnë e të investojnë në qytetin tuaj. Këtu do të kenë të gjitha kushtet, njerëz punëtorë, njerëz të përkushtuar, njerëz që kanë traditë mrekullueshme punën. Ne do të bëjmë çdo gjë që pasuritë tuaja të mëdha t’i shndërrojmë në vlera për ju. Puka është një rreth me pasuri të mëdha turistike, pasuri të mëdha minerare, pasuri të mëdha ujore, pasuri të mëdha pyjore. Kjo qeveri do të bëj gjithçka për shfrytëzimin e tyre sa më të arsyeshëm, për shndërrimin e tyre të shpejtë në vlera për qytetarët e Pukës. Janë investuar mbi 800 milionë lekë nga kompani të mëdha për minierat tuaja. Investime shumë më të mëdha do të bëhen vitet që vijnë. Ne do të ndërtojmë infrastrukturën në të gjitha zonat tuaja, do të ndërtojmë rrugën e Iballës, do të lidhim të gjitha fshatrat me aksin kombëtar, duke bërë që qytetarët shqiptarë e të huaj të njihen me Pukën, me bukuritë mahnitëse të rrethit tuaj.
Vëllezër e motra,
Një potencial i madh ekziston në pemëtari. Unë u bëj thirrje fermerëve të Fushë Arrzit e të Pukës që të aplikojnë sa më shumë për të krijuar këtu kopshtet e parqet më të mira të Shqipërisë. Më parë kam qenë në një rast fatkeqësie në Shkozë. Atje takova një zot shtëpie, i cili tokën që kishte, përveç truallit të shtëpisë dhe një kopshti, e kish të tërën shpat, e kishte mbjellë dhe ishte lëndina më e bukur që unë kam parë ndonjëherë. U thash bashkëpunëtorëve të mijë se në qoftë se të gjithë shqiptarët do të përpiqeshin të bënin atë që kish bërë i zoti i asaj shtëpie, Shqipëria do të ishte, absolutisht, dy herë më e pasur. Prandaj dhe thirrja ime është të mbjellim sa më shumë pemë. Ju garantoj se për çdo dru frutor, arra, gështenja, mollë, e çfarë do që të mbillni, qeveria do të financojë fidanët e tyre.
Ju e dini mirë se ne kemi qenë ndër vendet më të varfra të planetit. Sot ne nuk jemi më në grupin e vendeve të varfra, as në grupin e vendeve me të ardhura të mesme, por jemi në grupin me të ardhura të mesme të larta. Sot sërish ne, me gjithë uljen e madhe që i kemi bërë varfërisë, kemi të varfër, kemi qytetarë në mjerim e që marrin bukën me listë. Unë ju them se për ju, për mua, për çdo shqiptar, sot ka një armik dhe është varfëria. Ndaj dhe ne aty ku ka varfëri të tregohemi të pamëshirë ndaj saj, të bëjmë gjithçka për të krijuar vlera e për të ndryshuar jetën. Qeveria në luftën kundër saj ka dyfishuar pensionet, qeveria në luftë kundër saj ka dyfishuar ndihmën ekonomike, qeveria në luftë kundër saj ka krijuar mjedisin më të shkëlqyer për bizneset dhe ka dy e trefishuar ato në Pukë e mbarë Shqipërinë. Por secili duhet të përpiqet të bëjë me mundin e djersën e tij një kontribut në luftën kundër saj.
Qytetare e qytetarë të Fushë Arrzit,
8 Maji është një ditë e madhe, një ditë feste e vërtetë për demokracinë. Më 8 maj ju firmosni për projektet që do të ndërtohet në katër vitet që vijnë në Fushë Arrëz e në mbarë Pukën. Ju ftoj të votoni Alfred Qafën. Ju garantoj që katër vitet që vijnë do të shumëfishojmë investimet për rrugët tuaja dhe Fushë Arrzin modern, për punësimin tuaj, për shkollimin e fëmijëve tuaj, për shërbimet më të mira, për bujqit e fermerët e Fushë Arrzit, për hapjen e vendeve të reja të punës. Një Fushë Arrëz i zhvilluar, një Pukë e zhvilluar, një Shqipëri e zhvilluar është objektivi ynë.
Rrofshi ju!
Rroftë Fushë Arrzi!
Rroftë Shqipëria!”
25/04/2011