E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Anëtarësimi i Shqipërisë në EEN, mundësi e madhe për biznesin shqiptar në bashkëpunimin e frytshëm me sipërmarrjet e vendeve anëtare të BE

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në takimin e zhvilluar për prezantimin e Rrjetit Europian te Ndërmarrjeve (Europe Enterprise Network - EEN), anëtare e së cilit është tashmë edhe Shqipëria.

Ky rrjet, më i madhi në botë i shtrirë në mbi 51 shtete, përbëhet nga 600 organizata të BE dhe ka si qëllim të ndihmojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që të shfrytëzojnë në maksimum mundësitë e biznesit brenda Bashkimit Europian. EEN ndihmon kompanitë te përmirësohen dhe te inovojnë, duke bere partneritete, shkëmbim informacioni, këshillim dhe ekspertize. Ky rrjet  asiston kompanitë e vogla dhe te mesme ne gjetjen e partnereve te duhur dhe synon zhvillimin e sipërmarrjes nëpërmjet implementimit te inovacionit. EEN i mundëson kompanive te kenë akses ne zgjidhje konkrete dhe efektive drejt nevojave te tyre te biznesit me këdo partner qe kontaktojnë.  Database qe përmban rrjeti ka mbi 7000 profile kompanish, ku secili biznesmen shqiptar mund te gjeje një partner te mire potencial per biznesin e tij.

Në muajin prill, Shqipëria është pranuar si anëtare e Rrjetit Evropian të Ndërmarrjeve e përfaqësuar nga një bashkim i 4 institucioneve: AIDA, Agjencinë e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI), Unioni i Dhomave të Tregtisë (UCCIAL), Rrjeti i Agjencive të Zhvillimit Rajonal (ARZH).

Kryeministri Berisha  e vlerësoi anëtarësimin e biznesit shqiptar të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në rrjetin evropian, si një arritje frymëzuese dhe shumë të rëndësishme, si edhe një mundësi e njohjes së hapësirave të reja të tregut, për të patur një bashkëpunim të frytshëm me sipërmarrjet e vendeve anëtare të BE dhe sipërmarrjet anëtare të këtij rrjeti.

Kryeministri siguroi se  qeveria do të bëjë gjithçka për suksesin e biznesit, me besimin se rruga me e sigurtë për Shqipërinë për të përballuar me sukses pasojat e kësaj krize, është mbështetja e fuqishme  e biznesit dhe konsolidimi i rregullave më të mira që garantojnë dhe konsolidojnë lirinë  e tregut.

Kryeministri ftoi biznesin për të vazhduar dialogun konstant, me qëllim zgjerimin e lirisë  së tregut, lehtësimin e mëtejshëm të kushteve së veprimtarisë së sipërmarrjes private në tërësi, dhe në mënyrë të veçantë të sipërmarrjes së vogël dhe të mesme. Duke u shprehur për to, kryeministri tha se  “jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet më të zhvilluara, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme mbeten gjeneratori kryesor i vendeve të punës.”

Në fjalën drejtuar pjesëmarrësve, të cilët ishin ambasadori, i delegacionit të BE në vendin tonë, Ettore Seqqui, ministra të kabinetit qeveritar, drejtues të dhomave tregtare, të Agjencisë së Kërkimeve Shkencore, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI), përfaqësues të biznesit, etj, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari dëshiroj tu përshëndes përzemërsisht për këtë sukses të rëndësishëm të biznesit shqiptar. Anëtarësimi i biznesit shqiptar të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në rrjetin evropian, rrjetin më të madh të planetit është pa mëdyshje arritje frymëzuese dhe shumë e rëndësishme. Është një dëshmi e funksionimit të themeleve të ekonomisë tregut në Shqipëri, themele këto që janë të ndërtuara mbi sipërmarrjen e vogël dhe të mesme. Është një dëshmi e një performance në përputhje me standardet më të mira, më të besueshme. Anëtarësimi në rrjetin evropian të ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla është një mundësi shumë  e madhe informacioni dhe kontakti për biznesin shqiptar, është një mundësi e madhe shkëmbimi i njohurive më të mira, është një mundësi e madhe  e njohjes së hapësirave të reja të tregut, është një mundësi e madhe për të patur një bashkëpunim të frytshëm me sipërmarrjet e vendeve anëtare të BE dhe sipërmarrjet anëtare të këtij rrjeti. Është një mundësi e madhe për të studiuar historitë më të mira të suksesit në këto vende dhe një mundësi e madhe për ti ftuar këto biznese, këta biznesmenë, këta sipërmarrës që të instalojnë, bizneset  e tyre në Shqipëri, si vendi që po punon me klimën më të përshtatshme, më miqësore ndaj bizneseve. Shqipëria, gjithnjë e më shumë po faktohet si Kina e vogël e këtij rajoni dhe më gjerë për shkak të rregullave, për shkak të standardeve të favorshme që ajo po instalon. Por në qoftë se ka një leksion që ne mund të mësojmë nga sipërmarrja e vogël dhe e mesme evropiane dhe akoma më shumë nga ajo amerikane , është inovacioni dhe investimi, inkurajimi në zhvillimin e këtij dimensioni, si një nga kushtet më përcaktuese të suksesit në vazhdim të sipërmarrjeve. Këtu, organizatat e biznesit kanë një rol të pazëvendësueshëm. Agjencia  e Kërkimeve Shkencore dhe Inovacionit, është  e hapur, e gatshme të asistojë dhe ti ndihmojë. AIDA bën të njëjtën gjë me informacione. Por këto janë të pamjaftueshme. Rëndësi kryesore ka që sipërmarrësi të jetë i bindur se investimi inovacion është investimi më i mirë për një sukses të qëndrueshëm të sipërmarrjes së tij. Tre ditë më parë unë vizitova Universitetin Bujqësor. Mbeta i impresionuar  nga puna serioze e një fakulteti të ngritur vetëm pak vite më parë, puna  e shkëlqyer e studentëve ,katedrave dhe shërbimeve të tyre. U lëndova kur mora vesh se sipërmarrësit nuk u drejtohen këtyre specialistëve të shkëlqyer që përgatiten të vazhdojnë me empirizëm këtu sigurisht që është roli i organizatave drejtuese. Vërtetë ti sot bën një shpenzim, për të hapur një, dy, tre, vende të reja pune me ekspertë dhe specialistë të shquar, bën edhe një investim për ti inkurajuar kërkimin shkencor dhe studimin, por dritarja që hap, tejkalon dhjetëra herë këtë shpenzim dhe nuk duhet të harrojmë se kërkimi shkencor dhe inovacioni në tërësi, lind jo nga laboratorët shtetëror apo publike, por nga sipërmarrja private dhe institucionet private. Ndaj dhe le ta shfrytëzojmë ne këtë anëtarësim , këtë arritje të shkëlqyer për të zhvilluar me shpejtësi një dimension që ende e kemi rudimentar për arsye të njohura.

Unë jam këtu për tu siguruar ju, se qeveria do të bëjë gjithçka për suksesin tuaj, se qeveria beson se rruga me e sigurtë për Shqipërinë për të përballuar me sukses pasojat e kësaj krize, e cila duket se do të jetë afatgjatë, është mbështetja e fuqishme  e biznesit, është lehtësimi i mëtejshëm i barrës fiskale dhe burokratike për biznesin, është konsolidimi i rregullave më të mira që garantojnë dhe konsolidojnë lirinë  e tregut.

Ndaj dhe ne dy javë më parë hoqëm tërësisht Tvsh për makineritë  e importuara, por duke qenë se vendimi nuk përfshinte të gjithë spektrin , unë ju garantoj se vendimi do të synojë në rradhë të parë ju, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, çka do tu lejojë ju të ftoni kolegët nga vendet evropiane të vini dhe të investoni në Shqipëri, të vijnë dhe të vendosin sipërmarrjet e tyre në Shqipëri dhe ky është një potencial i vërtetë. Po vendosim një sistem të ri inspektoriatesh, nga 36 inspektoriate do të reduktohen në 11 dhe ato jo më me arbitraritete, por me gjurmim dhe transparencë të plotë të veprimtarisë së tyre. Do të studiojmë me vëmendje lehtësira të tjera fiskale. Kjo është rruga më  e sigurtë për të mbështetur rritjen ekonomike.

Zonja dhe zotërinj,

Stabiliteti makroekonomik është i rëndësishëm, por ai është më i paqëndrueshëm dhe katastrofal në qoftë se vjen në kundërshtim me rritjen  ekonomike. Ky është stabilitet makroekonomik në letër, i cili po nuk nxiti rritjen, absolutisht kompromentohet me shpejtësi të rrufeshme.

Vendet përreth, kishin një borxh dy ose tre herë më të ulët se Shqipëria, por borxhi në këto vende është dy ose trefishuar, në Shqipëri u rrit gjithësej me një variacion (+; – )2, 3 % dhe kjo për asnjë shkak tjetër, përveçse asaj që Shqipëria ka vendosur dhe do të vendosë rritjen ekonomike në epiqendër të reformave ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.

Çdo thirrje për rritje taksash është shkatërrim për vendet e punës. Çdo nivel takse që rritet shkatërron me qindra dhe mijëra vende pune. Historia  e zhvillimit është kjo: Nuk është shteti krijuesi më i mirë i vendeve të punës. Kostoja  e vendeve të punës e krijuar nga sektori publik dhe shteti është disa herë më  e lartë se kostoja  e vendeve të punës e krijuar në sektorin privat. Ndaj dhe shfrytëzoj edhe një herë këtë platformë të siguroj edhe një here biznesin shqiptar dhe atë të huaj se jo vetëm që nuk do të ketë rritje taksash , por që do të ketë ulje të mëtejshme të tyre. Ne besojmë se paratë në kontot tuaja janë më të vlefshme për secilin nga qytetarët dhe shoqërinë shqiptare, sesa në arkën publike. Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë dialogun konstant për të zgjeruar më tej lirinë  e tregut, për të lehtësuar më tej kushtet e veprimtarisë së sipërmarrjes private në tërësi, dhe në mënyrë të veçantë të sipërmarrjes së vogël dhe të mesme, e cila mbetet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet më të zhvilluara gjeneratori kryesor i vendeve të punës.

Unë i bëj thirrje Komisionit Evropian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare të rrisë më tej mbështetjen financiare për biznesin e vogël dhe të mesëm, si rruga më  emirë për të ndihmuar Shqipërinë. Shoh që sot ka një lloj hezitimi nga sistemi bankar, i cili ka merita të mëdha për performancën që ka dhe përballimin me sukses që i ka bërë kësaj krize, por disa rregulla të diktuara jo nga realiteti i tregut në Shqipëri, imponojnë një vetëpërmbajtje në kreditim, çka e bën jetike për ne ndihmën më të madhe, nga Komisioni Evropian, Banka Botërore, BERZH, Banka Islamike për Zhvillimin institucione të tjera financiare ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm.


12/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›