Kryeministri Berisha: Reformat dhe përpjekjet e kësaj qeverie mbeten me synimin më kryesor, luftën kundër korrupsionit

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, znj.Gabriella Battaini-Dragoni, ambasadori i delegacionit të BE-së në Tiranë z.Ettore Sequi, anëtarë të kabinetit qeveritar, drejtues institucionesh të pavarura në vend të angazhuar në luftën kundër korrupsionit, ambasadorë të vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë, etj.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu edhe një herë qëndrimin dhe vullnetin e palëkundur të kësaj qeverie në luftën kundër korrupsionit. “Të gjitha reformat dhe përpjekjet e kësaj qeverisje, si dhe asaj të para vitit 2009, kanë qenë dhe mbeten me synimin më kryesor, luftën kundër korrupsionit”, u shpreh Kryeministri.
Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh për një seri masash që u ndërmorën që në javët e para të qeverisjes, të cilat bënë që Shqipëria të ketë një prej administratave më të vogla në botë. Kryeministri Berisha nënvizoi se u bënë përpjekje të mëdha për të nxjerrë institucionet nga konflikti i interesit dhe në këtë kuadër u amenduan disa ligje. Gjithashtu, Kryeministri tha se një seri praktikash në luftën kundër korrupsionit janë instaluar tek ne për herë të parë në botë dhe ky është prokurimi elektronik 100 përqind. “Për këtë Organizata e Kombeve të Bashkuara, pasi certifikoi sistemin, i dha Shqipërisë një nga çmimet më të para”, u shpreh Kryeministri.
Në linjën e një vullneti të hekurt në luftën kundër korrupsionit, Kryeministri tha se në Shqipëri u vendos një nga sistemet më të mira të pranimeve në universitete; u reduktua numri i lejeve dhe licencave duke shndërruar 2/3 në vete-deklarime dhe 1/3 e atyre u bashkuan në Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave; u dixhitalizua sistemi në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive; u dixhitalizua sistemi i taksave, doganave, etj.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi heqjen e imunitetit si një arritje historike në drejtim të luftës kundër korrupsionit. “Jam i bindur se ky vendim, të cilin do ta quaja historik për parlamentin shqiptar dhe Shqipërinë, do të ketë pasoja pozitive në rritje në luftën kundër korrupsionit”, tha ai.
Duke u shprehur për krimin ekonomik, Kryeministri theksoi se rritja e kapaciteteve të policisë kriminale dhe agjencive të tjera është një kusht jetik për ta çuar përpara luftën kundër korrupsionit.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari dëshiroj të përshëndes përzemërsisht dhe të falënderoj me mirënjohje organizatorët e kësaj konference, për një nga çështjet më thelbësore, siç është lufta kundër korrupsionit. Në një shoqëri të lirë, në tërësi korrupsioni është armiku numër një i njerëzve të lirë, i qytetarëve të lirë. Në të vërtetë ai është mater matrix i të gjitha të këqijave dhe paudhësive të një shoqërie. Asgjë nuk shëmbëllen më shumë me kancerin, në rrafshin social, sesa ky fenomen. I theksova këto për të evidentuar rëndësinë jetike dhe vendimtare të luftës kundër këtij fenomeni. Në këtë rrafsh dua të theksoj se të gjitha reformat dhe përpjekjet e kësaj qeverisje, si dhe asaj të para vitit 2009, kanë qenë dhe mbeten me synimin më kryesor luftën kundër korrupsionit. Në këtë kontekst një seri masash të dhimbshme, por efeciente u morën që në javët e para të qeverisjes. Këto masa bënë që Shqipëria të ketë një prej administratave më të vogla në botë. Dhe askush të mos dyshojë, sa më i vogël shteti aq më e vogël sipërfaqja e kontaktit me zyrtarët. Kjo është një mënyrë e sigurt e zvogëlimit të fenomenit të korrupsionit. U bënë përpjekje të mëdha për të luftuar konfliktin e interesit. Nuk ka dyshim se mundësia për të përdorur pushtetin në konflikt me interesin publik përbën një problem madhor. U amenduan një seri ligjesh, si ligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. U amenduan edhe ligje të tjera, të cilat synonin nxjerrjen e institucioneve jashtë konfliktit të interesit. Është në keqardhjen time të madhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili rrëzoi amendamentet që përjashtonin nepotizmin në administratë. Gjykoj se nepotizmi është një formë e qartë, e kristaltë, e korrupsionit, është një shprehje e tij dhe prerogativ për zhvillimin e tij. Shqipëria, në saj të luftës kundër korrupsionit, është sot ekonomia më private e Evropës. Prejardhja e GDP-së nga sektori privat është më e lartë se në çdo vend tjetër të kontinentit. Kjo ka qenë një vullnet i qartë politik. Një seri praktikash në luftën kundër korrupsionit janë instaluar në këtë vend për herë të parë në botë. Ky është prokurimi elektronik 100 përqind. Për këtë Organizata e Kombeve të Bashkuara, pasi certifikoi sistemin, i dha Shqipërisë një nga çmimet më të para. Më pas, vende të tjera kompletuan sistemet e tyre të dixhitalizimit. Një nga themeluesit e Transparency International, gjatë një dreke pune, do të më thoshte se kryetari i bashkisë sime nuk e instalon këtë sistem, sepse ka dëshirë t’ua shpërndajë tenderët klientëve të tij.
Po në këtë linjë, të një vullneti të hekurt në luftën kundër korrupsionit, Shqipëria vendosi një nga sistemet më integre të pranimeve në universitet. Në qoftë se pranimet në universitete para vitit 2006 ishin një panair i shëmtuar korrupsioni, pas vendosjes së sistemit të ri të informatizuar, në gjithë këto vite, ka zero ankesa për këto pranime.
Shqipëria ka ecur në mënyrë të ndjeshme në luftën kundër korrupsionit në fushën e lejeve dhe licencave. Pasi kemi shndërruar në vetë-deklarime 2/3 e lejeve dhe licencave, 1/3 e tyre është bashkuar në Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave, në të cilën biznesmeni, falë sistemit të dixhitalizimit, ka mundësi të gjurmojë nga portali i kësaj qendre të gjithë rrugën e dokumenteve të tij, në çdo hallkë burokratike. Shqipëria, e vendosur në reformat e saj për parandalimin e korrupsionit, ka vendosur të njëjtin sistem në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive. Nga nyje të një presioni të madh korruptiv, falë këtij sistemi, ato janë sot të çliruara plotësisht. Sistemi dixhital i gjurmimit u lejon qytetarëve të ndjekin nga kompjuteri i tyre në portalin e këtyre zyrave vendndodhjen e dokumenteve të dorëzuara dhe kohën e përgjigjes që duhet të marrin. Shqipëria në rrugën e dixhitalizimit ka sot sistem dixhital taksash, në dogana, po i shtrin ato me shpejtësi në sistemin e drejtësisë dhe në të gjitha praktikat e mundshme.
Vendi, në një hark kohor 6 vjeçar, ka arkëtuar si të ardhura buxhetore, pa burime të papritura shtesë, naftë, gaz apo burime të tjera, 8.2 miliardë dollarë, falë luftës kundër korrupsionit në sistemin e taksave, doganave, natyrisht, edhe rritjes ekonomike të vendit. Do të ishte iluziv suksesi i luftës kundër korrupsionit në rast se nuk do të kishte një politikë penale të konsoliduar kundra tij. Në Shqipëri janë dënuar më shumë se në çdo vend tjetër, me qindra zyrtarë të rangjeve të ndryshme, nga zëvendësministër e poshtë, për veprën e korrupsionit gjatë këtyre viteve.
Zonja dhe zotërinj,
Unë theksova disa nga arritjet në këtë fushë, por i theksova këtu vetëm për një arsye, për të dëshmuar se në këtë vend ka një luftë të konsoliduar kundër korrupsionit dhe aspak se nuk ka korrupsionit. Sepse ka korrupsion dhe se çdo dobësim i luftës kundër tij, njëlloj si çdo dobësim i luftës kundër kancerit, i jep mundësi këtij fenomeni të marrë revanshin. Nuk ka imunitet ndaj tij. Në këtë kontekst, zonja zv/Sekretare e Përgjithshme, Gabriella Battaini-Dragoni, unë dua të falënderoj shumë Këshillin e Europës dhe për bashkëpunimin trevjeçar që kemi vendosur. Ju thatë se janë dhënë 2 milionë euro. Më shumë janë, sepse ju llogaritët një pjesë të ndihmës së ekspertëve direkt. Por dua të theksoj këtu se EURALIUS, me të gjithë mbështetjen teknike të tij në përmirësimin e ligjeve tërësore të vendi, ka një ndihmë substanciale në luftën kundër korrupsionit. Bashkëpunimi i Shqipërisë me GRECO-n, i cili është think tank-u më i shkëlqyer, është dhe mbetet për ne jashtëzakonisht i dobishëm. Në këtë kontekst, përsëri Shqipëria ka përmbushur detyrimet ndaj paketës GRECO edhe më mirë se disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo nuk do të thotë se ne do të qëndrojmë këtu ku jemi. Askush nuk e lufton korrupsion për hatër të një vendi apo partneri tjetër. Unë ju garantoj se do të plotësojmë çdo detyrim dhe jemi të vendosur të plotësojmë çdo detyrim. Jemi të interesuar të shtrijmë bashkëpunimin tonë me GRECO-n, me Moneyval, jashtëzakonisht i rëndësishëm. Edhe ky është një think tank me prestigj të madh, në rritje dhe unik deri më sot në Europë, në mënyrë që të kapim standarde gjithnjë e më të larta në luftën kundër korrupsionit.
Heqja e imunitetit mendoj se ishte një arritje historike për shqiptarët. Kjo jo se parlamenti pengonte heqjen e imunitetit kur kërkohej, por vetë fakti që organet e zbatimit të ligjit, policia kriminale, prokuroria, kishin apriori përpara murin e imunitetit për të nisur hetimin për një ministër, deputet apo gjykatës, përbënte de facto dhe de jure një pengesë në punën e tyre dhe një pengesë dekurajuese. Ndaj jam i bindur se ky vendim, të cilin do ta quaja historik për parlamentin shqiptar dhe Shqipërinë, do të ketë pasoja pozitive në rritje në luftën kundër korrupsionit.
Reforma në drejtësi është një reformë jetike, e cila do të japë ndikime të padiskutueshme pozitive. Drejtësia shqiptare nuk është ajo që paraqesin mediat. Natyrisht, edhe ajo ka disa arritje historike. Unë ju garantoj se ajo është më pak politike se në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, por nuk mund të them se nuk udhëhiqet nga biznesi apo diçka tjetër, prej të cilës nuk duhet të udhëhiqet. Konstatoj se ekziston një vullnet për të proceduar me reforma dhe në këtë kontekst, EURALIUS, ka dhënë një ndihmë dhe mbështetje për të cilat dua ta falënderoj përzemërsisht. Po kështu edhe OPDAT e të gjitha agjencitë e tjera. Kjo ndihmë është e domosdoshme. Organet e drejtësisë duhet të pësojnë reformimin e tyre në interesin më të mirë reputacionit të tyre, të funksionimit dhe të mbrojtjes së lirive e të drejtave themelore. Nuk ka dhunues më të madh të madh të lirive të njeriut sesa korrupsioni. Çdo akt korruptiv ka pas një dhunim flagrant të lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Ndaj misioni më kryesor i drejtësisë është mbrojtja e këtyre lirive dhe të drejtave. Janë këto arritje, por, absolutisht, janë të mëdha problemet të cilat duhet të marrin përgjigje të përditshme. Në qoftë se kemi arritur sukses për të nxjerrë jashtë korrupsionit pranimet universitare, nuk është se janë jashtë korrupsionit provimet në universitare. Këtu duhet të vendosim ato praktika, të cilat po i vendosen, si dhe duhet të jemi shumë të vendosur në konsolidimin e vlerësimit të studentëve në universitet dhe shkollat tona. Është bërë një progres i padiskutueshëm në fushën e shëndetësisë dhe fakti që Shqipëria renditet e treta në Europë për aksesin e lehtë në sistemin shëndetësor, dëshmon se ka një rrethanë propabilisht parandaluese për korrupsionin. Por korrupsion përsëri ka dhe ne këto masa fillestare duhet t’i shtrijmë në të gjithë hallkat e funksionimit të sistemit tonë shëndetësor. Këtu do të bashkëpunojmë me Këshillin e Evropës, do të implementojmë praktikat më të mira. Kemi bërë shumë në drejtim të lejeve dhe licencave, por nuk mund të them se janë nxjerrë tërësisht jashtë korrupsionit. Përsëri ne duhet ta thellojmë dhe konsolidojmë këtë përpjekje. Dhe mënyra më e mirë është që t’i kthejmë ato në vetë-deklarime. Do të studiojmë modelin e Zelandës së Re. Po nisim një ekip për të parë, pasi ai është vendi me më pak leje dhe licenca në botë. Ju garantoj se ne do të aplikojmë atë model.
Shqipëria ka një problematikë serioze në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht luftën kundër krimit ekonomik, i cili është edhe krimi më vizibël. Ai është i stampuar në ndërtesa, është i stampuar në afera. Ai është, praktikisht, krimi më i fuqishëm. Aty janë larja e parave, janë lejet e pamerituara, është evazioni. Aty përqendrohen. Ajo është çerdhja e vërtetë e fenomeneve korruptive. Në këtë kontekst, rritja e kapaciteteve të policisë kriminale dhe agjencive të tjera është një kusht jetik për ta çuar përpara këtë luftë.
Zonja zv/Sekretare e përgjithshme e Këshillit të Evropës,
Duke qenë se Shqipëria kryeson këto gjashtë muaj Këshillin e Evropës, se kurrë nuk flas për korrupsionin e të tjerëve pasi një nga ligjet e arta të luftës kundër korrupsionit është të shohësh në kopshtin tënd dhe jo në kopshtin e të tjerëve, nuk mund të lë pa thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Këshilli i Evropës të përpunojë standarde të përbashkëta, të thellojë më tepër. Se po të shohim te piramidëria më e fundit botërore, e cila, siç do të thoshte shefi i eurogrupit Jean-Claude Juncker në një vizitë në Tiranë, është identike me piramidërinë shqiptare të viteve ’90, del shumë për të forcuar të gjithë parametrat. Pasi duket se kjo është një sëmundje gjenetike. Gjenetike në sensin se kur u shfaqën në Shqipëri piramidat, Shqipëria nuk kishte asnjë ligj për tregjet financiare jo bankare, nuk kishte asnjë bord dhe nuk kishte asgjë, vetëm një vakum. Gjykatat thanë se është në rregull, veprimtari që bazohet në Kodin Civil. Por kur ato u shfaqën në përmasa gjigande, në vende që kishin dhjetëra e mijëra faqe ligje, që kishin dhjetëra e në mos qindra borde të shkallës më të kualifikuar, atëherë del se ishte lakmia e njeriut që lakoi ligjet dhe bordet, dhe bëri që bota të shkasë, të njohë korrupsionit më të madh në historinë e njerëzimit, që nga koha kur Martin Luther King shkroi tezat e tij. Ndaj dhe them, në këtë kapacitet, është e domosdoshme që Këshilli i Evropës të përpunojë, të vazhdojë me vendosmërinë më të madhe thellimin e përpunimit të të gjitha kritereve dhe standardeve në luftën kundër këtij fenomeni, i cili përbën për shoqëritë e lira armikun numër një të qytetarëve të tyre.
Faleminderit!”
08/11/2012