E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Vrijon–Qereshnik, Komuna Otllak, në Qarkun e Beratit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në inaugurimin e përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugës Vrijon – Qereshnik, Komuna Otllak, në Qarkun e Beratit.  Ky segment rrugor është realizuar me një investim prej 186 milion lekë dhe ka një gjatësi prej rreth 6  km.

Rruga përshkon një nga krahinat kryesore të njohura për rritjen dhe kultivimin e ullirit, vreshtarisë dhe prodhimeve bujqësore dhe prej saj përfitojnë lehtësi infrastrukturore dhe komunikimi fshatrat Vrijon, Ullinjas dhe Qereshnik, me një popullsi rreth 2.000 banorë. Por, rruga krijon lehtësi edhe për disa fshatra të komunës Rroshnik. Rruga është një ndihmë e madhe për gjithë fermerët e zonës, të cilët kanë tashmë mundësinë që prodhimet e tyre t’i nxjerrin më shpejt në tregun e Beratit. Por gjithashtu, rrit edhe numrin e banoreve  të interesuar për t’u kthyer  dhe për të investuar përsëri për shtëpitë dhe pronat e tyre në këto zona.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin maksimal dhe admirimin e tij për punën dhe përkushtimin e banorëve të kësaj zone, të cilët i kanë shndërruar tokat e tyre, shpatet e kodrat, në plantacione të tëra me ullinj e frutikultura të tjera. “Në këto pak vite, ju keni shprehur besimin tek trojet tuaja, tek vendi juaj, fshatrat tuaja, duke i qëndisur ato dhe duke i shndërruar në kopshte të vërteta të lulëzuara”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë me vendosmëri mbështetjen dhe investimet për zhvillimin jo vetëm të kësaj zone, por të çdo skaji të Shqipërisë, në infrastrukturë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore, etj.  

Duke iu referuar rritjes ekonomike të vendit, 4 herë më të madhe se mesatarja e vendeve të Ballkanit, të shënuar edhe në këto kohë të krizës globale, Kryeministri theksoi se rritja ekonomike është vepër e mundit dhe djersës së çdo qytetari. “Ajo qëndron në çdo rrënjë ulliri, molle apo vreshte që ju mbillni në tokat tuaja, në çdo kalli gruri apo mistri që ju mbillni, në çdo tullë a gur që ju hidhni në muret për të lartësuar shtëpitë tuaja, qëndron para së gjithash, në lumenjtë e djersës me të cilat ju vaditni tokat tuaja, fshatrat, komunat e qytetet tuaja”, u shpreh Kryeministri.  Gjithashtu, ai nënvizoi se kjo rritje ndodh dhe do të ndodhë, sepse reformat ekonomike të kësaj qeverie, siç deklarojnë institucionet më serioze botërore, e mbrojtën Shqipërinë nga kriza ekonomike e tmerrshme që ka gllabëruar vendet e rajonit e të Evropës.

Kryeministri i drejtoi nga Berati një thirrje kryetarit të PS-së Rama, për të votuar në parlament 3 ligjet e rëndësishme, të nevojshme për marrjen e statusit kandidat në BE, duke u shprehur: “ky 100 vjetor i pavarësisë na fton, zoti Rama, të marrim përgjegjësitë tona, të votojmë ligjet në parlament, të votojmë për hir të fëmijëve shqiptarë të cilët meritojnë Evropën, për hir të këtyre grave e burrave që, me punën e tyre ditë e natë, kanë qëndisur tokat dhe i kanë shndërruar në kopshte të vërtetë dhe presin që, me statusin e kandidatit, prodhimet e tyre të qarkullojnë të lira, pa doganë, në mbarë Evropën”.

Në komunën Olltak janë ndërtuar mbi 23 km rrugë, 4 sisteme ujësjellës e kanalizime të ujërave të zeza në Dushnik, Lapardha, Moravë e Orizaj. Janë ndërtuar 2 shkolla në Lapardha e Moravë dhe 2 ambulanca që mbulojnë fshatrat Qereshnik, Lapardha, Dushnik e Otllak.

Për sa u përket investimeve të gjithanshme në qarkun e Beratit, rezulton se në këto vite janë ndërtuar e ri-konstruktuar mbi 500 km rrugë; 60 shkolla e kopshte; 31 ujësjellës e kanalizime dhe 46 qendra shëndetësore e ambulanca. Në bujqësi janë subvencionuar 2600 ha me ullishte, pemëtore, vreshta  e sera, duke përfituar kështu 5900 fermerë, ose mbi 25 herë më shumë se në qeverisjen socialiste. Në sistemin e energjisë elektrike, janë investuar 25 milionë euro në përmirësimin e kapaciteteve të rrjetit. Gjithashtu, në qarkun e Beratit është dyfishuar numri i bizneseve, ku rezulton se në vitin 2005 ka pasur 2820 biznese, ndërsa sot janë 5350 biznese.

Në përshëndetjen e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur banorë të Qereshnikut, të komunës së Olltakut, zoti ministër, zotërinj qeveritar vendorë, zotërinj deputetë të zonës.

Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe ju shpreh juve, banorëve të Qereshnikut dhe kësaj komune, respektin tim më të madh, u shpreh dashurinë dhe admirimin tim më të thellë. Duke u ngjitur luginës dhe shpateve të këtyre kodrave, konstatova se ju, këto vite, keni mbjellë ullinj, jo një apo dy, por shumë e shumë herë më shumë se paraardhësit tuaj në të gjitha kohërat. Në këto pak vite, ju keni shprehur besimin tek trojet tuaja, tek vendi juaj, fshatrat tuaja, duke i qëndisur ato si kurrë ndonjëherë në histori, duke i shndërruar në masive ullishtesh e drurë të tjerë frutore. Ju po i shndërroni fshatrat dhe komunën tuaj në kopsht të vërtetë të lulëzuar.

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja.

Sot, ne inaugurojmë këtu rrugën, një investim prej rreth 180 milionë lekësh. Por unë jam sot këtu për t’u dhënë fjalën të gjitha fshatrave dhe banorëve të Beratit se, në të katër anët e këtij vendi, në të katër anët e këtij qarku, ne do të asfaltojmë çdo km rrugë. Unë jam sot këtu për t’u dhënë fjalën se, në rast se gjatë këtyre viteve, ne kemi asfaltuar, ndërtuar e rindërtuar në mbarë qarkun mbi 480 km rrugë, gjatë 2-3 viteve që vijnë, do të asfaltojmë në këtë qark çdo km rrugë, aty ku banojnë qytetarët e Beratit. Në një hark kohor të shkurtër, në qarkun e Beratit, ne kemi ndërtuar e rindërtuar 60 shkolla të reja. Gjatë 2 viteve që vijnë, ne do ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë në këtë qark, në mënyrë që fëmijët tuaj të ulen në banka e klasa të standardeve më të mira evropiane. Ne kemi investuar dhe po investojmë gjatë këtyre viteve, mbi 500 milionë dollarë në furnizimin me ujë të fshatrave e qyteteve tona. Ne jemi të vendosur që, në vitet që vijnë, të garantojmë ujë 24 orë për qytetarët shqiptarë, kudo që ata banojnë.

Vëllezër e motra,

Duke u ngjitur në këto kodra dhe duke hedhur vështrimin në to, njeriu sheh plantacionet e pafundme të ullinjve që ju keni mbjellë, por sheh gjithashtu edhe lumenjtë e djersës që ju, gratë e burrat e Otllakut, Qereshnikut e mbarë Beratit, keni derdhur e derdhni çdo ditë për ndërtimin e jetës suaj. Pra, jeta nuk është e lehtë, është plot vështirësi, por plot besim, plot shpresë, plot të ardhme. Në këto vite, ne i kemi shprehur besimin tonë të plotë Shqipërisë dhe shqiptarëve, në çdo skaj ku ata gjenden e jetojnë. Në qoftë se pak vite më parë, territore më të gjera të vendit, ishin shpallur si zona ku nuk mund të investohej, si zona të asgjëkundit, sot për ne, çdo pëllëmbë e këtij territori, çdo kodër e shpat mali, është e bekuar dhe ne do t’i shndërrojmë ato në pasuri për shqiptarët.

Vëllezër e motra,

Në një hark të shkurtër kohor, në një periudhë 7 vjeçare, ne se bashku ia dolëm të shënojmë rritje ekonomike 4 herë më të madhe se sa mesatarja e vendeve të Ballkanit. Atyre të cilët vjellin vrer çdo ditë e derdhin lot krokodili për krizën ekonomike të Shqipërisë, që nuk e ka kapur, u them se gaboni rëndë dhe bëheni nihilist, naiv dhe primitiv. Rritja ekonomike nuk është vepër e qeverisë, rritja ekonomike është vepër e juaja. Ajo qëndron në çdo rrënjë ulliri, molle apo vreshte që ju mbillni në tokat tuaja, qëndron në çdo kalli gruri apo mistri që ju mbillni, në çdo tullë a gur që ju hidhni në muret për të lartësuar shtëpitë tuaja. Rritja ekonomike qëndron para së gjithash, në lumenjtë e djersës me të cilat ju vaditni tokat tuaja, fshatrat, komunat e qytetet tuaja. Sigurisht, kjo rritje ndodh dhe do të ndodhë, sepse reformat ekonomike të kësaj qeverie, siç deklarojnë institucionet më serioze botërore, e mbrojtën Shqipërinë nga kriza ekonomike e tmerrshme që ka gllabëruar vendet e rajonit e të Evropës. Ishin këto reforma që bënë të mundur që, në qarkun e Beratit, bizneset të mbi-dyfishohen, ishin këto reforma që bënë të mundur që sot Shqipëria të ketë arritur disa nga treguesit më të rëndësishëm të vendeve më të zhvilluara. Janë këto reforma që bënë të mundur që fëmijët tanë të rriten me të njëjtën siguri shëndetësore njëlloj si fëmijët e vendeve të zhvilluara, që fëmijët tanë të kenë dyert e shkollave dhe universiteteve të hapura njëlloj si fëmijët në vende të zhvilluara, që nënat dhe gratë tona të lindin me rrezikshmëri më të vogël se në shumicën e vendeve të zhvilluara, që shqiptarët të kenë vdekshmërinë e përgjithshme më të ulët se shumë vende të zhvilluara.

Rrugën nuk e kemi pasur të lehtë, por askush, më me siguri, vendosmëri dhe nder, nuk e ka ngjitur dhe nuk e ngjit atë çdo ditë e më lartë. Rrugën nuk e kemi pasur të thjeshtë, por janë derdhur lumenj djerse, mundi, përkushtimi, ndaj dhe Shqipëria rritet 4 herë më shumë se të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Të dashur miq,

Cilido që dëshiron të shohë efektet e politikës mbështetëse të kësaj mazhorance, le të vijë këtu, në Qereshnik, se tani e ka edhe më të lehtë me rrugë të shtruar, të ndalet në këto kodra. 5 vite më parë, ne shpallën se do të 5-fishojmë, në 4 vjet, rrënjët e ullinjve të mbjellë në mbarë vendin. Urdhëroni, zotërinj skeptikë, këtu në Qereshnik, dhe nuk do të arrini të numëroni dot, edhe 1 muaj rresht po të qëndroni, rrënjët e ullinjve që kanë mbjellë këta gra e burra, në fermat e tyre.

6 vite më parë, ne premtuam se do të ndërtojmë e rindërtojmë shkollat e vendit. Sot ne kemi ndërtuar e rindërtuar 1300 shkolla në mbarë vendin. Kreu i PS-së deklaronte dje se arsimi shqiptar është antikombëtar. Arsimi shqiptar është e mbetet kryekëput kombëtar. Mentaliteti yt, shoku Rama, është mentaliteti i dajallarëve, i Kolekëve të tu, i Spiro Kolekës me shokë, sepse këta fëmijë, në çdo germë, mësojnë dhe mëkohen me dashuri për kombin, me dashuri për veten, me dashuri për Shqipërinë.

6 vite më parë, do të deklaronim se do të shtrinim internetin në çdo shkollë të vendit dhe do të merrte fund koha kur interneti dhe kompjuteri ishte mollë e ndalur për mbi 90 për qind të fëmijëve shqiptarë. Sot, fëmijët shqiptarë, kudo që ndodhen, ulen para kompjuterit, lundrojnë në internet, zhvillojnë imagjinatën e tyre dhe, në këtë imagjinatë, ata zhvillojnë Shqipërinë e ardhshme, shtëpinë më të bukur të ëndrrave të tyre.

Në rrugën tonë, ke kemi pasur lëndime, sakrifica, kemi bërë gabime, jemi përballur me vështirësi. Por sot ne mblidhemi së bashku më krenarë se kurrë në historinë tonë. Sot ne kremtojmë së bashku 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Sot, ne përulemi me nderimin më të madh, me respektin më të thellë, para veprës së pavdekshme të Ismail Qemalit dhe burrave të tjerë të shquar të këtij kombi, që 100 vjet më parë, shpallën në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë. Por mirënjohja jonë, respekti ynë, për ata të cilët shpallën Shqipërinë e pavarur, nuk është një mirënjohje me fjalë, me fjalime, por është një mirënjohje me vepra, vepra dhe vetëm vepra. Ata shpallën pavarësinë, ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ata shpallën pavarësinë, kurse ne liberalizuam vizat për shqiptarët, ata shpallën pavarësinë dhe u deshën 1 ditë për të kaluar nga Fieri në Vlorë, kurse ne, në një hark të shkurtër kohor, ndërtuam 10 mijë km rrugë e autostrada, ne bashkuam kombin. Ata shpallën pavarësinë në vendin e zhytur në mjerimin më të thellë, kurse ne, së bashku, ndërtuam Shqipërinë, e cila ecën me shpejtësi drejt vendeve të zhvilluara. Ata shpallën pavarësinë në një Shqipëri ku sundonte kryekëput analfabetizmi, ndërsa ne sot kemi arritur e tejkaluar numrin e studentëve për 1000 mijë banorë, kemi kaluar mesataren evropiane dhe jemi më lart.

Pra, vëllezër e motra, nderimin për ata që u detyrojmë këto ditë, e kemi shprehur dhe do ta shprehim çdo ditë me mundin djersën dhe veprat tona.  

Këtu, në emrin tuaj, do t’i drejtoj një thirrje kryetarit të PS-së. Ky 100 vjetor, në të cilin Shqipëria vjen e lirë, kombi vjen i lirë, kudo që ndodhet, Shqipëria është sot anëtare e NATO-s, shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Evropën, Shqipëria është vendi i vetëm në rajon që i rezistoi me sukses të plotë krizës ekonomike më të rëndë të 50 viteve të fundit, pra, ky 100 vjetor, na fton zoti Rama të marrim përgjegjësitë tona, të votojmë ligjet në parlament, të votojmë për hir të këtyre fëmijëve të cilët meritojnë Evropën, të votojmë për hir të këtyre grave e burrave që, me punën e tyre ditë e natë, kanë qëndisur tokat, kodrat, luginat e shpatet dhe i kanë shndërruar në kopshte të vërtetë dhe presin që, me statusin e kandidatit, prodhimet e tyre të qarkullojnë të lira, pa doganë, në mbarë Evropën. Le të votojmë këto ligje. Mos mendo se, duke përdorur forcën e të shkuarës për të bllokuar shqiptarët, do të shpërblehesh në qershor. Je krejtësisht gabim. Ne shqiptarët kemi pasur histori të dhimbshme, kemi vuajtur shumë nga varfëria, skamja, mungesa e rrugëve, shkollave e çdo gjë. Por në të gjitha kohërat, ata që kanë studiuar intelektin e shqiptarëve, kanë firmosur për ta si “njerëz inteligjent”. Ndaj, zoti Rama, mos mendo se do të mund t’i gabosh ata, për hir të Vangjel Ndrekës apo Gramoz Rucit dhe të mbash peng ligjet që duhen për procesin e integrimit. Ju bëj thirrje që, këtë javë, të votojmë ato 3 ligje, të dëshmojmë se respektojmë, mbështesim, ëndrrën e qytetarëve të Qereshnikut, Beratit, Vlorës, të mbarë Shqipërisë. Votimi i atyre ligjeve është nderi më i madh që ne mund të shprehim për Ismail Qemalin dhe të gjithë ata të cilët vendosën në themelet e pavarësisë sonë punën, përkushtimin, gjakun e tyre, jetën dhe rininë e tyre.

Vëllezër e motra,

Ne po ecim drejt zgjedhjeve të vitit 2012. Në fakt, ne po ecim drejt fitores së thellë të zgjedhjeve të vitit 2013, fitore të cilën e lexon në sytë e çdo qytetari shqiptar, e lexon në ullishtet, plantacionet, vreshtat, arat e fermerëve shqiptare, fitore të cilën e lexon në bizneset, uzinat, fabrikat, minierat e Shqipërisë, në vepra të panumërta, shtëpi të reja në pafundme të ndërtuar nga shqiptarët, fitore që e lexon në ndryshimin e madh që shqiptarët kanë firmosur 7 vitet e fundit, ndryshim të cilin do ta vazhdojmë edhe 4 vitet e ardhshme. Do të përfundojmë ndërtimin e Shqipërisë evropiane, Shqipërisë vend i zhvilluar.

Faleminderit dhe gëzuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Urimet më të përzemërta”.


10/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›