Kryeministri Berisha: Aplikimi për statusin e vendit kandidat nuk mund të jetë vendim i njëanshëm
-Ministrat e Jashtëm të BE-së theksuan në Ljubljanë se progresi dhe suksesi i reformave në Shqipëri është inspirues për vendet e rajonit
Kryeministri Berisha tha sot, gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Integrimit, se Shqipëria do të ecë drejt një stadi të ri për të kërkuar statusin e vendit kandidat për në BE. Kryeministri shtoi se ky vendim duhet të diskutohet me opozitën, kryesuesin e radhës të BE-së dhe Komisionin Europian.
“Ne do të ecim drejt një stadi të ri në të cilin vendi do të kërkojë statusin e kandidatit. Statusi i kandidatit është një dëshirë e çdo shqiptari dhe unë kam mirëkuptim të plotë edhe për insistimin e opozitës që Shqipëria ta paraqesë në shtator apo në muaj të ndryshëm kërkesën. Pra, është shumë pozitive që opozita shprehet dhe zotohet se do të mbështesë reformat e nevojshme për të paraqitur kërkesën për statusin e kandidatit. Nga ana e saj qeveria ka jo vetëm detyrën e përmbushjes së detyrimeve, por mendoj se ky vendim duhet të diskutohet me opozitën, me partnerët tanë, kryesuesin e radhës dhe Komisionin Europian”, u shpreh Kryeministri.
Për mendimin tim, vijoi më tej Kryeministri, nuk është e preferueshme që të ecet në mënyrë të njëanshme. “Alternativa e negocimit të momentit, kohës dhe ujdia për të do të ishte një praktikë më e suksesshme dhe më serioze në kuptimin që ne kemi një bashkëpunim luajal me BE-në me Komisionin Europian”, nënvizoi Kryeministri Berisha. “Unë gjykoj se këtë hap të rëndësishëm duhet t’a bazojmë në një proces negocimesh dhe jo veprimesh të njëanshme, duke krijuar surprizë të panevojshme. Gjykoj se kështu është më i vlefshëm”, theksoi Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha theksoi faktin se Ministrat e Jashtëm të BE-së u shprehën në Ljubljianë dy muaj më parë se suksesi dhe progresi i reformave në Shqipëri është inspirues për vendet e rajonit. “Ministrat e Jashtëm të BE-së u shprehën në Ljubljanë dy muaj më parë se suksesi dhe progresi i reformave në Shqipëri është frymëzues për vendet e rajonit”-u shpreh Kryeministri.
Më tej Kryeministri tha se mbledhja e sotme e Komitetit Ndërministror të Integrimit synon të shqyrtojë përmbushjen e kërkesave që ka shtruar raporti i vitit 2007 për qeverinë shqiptare.
“Natyrisht raporti me kërkesat e tij është shumë më i gjerë se sa vetëm për qeverinë dhe shpresoj që institucionet shtetërore të shqyrtojnë dhe analizojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me kërkesat e raportit, të cilat kanë si synim konsolidimin e kritereve të Kopenhagenit, partneritetit europian dhe standardeve europiane”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Sigurisht, vijoi më tej Kryeministri Berisha, pjesa më e gjerë është ajo që i adresohet qeverisë dhe agjencive të varura prej saj. “Përmbushja e detyrimeve të deritanishme dhe në vazhdim për periudhën e 2-3 muajve që vijnë, do të jetë objekt i një analize nga stafet e Komisionit Europian, të cilat mbi bazën e kësaj analize hartojnë raportin e Progresit të vitit 2008 që mbulon periudhën tetor 2007-tetor 2008”, theksoi Kryeministri.
Duke shtuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme të bëhet një vlerësim i realizimit të prioriteteve afatshkurtra e afatmesme si dhe një analizë e shqyrtimit të të gjitha kapaciteteve institucionale për procesin e integrimit Kryeministri Berisha u shpreh se zhvillimi, përsosja dhe konsolidimi I këtyre kapaciteteve ka rëndësi të veantë.: “Rëndësi të madhe ka zhvillimi përsosja dhe konsolidimi i këtyre kapaciteteve”-përfundoi Kryeministri Berisha.