Kryeministri Berisha: Për administratën shtetërore, do të përzgjidhet operatori celular me tarifat më të leverdishme
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Transporteve, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, z.Sokol Olldashi, hapjen e tenderit për përzgjedhjen e operatorit të telefonisë celulare që do të ofrojë shërbimin më të lirë për administratën shtetërore.
“Zoti Olldashi, është e domosdoshme hapja e tenderit për përzgjedhjen e operatorit të telefonisë celulare për abonimin e administratës shtetërore. Kompania që do të ofrojë çmimin më të leverdishëm do të ketë abonentë të gjithë punonjësit e administratës që dëshirojnë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri propozoi që në paketën e abonimit për administratën të përfshihen dhe ndërmarrjet e tjera publike, korporatat, pushteti vendor, etj..
“Në administratën shtetërore mendoj të përfshihen dhe ndërmarrjet publike, korporatat, pushteti vendor dhe të bëhet një paketë tërheqëse për të marrë tarifat më të leverdishme. Tani janë tre operatorë të telefonisë celulare në vend, më vonë do të jenë dhe më shumë, por dhe ne si qeveri duhet të synojmë të abonohemi në atë kompani që ofron tarifën më të ulët”, u shpreh Kryeministri, duke shtuar se përzgjedhja e kompanisë fituese do të bëhet me tender të hapur.