Kryeministri Berisha fton investitorët turq: Shqipëria është diamanti i vërtetë i Evropës Juglindore, e cila ju fton ju që së bashku ta shkëlqejmë

Kryeministri Berisha, i cili mori pjesë në Forumin e parë turko-shqiptar të biznesit e ekonomisë, i organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë e Bursave të Turqisë (TOBB) në bashkëpunim me atë shqiptar, mbajti në këtë Forum një fjalë, në të cilën u shpreh:
“Të dashur miq, është një kënaqësi e veçante për mua të mbyll këtë vizitë të shkëlqyer në këtë vend mik, me takimin me ju, përfaqësuesit më të shquar të biznesit, të jetës vibrante, ekonomike të Turqisë. Këtë takim të përbashkët me biznesmenë shqiptarë. Unë kam ardhur me ftesë të mikut tim të shquar dhe mikut të madh të kombit shqiptar, kryeministrit Erdogan. Dje kam patur takimet më vëllazërore, më të shkëlqyera, me kryeministrin, me presidentin, me kryetarin e parlamentit. Sot pata takime edhe me dy miq të tjerë, ministrin e jashtëm Ahmet Davutoğlu dhe mikun tonë Ali Babaxhan. Kjo vizitë përkon me një përvjetor shumë të rëndësishëm për vendin tim, përkon me 100 vjetorin e pavarësisë në Shqipëri dhe natyrisht gjëja e parë që më takonte të bëja ishte të shprehja mirënjohjen time më të thellë dhe të shqiptarëve për historinë 100 vjeçare të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve dhe kombeve tona. Në 100 vite, ky vend mik me qindra dhe mijëra vendime, akte ka mbështetur kombin dhe vendin tim. Ndaj ky ishte një rast të shprehja mirënjohjen më të thellë. E vërteta është që lidhjet tona shkojnë në shekuj. Perandoria otomane nuk ishte “de juro” një perandori duale, por “de fakto” ishte pothuaj e tillë. Shqiptarët luajtën në perandori një rol ndër më kryesor, çuan zhvillimin e saj në 4 skajet e Azisë, si elitë ushtarake e shkëlqyer e perandorisë në Afrikë dhe në zona të tjera. Perandoria është arkiva, por ajo që është madhështore është historia e miqësisë dhe bashkëpunimit të ngushtë mes dy kombeve dhe vendeve tona të lidhura me qindra dhe mijëra fije, por të lidhura pa diskutim edhe me lidhje të fuqishme, pasi në këtë tokë, në këtë vend jetojnë më shumë shqiptarë se në çdo rajon tjetër të planetit. Këto lidhje, kjo histori është frymëzuese për horizonte të reja bashkëpunimi, për potenciale të tjera të mëdha të bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Dekada e fundit ka qenë një nga dekadat më të rëndësishme për shqiptarët. Është dekada në të cilën kombi u bë i lirë aty ku jeton dhe Turqia ka luajtur një rol nga më të rëndësishmit. Ajo ka qenë një ndër avokatët e shkëlqyer e të drejtave të shqiptarëve. Mbështeti fuqishëm Aleancën në çlirimin e Kosovës, ka dhënë një kontribut thelbësor në stabilitetin e Maqedonisë, ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në njohjen ndërkombëtare të Kosovës, ruan marrëdhënie miqësore me të gjithë vendet e Ballkanit. Kjo klimë, këto qëndrime kanë bërë, të nderuar zonja de zotërinj që marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Turqisë të rriten me 9 herë nga viti 2005 deri në vitin 2011. Investimet turke të rriten me 9 herë, shkëmbimet tregtare të rriten me disa herë. Turqia sot është një vend që vrapon në rrafshin ekonomik, një vend me rritje të fuqishme ekonomike, një vend frymëzues për investitorët nga mbarë bota, një vend që kalon më lehtë se çdo vend tjetër pasojat e krizës më të rëndë financiare që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar.
Shqipëria është një vend i vogël në hartën e Ballkanit dhe të Evropës, por ekonomia e saj pikërisht në këtë periudhë stuhish të rënda financiare ka trefishuar nga viti 2006 deri në 2001, eksportet e saj, ka dyfishuar eksportet nga 2009 deri në vitin 2011. Pikërisht në këtë periudhë Shqipëria ka patur një rritje të investime ve të huaja me 3,2 herë, ato turke me 9 herë. Shqipëria ka bërë përpjekje serioze për të krijuar një klimë sa më miqësore për biznesin dhe sot biznesi turk është fuqishëm i pranishëm në të gjithë sektorët e rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, në arsim, shëndetësi, telekomunikacion, metalurgji dhe ne çdo fushë tjetër.
Qeveria shqiptare bën përpjekje të mëdha për një klimë sa më miqësore dhe miqësia më e madhe që mund ti dëshmojë qeveria biznesit është që të jetë dorëshkurtër ndaj tij. Kam kënaqësinë tu informoj, të dashur miq, se qeveria shqiptare renditet një ndër 10 administratat më të vogla të planetit dhe një nga 10 qeveritë që ndërhyn më pak në çështjet e biznesit. Ne besojmë tek liria juaj, si faktori më kryesor i energjizimit, zhvillimit të iniciativës tuaj dhe tregut në tërësi. Ne po bëjmë gjithçka dhe me vendosmëri të zvogëlojmë në maksimum çdo rëndesë burokratike mbi ju. Ne do të mbetemi të vendosur të marrim modelet më të mira, modelet më pak burokratike që ekzistojnë dhe ti instalojmë në vendin tonë. Shqipëria në pamje të parë , sic e përmenda, është një vend i vogël, por ata të cilët e njohin Shqipërinë dhe që ndalen dhe e studiojnë gjejnë një vend me potenciale të jashtëzakonshme. Shqipëria është një vend me potenciale shumë të mëdha në energjinë e rinovueshme. Në Ballkan është një Norvegji e vogël. Ujërat e saj nuk grupohen në lumenj të mëdhenj si Danubi, por të marrë së bashku përbëjnë Danubin. Ato zbresin nga lartësi të mëdha dhe kanë një potencial energjie të admirueshëm. Kompani nga mbarë Evropa kanë filluar ndërtimin në projekte, aktualisht ndër më të mëdhatë në Evropë. Dua tu tregoj, të dashur miq, për një bisedë që kam patur me zëvendëspresidentin e njerës prej tyre, e një kompanie austriake, e cila po ndërton një HEC në Ashtë. Në një fjalë drejtuar audiencës, ai thotë: HEC-i i fundit që kam ndërtuar në vendin tim ishte një HEC fare i vogël. Mu deshën 6 vjet burokraci për leje. Këtu në Shqipëri brenda viti fillova punën dhe po eci me një shpejtësi të paimagjinueshme. Sot takova një kompani turke në fushën e energjisë, e cila ka marrë të gjithë lejet dhe licencat për të ndërtuar një HEC të shkëlqyer. Më informoi se do të fillojë tunelin brenda dy javëve. Ka burokraci, por ka një luftë të vendosur kundër saj. Ka një vendosmëri të madhe për tu mbështetur ju. Shqipëria ka një potencial turistik të veçantë. Cilido që udhëton në këtë vend dhe janë të panumërt ata që më thonë, se para se të ulen në Rinas gjëja e parë që të shkon në mendje është se Shqipëria duket si Zvicër me det. Natyrisht kur zbret në tokë konstaton se është një Zvicër për tu ndërtuar. Por potencialet turistike të saj janë të jashtëzakonshme, ashtu si pasuritë e saj kulturore dhe historike, malet e saj janë magjepsëse, ujërat e saj janë të mrekullueshme. Shërbimet, mikëpritja e saj janë ekzemplare, ndaj dhe ftoj kompanitë më të mëdha turistike të këtij vendi që kanë krijuar një traditë të shkëlqyer, për të investuar në Shqipëri.
Sic u tha këtu këtu, vite më parë Turqia priste 300 mijë turistë, sot pret 34 milion turistë dhe vitet e ardhshme do të presë dhe 60 milion turistë dhe merita më e madhe është e qytetarëve të këtij vendi të cilët me mirësjelljen më të madhe i presin dhe i përcjellin qytetarët nga mbarë bota. Edhe në vendin tim, në vitin 2004 ne kemi pritur 300 mijë turistë dhe vizitorë, në vitin 2011 Shqipëria ka pritur si turistë dhe vizitorë, 4 milion qytetarë nga mbarë bota. Prandaj dhe thirrja ime për kompanitë turistike, të industrisë turistike turke është që le të konsiderojnë investimet në malet dhe brigjet e Shqipërisë. Investimet në male do të jenë 8 vite pa asnjë taksë dhe jam i sigurtë se do të kenë një histori të vërtetë suksesi.
Shqipëria është në vend shumë i pasur në minerale, rezerva botërore të kromit, nikelit, rezerva të mëdha bakri. Studime ndër më seriozet provojnë se gjeologjia dhe gjeopozicioni i tyre i afrojnë shumë me strukturat në Turqi, çka do të thotë se sipërmarrësit turq me eksperiencën e tyre, ndonëse aktualisht po punojnë, mund të punojnë dhe të jenë më shumë të pranishëm. Investimet serioze turke janë në arsim dhe i presim që të shtohen. Kështu janë dy universitete, të cilët rekrutojnë studentët më të mirë, ka gjithashtu shkolla të mesme, spitale, të cilat ju ofrojnë qytetarëve shqiptarë shërbimet më të mira. Në këto vite ne jemi përpjekur shumë ti shërbejmë biznesit. Në një hark kohor të shkurtër, në këtë vend janë asfaltuar, ndërtuar dhe rindërtuar mbi 9 mijë km rrugë, një një projekt ky, i cili do të lejojë shqiptarët, do të lejojë biznesmenët që në një hark kohor të shkurtër të vijnë në Tiranë, duke kursyer 70 % të kohës. Kur Ahmet Calik erdhi në Shqipëri dhe mori pjesë në privatizimin e Telekomit, interneti ishte pothuaj ekzotik. Vetëm 4,8 % e shqiptarëve lundronin në internet.Sot, lundrimi i shqiptarëve në internet ka kapur mesataren e vendeve anëtare të BE dhe do të shkojë më larg. Ne po bëjmë gjithçka që ti ofrojmë biznesit dhe qytetarëve shërbimet më transparente.
Zonja dhe zotërinj,
Një shkrimtar i shquar shqiptar Faik Konica do të shkruante në fundin shekullit të 19 një libër, në të cilin do të thoshte “Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”. Unë mund ju garantoj ju, se Shqipëria është diamanti i vërtetë i Evropës Juglindore që ju fton ju që së bashku ta shkëlqejmë. Ta shkëlqejmë gjithnjë e më shumë.
Ju faleminderit!
06/04/2012