E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar të Territorit

Sot, në drejtimin e Kryeministrit Berisha, u mblodh Këshilli Kombëtar i Territorit të (KKT), i cili mori në shqyrtim dhe miratoi disa vendime për leje dhe shesh ndërtimi për ndërtimin e HEC-ve, impiante të trajtimit të ujerave të ndotura, të depozitave hidrokarbure, si dhe vendime për studime urbanistike pjesore për ndërtimin e Parkut Industrial, Vlorë, etj.

Kryeministri Berisha, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i KKT-së, u ndal gjerësisht dhe vlerësoi shumë të rëndësishme vendimet për ndërtimin e Impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në komunën Kashar të Tiranës, si dhe të ndërtimit Parkut Industrial i Vlorës, të cilin e vlerësoi si gjenerator të krijimit të mijëra vendeve të punës  për qytetarët.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu vendimet e paraqitura për ndërtimin e HEC-ve në Kukës dhe Martanesh, duke  konkluduar se politika e shndërrimit të Shqipërisë në superfuqi te energjisë së rinovueshme në rajon po lëshon shtat çdo ditë e më shumë.

Në fillim të mbledhjes, kryeministri kërkoi që të kalojnë për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit brenda një afati dy javor të gjitha materialet qe kanë mbetur pa shqyrtuar, menjëherë sapo të bëhen amendimet në VKM nga Ministria e Punëve Publike dhe Agjencia përkatëse.

Më pas mbledhja vijoi me diskutimin dhe miratimin e vendimeve të mëposhtme:

1. Studim urbanistik pjesor leje sheshi dhe leje ndërtimi  për objektin Hidrocentrali HEC, Valbonë , Komuna Margegaj Kukës

2. Reahabilitimi dhe zgjerimi i fushës së grumbullimit të mbetjeve urbane për qytetin e Tiranës, në Sharrë, Komuna Vaqarr, Qarku Tiranë

3. Leje sheshi dhe leje ndërtimi për objektin Impjanti i trajtimit të ujërave të ndotura me sipërfaqe 530 798 m2, komuna Kashar, Qarku Tiranë.

Ky projekt është investim i qeverisë japoneze me vlerë 90 milion euro. Realizimi i tij do të bëjë të mundur pastrimin në mënyrë përfundimtare të të gjitha prurjeve  e Lumit të Lanës, duke i dhënë një impakt të ri pastrimit të mjedisit në Tiranë.

Duke  e vlerësuar këtë si investimin më të madh që bëhet në historinë e vendit për trajtimin e ujërave të zeza, Kryeministri u shpreh:

“Ky është investimi më i madh që bëhet në historinë e vendit për trajtimin e ujërave të zeza, është një investim prej 90 milion euro, ndihmë bujare e qeverisë japoneze. Janë hapur procedurat e tenderit dhe fillon së shpejti. Kjo u bë e mundur pasi qytetaret e Tiranës mençurisht cbllokuan veten e tyre  nga bllokada të panevojshme, të dëmshme për ta. Ndërtimi i këtij impianti kompleton ndërtimin e impianteve të mëdha nga Velipoja në Ksamil. Në këtë mënyrë do të bëhet e mundur që shumë shpejt ujërat e bregdetit shqiptar të jene ujerat e bregdetit më të pastra të brigjeve të Adriatikut, Jonit dhe Mesdheut në tërësi. Me 14 impiante dhe ky është i 15 që ndërtohen në të gjithë zonën parabregdetare dhe bregdetare bëhet  e mundur realizmi i treguesve më të pastër të ujërave të brigjeve tona. Ndërkohë, siç dihet Pogradeci është  impianti i dytë i përpunimit të ujerave të zeza që është ndërtuar në vend, po ndërtohet për Shkodrën dhe liqenin dhe shumë shpejt ne vendosim në Shqipëri ndër standardet më të mira të ndotjes së ujërave, standarde këto jetike për parandalimin e një serie të gjerë sëmundjesh.

Një nga universitet me serioze te SHBA-ve fakton se mbi 40 % e vdekjeve te njeriut janë rezultat direkt i ndotjeve te ambientit. Ndaj dhe gjej një rast për të falënderuar edhe njëherë të gjitha NGO dhe shoqërinë civile që është aq vibrante në çështjet e mbrojtjes së mjedisit dhe ka dhënë një ndihmesë të veçante në rritjen, në ndërgjegjësimin e qytetarëve për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit. Natyrisht  nuancat antiglobaliste që marrin ndonjëherë segmente të caktuara të kësaj shoqërie dëmtojnë misionin e madh që ka kjo shoqëri në mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit dhe garantimin e standardeve më të mira të kësaj mbrojtje. Ndaj dhe duke falënderuar se pari qeverinë japoneze dhe të gjithë ekipin e Ministrisë së Punëve Publike, të Bashkisë së Tiranës, komunës Kashar për procedimin me shpejtësi për ndërtimin e këtij objekti shumë të rëndësishëm për pastërtinë e ujërave të vendit, ftoj anëtaret e Këshillit Kombëtar të Territorit ta vlerësojnë.

4. Leje sheshi dhe leje ndërtimi për Hidrocentralin e Martaneshit Likonë-Thekër-Lene- Bulqizë me sipërfaqe sheshi 12 800 m2, Komuna Martanesh, Qarku Dibër 

Lidhur me këtë vendim, kryeministri Berisha u  shpreh se tashmë politika  e shndërrimit të Shqipërisë në superfuqi te energjisë së rinovueshme në rajon, po konkretizohet çdo ditë  e më tepër:

“Kaskada e Matit është  një nga kaskadat jo më të fuqishm , por ndër më të mirat dhe parashikohet të ndërtohet një zinxhir i tërë HEC-sh përveç këtyre të dyve që janë Ulëza dhe Shkopeti të cilët shumëfishojën prodhimin e energjisë nga ky lumë që ka një basen ujërash te pasura, nuk është shumë i madh si basen, por me burime të shumta. Politika e shndërrimit të Shqipërisë në superfuqi te energjisë së rinovueshme në rajon po lëshon shtat cdo kohë e më shumë. Unë dje isha në Turqi dhe takova përfaqësuesit e kompanisë së madhe turke të energjisë që kanë HEC e Fanit, një nga projektet e mrekullueshme që bashkon në një tunel ujërat e Fanit të Vogël me të Fanit të Madh dhe që fillimi i tunelit fillon ndërtimin në një hark të shkurtër kohor brenda pak javësh.”

5. Leje sheshi dhe leje ndërtimi për objektin Depozitat Bregdetare Hidrokarbure (benzinë , gazoil dhe solar) me sipërfaqe 7000 m2 dhe kapacitet 12200 m3, në fshatin Rinia Porto Romano, komuna Katund i Ri, qarku Durrës,

6. Studim urbanistik pjesor Parku Industrial Vlorë me sipërfaqe 12434 ha, fusha e Jallisë, Nartë, Vlorë

Duke përgëzuar biznesmenët dhe industrialistët e Vlorës për iniciativën e tyre, kryeministri e vlerësoi këtë projekt të një rëndësie të jashtëzakonshme, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por për të gjithë Jugun e Shqipërisë dhe Shqipërinë në tërësi. Kryeministri tha se Parku i Vlorës do të rrisë në mënyrë cilësore potencialin dhe peshën e Vlorës në prodhimin e brendshëm të vendit. Duke komentuar mbi këtë vendim, kryeministri u shpreh:

“Unë dua tu përgëzoj ju biznesmenëve dhe industrialistëve të Vlorës, për iniciativën tuaj të shkëlqyer dhe projektimin e një parku jashtëzakonisht të rëndësishëm, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por për të gjithë Jugun e Shqipërisë dhe Shqipërinë në tërësi. Është një model që shpresoj të frymëzoje biznesmenët, industrialistët e qyteteve të tjera të vendit pasi punësimi i qytetarëve, prodhimi dhe rritja e tij janë dhe mbeten dy objektivat më kryesore në zhvillimin e nje vendi. Parku industrial i Vlorës do të jete nje gjenerator që krijon mijëra dhe mijëra vende pune, rrit në mënyrë cilësore potencialin dhe peshën e Vlorës në prodhimin e brendshëm të vendit, i shtohet kapaciteteve ekzistuese. Ju e dini që këtë vit ka një debat të gjatë për të shpallur Vlorën, Gjirin më të bukur të Mesdheut. Ne e duam boll këtë vend, por problemi është se  nganjëherë duhet të marrim frymëzim nga të tjerët, në vend që ti frymëzojmë ne ata. Por në këtë botë globale pranohen të gjitha. Ndaj dhe u përgëzoj për këtë projekt të mrekullueshëm, uroj që të fillojmë sa më shpejt dhe ju garantoj se qeveria do tu mbështesë ju në të gjithë ndërtimin e një infrastrukture të merituar.

7. Zgjatja e afatit të lejes ekzistuese të ndërtimit për terminalin bregdetar dhe infrastrukturën përkatëse portuale për depozitimin e naftës dhe nënprodukteve të saj në Gjrin e Vlorës për shoqërinë “La Petrolifera Italo-Albaneze” për 60 muaj të tjerë.

Lidhur me këtë vendim, kryeministri u shpreh: “Kompania Petrolifera ka bërë një investim të shkëlqyer dhe ka vendosur një standard ndër më të mirët në administrimin e naftës dhe gazit dhe marrëveshja me qeverinë është rezultat i negociatave serioze që janë bërë me këtë kompani. Unë ju ftoj ju të zgjasim afatin edhe disa keqkuptime nga ana e kompanive të importit të hidrokarbureve kanë ekzistuar. Kompania ka qenë gjithnjë e hapur që ato të investojnë kundrejt rregullave të qarta ose të autorizojnë kompaninë për të shtuar depozitat kundrejt rregullave të qarta tregtare. Gradualisht këto koncepte po kristalizohen edhe në qëndrimet  e kompanive të tjera, prandaj është e nevojshme të japim edhe nje afat të ri, një afat 60 mujor për investime, natyrisht në përputhje me kërkesat e tregut, sepse investime jashtë kërkesave të tregut do te jetë e pakëshillueshme.”

8. Leje ndërtimi për depozitat bregdetare import- export të nënprodukteve të naftës në zonën energjitike dhe Industriale të Porto Romanos Durrës

Për vendimin në fjalë, kryeministri u shpreh: Ajo që është specifike ne depozitat e naftës, gazit dhe solarit është se këto ndërtohen me konsensus të plotë të qeverisë dhe të opozitës. Për faktin se kryetari i opozitës vuan nga fobia e HEC-ve ndaj dhe ju lutem shumë, sidomos atij të HEC të Martaneshit, të ma nxjerre njëherë në Kaptinë të Martaneshit për ta inauguruar që ti dalë pak nga pak, frika nga koncesionet dhe HEC-t, pasi do të ketë një seri inaugurimesh tani.

Ky është një investim shumë i mirë që rrit kapacitetet e portit energjeti , i cili po bëhet gjithnjë e më i njohur dhe do të shndërrohet në një port të vërtetë rajonal.


07/04/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›