E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Arsimi do të vazhdojë të jetë përparësia e të gjitha përparësive

Kryeministri Berisha mori pjesë, sot pasdite, në ceremoninë e diplomimit të studentëve të nivelit master të Fakultetit Ekonomik. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, Rektori i Universitetit, zoti Dhori Kule, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, zoti Omer Stringa, përfaqësues të Trupit diplomatik, pedagogë, studentë e familjarë të tyre.

Kryeministri uroi studentët e diplomuar për suksese të mëtejshme në rrugën e dijes dhe në profesionin e tyre. “Ju nisni jetën tuaj si intelektualë dhe si profesionistë nga një stacion i ri i avancuar”, tha Kryeministri.

Kryeministri theksoi se për qeverinë e drejtuar prej tij, arsimi do të jetë përparësia e të gjitha përparësive. “Unë e kam bërë zgjedhjen time, investimi te ju është investimi më i mirë, më i sigurt që mund të bëjmë për të ardhmen e këtij vendi”, u shpreh Kryeministri.

Duke vënë theksin në nismat konkrete të qeverisë në drejtim të nxitjes së arsimimit dhe kualifikimit të studentëve tanë, Kryeministri tha se qeveria do të mbështesë me bursa studentët që do të fitojnë të drejtën e mbrojtjes së masterit në universitete të tjera ndërkombëtare. “Ju keni bërë detyrën tuaj dhe ne do të bëjmë detyrën tonë ndaj jush. Secili prej jush që do të fitojë të drejtën e mbrojtjes së masterit jashtë universitar apo në universitetet e njohura perëndimore, do të ketë mbështetjen totale të qeverisë, sikundër garantoj studentët e këtij universiteti që do të fitojnë të drejtën të shkollohen në  universitetet ndërkombëtare, se do të kenë bursë të plotë nga qeveria shqiptare”, tha Kryeministri.

Në një hark kohor të shkurtër, vijoi Kryeministri, qeveria bëri të mundur dyfishimin e numrit të studentëve dhe po synohet trefishimi i tyre. Gjithashtu, Kryeministri tha se po bëhet çdo përpjekje për të nxitur universitetet private, të cilat edhe sot japin një kontribut madhor në jetën akademike të vendit. “Reforma të thella dhe të gjithanshme janë ndërmarrë e do ndërmerren, në mënyrë që arsimi në Shqipëri të ecë me hapat e kohës, të përgatisë të rinjtë e të rejat shqiptare me orën e kohës, me orën globale”, nënvizoi Kryeministri.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj shumë përzemërsisht për këtë nder të madh që me keni bërë, duke më ftuar të ndaj me ju gëzimin e madh të kësaj dite, të ndaj me ju dhe familjet tuaja dhe mbarë shoqërinë shqiptare, krenarinë e madhe për ju, arritjet tuaja të shquara, diplomimin dhe gradimin tuaj.

Për ju kjo është ditëlindja juaj si intelektualë që nisni rrugën me një mision të madh të shoqërisë dhe kombit, është ditëlindja juaj si profesionistë. Me këto dy misione ju do të formësoni Shqipërinë e ëndrrave tuaja, Shqipërinë shumë herë më të begatë, më të bukur, më të fortë, më të zonjën se kjo që kemi sot.    

Dua t’ju përgëzoj për rezultatet e shkëlqyera, të përgëzoj familjet tuaja për mbështetjen që ju kanë bërë dhe edukatën e dhënë. Ju nisni nga një stacion i ri i avancuar, jetën tuaj si intelektualë, si profesionistë.

Me këtë rast, dua të zotohem se ashtu si deri sot, për sa kohë shqiptarët të votojnë Sali Berishën, arsimi do të jetë përparësia e të gjitha përparësive. Unë e kam bërë zgjedhjen time, investimi te ju është investimi më i mirë, më i shkëlqyer që mund të bëjmë për të ardhmen e këtij vendi. Si ish profesor i këtij universiteti, unë shpreh kënaqësinë që kjo ngjarje e madhe për jetën tuaj,  ndodh në 50 vjetorin e këtij universiteti. I themeluar 50 vjet më parë, Universiteti i Tiranës u shndërrua në një lokomotivë të dijes sonë kombëtare, por mbi të gjitha, në një moment të caktuar të historisë sonë, tejet të hidhur e të vështirë, u shndërrua në lokomotivë të lirive të shqiptarëve. Sot Shqipëria nuk ka asgjë më të lidhur me lirinë e qytetarëve të këtij vendi sesa Universitetin e Tiranës.

Ju e keni bërë detyrën tuaj, ne do të bëjmë detyrën tonë, reforma të thella që kemi ndërmarrë po e çojnë Shqipërinë drejt rritjes ekonomike dyshifrore, po e rendisin Shqipërinë çdo ditë e më lartë për sa i përket rritjes së investimeve, zhvillimit ekonomik. Ju keni bërë detyrën tuaj dhe ne do të bëjmë detyrën tonë ndaj jush. Secili prej jush që do të fitojë të drejtën e mbrojtjes së masterit jashtë universitar, apo në universitetet e njohura perëndimore, do të ketë mbështetjen totale të qeverisë, sikundër garantoj studentët e këtij universiteti që do të fitojnë të drejtën të shkollohen në universitetet ndërkombëtare do të kenë bursë të plotë nga qeveria shqiptare.

Qeveria do të bëjë përpjekje të mëdha për modernizimin e arsimit. Kam kënaqësinë që t’ju informoj se në një hark kohor të shkurtër ne dyfishuam numrin e studentëve, por duhet të jeni të sigurt se do të bëjmë çdo përpjekje që të trefishuar numrin e tyre, do të bëjmë çdo përpjekje për të nxitur universitetet private, të cilat edhe sot japin një kontribut madhor në jetën akademike të vendit. Janë ndërmarrë e do ndërmerren reforma të thella dhe të gjithanshme, në mënyrë që arsimi në Shqipëri të ecë me hapat e kohës, të përgatisë të rinjtë e të rejat shqiptare me orën e kohës, me orën globale.

Edhe njëherë, ju uroj suksese në jetë dhe ju përshëndes shumë përzemërsisht për rezultatet tuaja të shkëlqyera. Të nisësh jetën si “i shkëlqyer” do të thotë ta nisësh me një avantazh të madh, me vetëdije të plotë se çdo vit - ashtu siç thotë Niçe - duhet të tejkalosh veten tënde në mënyrë që shkëlqimi, arritja, të bëhet gjithnjë e më e madhe”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›