E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Asnjë mur bllokues nuk mund të pengojë një komb dhe një vend, për të zënë natyrshëm vendin e vet mes kombeve të qytetëruara

“Procesi i integrimit evropian është një proces kryekëput i përmirësimit të qeverisjes. Në thelbin e tij ai i bën qytetarët më të lirë, më të sigurtë, më të mëkëmbur- u shpreh kryeministri Berisha në nisje të mbledhjes së qeverisë, duke ftuar të gjitha ministritë dhe agjencitë përkatëse që të vazhdojnë përpjekjet për të vijuar me standarde të tjera, pavarësisht përpjekjeve për bllokim të procesit të integrimit, nga  kryetari i opozitës, zoti Edi Rama.

Kryeministri tha se me vendimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së  për mosmarrjen e statusit pa votimin  e tre ligjeve në parlament, Edi Rama realizoi qëllimin e bllokimit të marrjes së statusit, me besimin  e verbër se statusi do të forconte më shumë pozitën e qeverisë në zgjedhjet e ardhshme. Në fakt, u shpreh kryeministri, statusi do të forconte pozitën e të gjithë shqiptarëve në procesin e integrimit dhe evidentonte kontributin  e të gjitha palëve në këtë proces.

Kryeministri tha se zoti Rama në këtë veprimtari të koordinuar bllokuese të tij, në mënyrën më të përsëritur publikisht dhe privatisht iu ka deklaruar mbështetësve të tij se statusi do të kushtëzohet me zgjedhje, por kjo nuk ndodhi. “Komisioni Evropian, nuk pranoi kërkesën e zotit Rama për të futur zgjedhjet si kusht për statusin. Jo i tha, zgjedhjet do të jenë kusht për hapjen  e negociatave.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri theksoi se çdo përpjekje për bllokim mund të vonojë, po në asnjë mënyrë të bllokojë  një proces të natyrshëm të një vendi dhe kombi për të zenë vendin që i takon përkrah kombeve të qytetëruara.

Lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Para se të ndalem në një vendim të rëndësishëm dua të theksoj edhe një herë se dje Ministrat e jashtë të BE vendosën që Shqipëria nuk merr dot statusin pa votuar tre ligjet në parlamentin shqiptar. Në këtë kontekst Edi Rama realizoi një qëllim ogurzi, qëllimin e bllokimit të marrjes së statusit, me besimin  e verbër se statusi do të forconte më shumë pozitën e qeverisë në zgjedhjet e ardhshme.

Unë gjykoj se statusi forconte pozitën e të gjithë shqiptarëve në procesin e integrimit, evidentonte kontributin  e të gjitha palëve në këtë proces. Mirëpo zoti Rama beson se murin që u ngriti shqiptarëve me mosvotimin  e tre ligjeve do të mund ta fshehë dhe maskojë duke u serviruar atyre, kërkesat për hapjen e negociatave në vend të kërkesave për marrjen e statusit.

Në këtë veprimtari të koordinuar bllokuese të tij, zoti Rama në mënyrën më të përsëritur publikisht dhe privatisht iu ka deklaruar mbështetësve të tij se statusi do të kushtëzohet me zgjedhje, por kjo nuk ndodhi. Kjo nuk ndodhi, dhe jo se zgjedhjet nuk janë një proces i një rëndësie jetike, por sepse Komisioni Evropian, kur rekomandoi statusin si institucioni që ndjek më afër dhe me hollësi çdo zhvillim, nuk pranoi kërkesën e zotit Rama për të futur zgjedhjet si kusht për statusin. Jo i tha, zgjedhjet do të jenë kusht për hapjen  e negociatave.

Dhe unë ju garantoj ju se deri dje përsëri tentonte të mashtronte sepse aty ka një debat, natyrisht ka një debat serioz brenda PS, udhëheqjes së saj  për këtë veprimtari të turpshme bllokuese të paprecedent në Evropë. Edhe njëherë e  kam thënë në këtë mbledhje dhe  e them dhe sot, nuk është gjë ajo foto me gjethe fik , krahasuar  me foton  e tij sot, që bllokon statusin e vendit të vet me mosvotimin  e tre ligjeve. Ajo është lule. Dhe dje u thoshte, prisni se do të dalë deklarata që do të kushtëzojë me zgjedhjet, statusin. Deklarata doli dhe jo vetëm doli, por në mënyrë që shqiptarët të mos e lexojnë sipas Ramës, të dy përfaqësuesit më të lartë të atij takimi  u shprehën që këshilli vendosi që Komisionit të informojë Këshillin sapo tre ligjet të votohen. Natyrisht, zoti Rama nuk voton, por e garantoj se ai mur që ju ka ngritur shqiptarëve do të rrëzohet në zgjedhjet e ardhshme. Asnjë mur nuk mund të pengojë një komb dhe një vend, në një proces që në një farë mënyre është një proces i natyrshëm për të zënë vendin e vet mes kombeve tgë qytetëruara. Mund ta vonosh, siç e ke vonuar tre vjet , por ke bërë llogari shumë të gabuara. Sepse me verbërinë  e tij ecën për karrige, ka tre vjet që bllokon statusin e këtij vendi. I erdhi fundi bllokimit brenda 6 muajve. Ndaj dhe i siguroj shqiptarët që nuk i voton ligjet sepse në ligësinë e tij ndaj interesave të qytetarëve shqiptarë ai nuk ka kufij. Ai ndan tërësisht psikologjinë  e etërve të tij mizorë, që ne i përmbysëm 22 vjet më parë. Sepse vetëm ajo psikologji, vetëm  ajo politikë ishte vendosur në Shqipëri, as Lindje as perëndim, vetëm kur u prishëm me Kinën. Pra është shumë  e dhimbshme që ky zotëri ndërmerr një veprim të cilin nuk e ka ndërmarrë as edhe forca më ekstremiste e një rajonit, një Ballkani me konflikte dhe probleme të shumta, pa lërë me në Evropë. Veprimi i tij është unik ndaj dhe unë ftoj të gjitha agjencitë, të gjitha ministritë të vazhdojnë përpjekjet për të vazhduar standarde të tjera.

Sigurisht, procesi i integrimit evropian është një proces kryekëput i përmirësimit të qeverisjes. Në thelbin e tij ai i bën qytetarët më të lirë, më të sigurtë, më të mëkëmbur. Pra  të gjitha reformat janë të vlefshme të rëndësishme dhe pikërisht se u bënë këto reforma, Komisioni evropian konkludoi që duhet të votoni këto tre ligje në mënyrë që ti jepnim mundësinë këtij komisioni që të bënte rekomandimin përfundimtar mbi statusin.

Pikërisht se janë bërë këto reforma, këshilli i ministrave , kërkoi që komisioni ta informoi kur të votohen këto tre ligje, por kjo do të ndodhë pasi të shembet muri i bllokimit që Edi Rama, i cili përpiqet me të gjitha mënyrat apologjinë  e Enver Hoxhës dhe figurës së tij, të marrë përgjigjen e merituar nga zgjedhësit e tij.


12/12/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›