E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha ju uron besimtarëve bektashinj ditën e Sulltan Nevruzit

Kryeministri Berisha së bashku me bashkëshorten, zonjën Liri Berisha vizitoi sot Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, me rastin e Ditës së Sulltan Nevruzit. Pasi uroi kryetarin e saj Baba Edmond Brahimaj, Kryeministri Berisha i përcolli një mesazh urimi të gjithë besimtarëve bektashinj, për këtë ditë të shenjtë për ta. Në këtë urim, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Ishte një rast që këtë ditë të shenjtë, ditën e Sulltan Nevruzit t’ia urojmë nga zemra të gjithë bektashinjve shqiptarë, të gjithë besimtarëve shqiptarë. Në këtë ditë të bekuar ditë të shenjtë, Zoti u bëri dhuratë shqiptarëve fitoren e demokracisë. Është kjo ditë që hapi dyert e demokracisë për shqiptarët dhe mbarësia e mirësia nisi edhe për ta, siç e kane merituar.

Bektashizmi është një trashëgimi e madhe, e shkëlqyer e shqiptarëve. Bektashinj janë ata që shkruan doktrinën moderne të kombit shqiptar. Bektashinjtë dhanë një kontribut të madh, me gjeninë e tyre krijuese, në letrat dhe kulturën shqiptare. Teqet kanë qenë dhe janë në të gjitha kohërat, tempuj të Zotit dhe të atdhetarisë së flaktë.

Baba Edmond edhe një herë urimet më të përzemërta për këtë ditë, mirënjohjen më të thellë ju dhe të gjithë baballarëve, të gjithë udhëheqësve shpirtërore të bektashizmit shqiptar kudo që ndodhen, për rolin, ndihmën e   kontributin e madh që keni dhënë e jepni në përmirësimin e infrastrukturës shpirtërore të qytetarëve të këtij vendi, konsolidim e vlerave të mëdha, për të cilat bektashizmi është ndër më të pasurit. Edhe njëherë urimet më të përzemërta. Unë do të vij sërish kur të inaugurojmë në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, këtë tempull madhështor që nuk është vetëm i bektashizmit, por i mbarë shqiptarëve që mëkohen me veprat e Sami Frashërit, Naim Frashërit dhe bektashinjve të tjerë.”


22/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›