Kryeministri Berisha: Autostrada Tiranë – Elbasan, me tunelin e Kërrabës, pas rrugës së kombit, është vepra e dytë më e madhe publike në vend
- Autostrada Tiranë- Elbasan është segmenti më nevralgjik i Korridorit të 8-të
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e Autostradës Tiranë- Elbasan dhe tunelit të Kërrabës, si pjesë e kësaj autostrade. Në shenjë simbolike, Kryeministri Berisha shkeli butonin e detonimit për shpërthimin e parë në gërmimet për tunelin e Kërrabës.
Punimet për këtë autostradë do të realizohen nga Kompania e njohur greke AKTOR dhe parashikohet të përfundojnë brenda 18 muajve. Kjo autostradë ka një gjatësi prej 31.7 km, me një tunel 2.4 km të gjatë, 21 viadukte, 7 mbikalime, 4 nënkalime.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit z.Sokol Olldashi, deputetë të Elbasanit, Presidenti i Kompanisë greke Aktor, z. Dimitris Koutras, drejtues e punëtorë të kësaj kompanie, etj.
Kryeministri tha se pranvera e vitit 2011 shënon fillimin e shndërrimit në realitet të ëndrrës së miliona e miliona udhëtarëve për ndërtimin e tunelit të Kërrabës që shkurton së paku 50 minuta distancën e Tiranës me Elbasanin dhe de fakto e bën Elbasanin qytetin më të afërt me Tiranën.
Duke u ndalur në lehtësitë dhe zhvillimin që sjell ndërtimi i kësaj autostrade, Kryeministri tha se ajo mbi-përgjysmon distancën e qarqeve të tjera, veçanërisht Korçës, rretheve të tjera të Elbasanit, Dumresë dhe së shpejti dhe Beratit, me kryeqytetin e vendit, krijon rajonin më të madh të tregut në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në rajon, ku Tirana, Elbasani dhe Durrësi shndërrohen në një treg të përbashkët dhe fuqizon tregun në tërësi. Gjithashtu, edhe tregu i punës do të njohë dimensione krejt të reja. Autostrada shumëfishon potencialin turistik të Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit dhe bën të mundur eksplorimin dhe zhvillimin e të gjitha potencialeve të mëdha turistike të kësaj treve që janë ndër më të rëndësishmet, ndër më të bukurat.
Gjithashtu, Kryeministri nënvizoi se autostrada Tiranë- Elbasan është projekti i dytë infrastrukturor më i rëndësishëm ndërkombëtar dhe është segmenti më nevralgjik i Korridorit të 8-të.
Kryeministri vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e Kompanisë greke AKTOR që do të realizojë ndërtimin e këtij projekti, duke theksuar se suksesi, eksperienca e shkëlqyer e kompanisë dhe vendosmëria e qeverisë shqiptare për t’i dhënë përparësi absolute kësaj vepre, janë garancitë e plota të përfundimit të saj me sukses në 18 muajt që vijnë.
Në fjalën e tij të plotë Kryeministri Berisha u shpreh:
"I nderuar zoti ministër Olldashi,
të nderuar deputetë,
I dashur President i Kompanisë Aktor, z. Dimitris Koutras
Punonjës, kryeinxhinierë, inxhinierë të kësaj kompanie,
Zotërinj qeveritarë vendorë të sotëm e të ardhshëm të Elbasanit dhe juglindjes së Shqipërisë
Së pari, ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë e madhe se kjo pranverë e vitit 2011, në datën 29 prill shënon fillimin e shndërrimit në realitet të ëndrrës së miliona e miliona udhëtarëve, të cilët të nisur drejt Tiranës, gjënë e parë që kanë imagjinuar, para se të ngjiteshin në majën e Kërrabës, ka qene një tunel për të arritur në kohën më të shkurtër në kryeqytetin e vendit.
Kjo ëndërr fisnike e njeriut nis sot në këtë ceremoni shndërrimin e saj në realitet, në një hark kohor 18 mujor. Autostrada Tiranë – Elbasan, me tunelin e Kërrabës, përbën pas rrugës së kombin, veprën e dytë më të madhe publike që ndërtohet në historinë e kombit shqiptar. Kjo autostradë prej 31.7 km, me një tunel 2.4 km të gjatë, 21 viadukte, 7 mbikalime, 4 nënkalime, shpejtësi lëvizjeje 120 km në orë, shkurton së paku 50 minuta distancën e Tiranës me Elbasanin, shkurton në 2/3 këtë distancë dhe de fakto e bën Elbasanin qytetin më të afërt me Tiranën.
Autostrada mbi-përgjysmon distancën e qarqeve të tjera, veçanërisht Korçës, rretheve të tjera të Elbasanit, Dumresë dhe së shpejti dhe Beratit, me kryeqytetin e vendit. Autostrada , duke iu referuar gjësë më të çmuar që ka njeriu, kohën, i dhuron një kohë çdo qytetari, çdo udhëtari. Autostrada Tirane- Elbasan krijon rajonin më të madh të tregut në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në rajon. Tirana, Elbasani dhe Durrësi shndërrohen në një treg të përbashkët. Tregu i punës do të njohë dimensione krejt të reja. Qytetarët e Elbasanit do të mund të punësohen në Tiranë dhe të shpenzojnë pothuajse të njëjtën kohë, sa shpenzojnë aktualisht, por jo në të ardhmen, qytetarët e Kombinatit që punojnë diku afër Spitalit Nënë Tereza. Natyrisht edhe Tirana, pas 8 majit, do të ketë zgjidhjet e veta.
Autostrada shumëfishon potencialin turistik të Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit, bën të mundur eksplorimin dhe zhvillimin e të gjitha potencialeve të mëdha turistike të kësaj treve që janë ndër më të rëndësishmet, ndër më të bukurat.
Autostrada Tiranë - Elbasan fuqizon tregun në tërësi, pasi fermerët e mrekullueshëm të Kolonjës, Korçës, Pogradecit, Librazhdit, Gramshit, Dumresë, do të kenë mundësinë të arrijnë në Tirane në një kohë të përafërt me atë kohë që kapin epiqendrat e rretheve të tyre. Rruga është jetë dhe ne po shtrojmë një “gjallesë gjigande” që do të lidhë Tiranën me Elbasanin. Ndaj unë me këtë rast dua të përgëzoj dhe të përshëndes të gjithë qytetarët e Elbasanit, Elbasanin me aq merita në historinë dhe zhvillimin e vendit, të përshëndes qytetarët e qarkut të Korçës, të Beratit, të përshëndes qytetarët e Tiranës, pasi me këtë autostradë Tirana shndërrohet në një ndër metropolet më të mëdha të Evropës Juglindore dhe më gjerë.
Zonja e zotërinj,
Sot ne po inaugurojmë autostradën dhe Tunelin e Kërrabës me një gjatësi rreth 31 km. Por ky është gjithashtu projekti i dytë infrastrukturor më i rëndësishëm ndërkombëtar. Ky është segmenti më nevralgjik i korridorit të 8-të, korridor ky që do lidhë Egnatian me rrugët e mëndafshit dhe do përfundojë në largësitë e mëdha të Azisë. Por ky është segmenti më i kushtueshëm, më i rëndësishëm, më nevralgjik për Boshtin e Jugut.
I dashur President i Kompanisë AKTOR. Dua të të falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin e madh, për mobilizimin e shpejtë tuajin dhe të kompanisë suaj në realizimin e kësaj vepre, një ëndërr e bukur e shqiptarëve. AKTOR është një emër i madh, jo tashmë në filma apo në skena teatri, por në punët publike ndër më të mëdhatë në Greqi dhe në rajon. Jam shumë i gëzuar që ju, i dashur mik, do të jeni së shpejti edhe në Shqipëri, aktor po kaq i madh sa në vendin tuaj, sa në vendet e tjera. Suksesi, eksperienca e shkëlqyer e kompanisë suaj, vendimi i qeverisë sime për t’i dhënë përparësi absolute kësaj vepre, janë garancitë e plota të përfundimit të saj me sukses në 18 muajt që vijnë. Ky është një kontribut i madh në ndërtimin e Evropës në Shqipëri.
Të dashur qytetarë,
Endrra jonë evropiane bëhet realitet me çdo rrugë të re që ndërtojmë, me çdo mal që çajmë, me çdo shkollë që ndërtojmë, çdo ujësjellës, me çdo vepër publike apo private që ndërtojmë. Evropa është për t’u ndërtuar mbi pasuritë e pamasa që disponon ky vend dhe kjo tokë, mbi mundin, djersën, përkushtimin e shqiptarëve. Unë jam i bindur se ju , i dashur Dhimitër, do të ndjeheni krenar me kontributin që jepni përmes veprës që po ndërtoni. Edhe njëherë ju përshëndes dhe shpreh bindjen time se një pranverë tjetër shumë e afërt, pranvera e vitit 2013, do të bashkojë Tiranën me Elbasanin dhe se me këtë akt madhor do të presin shiritin dy qytetarët e parë të Bashkisë së Tiranës dhe bashkisë së Elbasanit; Zoti Lulzim Basha, të cilin unë dua ta falënderoj në mënyrë të posaçme, sepse ishte ai që në vitin 2009, me fushatën e tij elektorale ndjeu, përjetoi forcën, fuqinë e ëndrrës së qytetarëve të Elbasanit. Ai u angazhua për këtë edhe me Princin e Emirateve të Bashkuara Arabe, me ministrin e jashtëm. Ai shpejtoi dhe garantoi financimin e kësaj vepre. Unë dua të falënderoj të gjitha vendet e Gjirit, Bankën Islamike të Zhvillimit, e cila iu përgjigj kërkesës së qeverisë shqiptare për shndërrimin në realitet të kësaj ëndrre me shpejtësinë më të madhe. Dua të falënderoj zotin Durim Hushi për punën e shkëlqyer që po bën në qytetin e Elbasanit për promovimin e kësaj vepre të rëndësishme. Por edhe zotërinjtë Andrea Mano dhe të gjithë qeveritarët e tjerë vendorë, sepse njësoj si me diamantet, po pastrojmë pluhurin që grupi antitunel hodhi në parlamentin shqiptar kundër kësaj vepre ëndërr të shqiptarëve.
Edhe njëherë, ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë time të madhe, se pas rrugës së kombit, në 8 mijë km rrugë të ndërtuara gjatë këtyre 5 viteve të fundit, ky segment është një korridor tjetër jetik i sistemit rrugor të Shqipërisë, i cili së shpejti do jetë më moderni, më i riu, në rajon, i cili së shpejti do të shndërrojë në realitet ëndrrën e çdo shqiptari, do të bëjë që nga secili cep i këtij vendi qytetarët të arrijnë në kryeqytetin e tyre me rreth 60-70 për qind të kohës më shpejtë se sa arrin sot. Pastaj , kryetari i opozitës, nëse do jetë deri atëherë, do të thotë se Berisha udhëton me reaktivë e jo më me helikopter. Nuk kam ç’ti bëj, i ka mbetur mendja te rrugët e vjetra. Ne do vazhdojmë të ndërtojmë rrugët e vjetra.
Edhe njëherë ju përshëndes dhe shpreh kënaqësinë e madhe që ndaj këtë gëzim me të gjithë shqiptarët, falënderoj të gjithë burrat e gratë, djemtë e vajzat e këtij vendi, sepse kjo vepër, vërtetë ndërtohet nga kompania AKTOR - gjithashtu falënderojmë me shumë mirënjohje edhe Komisionin Evropian për projektin - , por theksoj se kjo vepër, si çdo vepër tjetër në këtë vend është para së gjithash produkt i mundit, djersës, përkushtimit, sakrificave, vendosmërisë, vizionit të qytetarëve shqiptarë për të ndërtuar në Shqipëri Evropën dhe Shqipërinë Evropiane.
29/04/2011