Kryeministri Berisha: Dibra, epiqendër e fuqishme e zhvillimit rajonal
Kryeministri Berisha vijoi sot takimet elektorale në Peshkopi, ku paraqiti alternativën për qytetarin dhe shprehu mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” Ilir Krosi.
Kryeministri Berisha garantoi qytetarët e Dibrës se do të mbështet çdo projekt për zhvillimin e Dibrës, e cila po shndërrohet në epiqendër të fuqishme të zhvillimit rajonal. Në katër vitet e ardhshme, do të rriten investimet për Dibrën, do të kompletohet infrastruktura, me përfundimin e rrugës së Arbrit, asafaltimin e të gjitha rrrugëve të qytetit dhe komunave të saj, ndërtimin e rrugës që lidh qytetin me rrugën e Arbrit, lidhjen e komunave të rrethit të Dibrës me akset kombëtare, përfundimin e ujësjellësit të Sopikut. Kryeministri, duke ftuar fermëret e Dibrës të mbjellin sa më shumë pemë, për të cilët do subvencionohen për çdo rrënjë të mbjellë, i garantoi ata se do të ndërtohet edhe sistemi më i mirë i vaditjes. Për ne, - u shpreh Kryeministri - ju jeni të parët, Dibra është e para, Shqipëria është e para.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj të përulem me nderimin më të madh para jush, t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë për mbështetjen e fuqishme që ju dibranet e dibranët i keni dhënë Partisë Demokratike që në themelimin e saj, për mbështetjen që i keni dhënë saj në rrugën tonë të lirisë, në rrugën e ndërtimit të një Shqipërie ashtu siç e ëndrrënojmë ne, sic e ëndërrojnë fëmijët tanë.
Unë jam sot, këtu, për të paraqitur kandidat për kryetar bashkie kryetarin tuaj aktual, zotin Ilir Krosi, me zotimin tim solemn para jush se suksesin, fitoren e Ilir Krosit në datën 8 maj, fitoren e qeveritarëve tuaj vendorë në të katër anët e këtij rrethi, sëbashku me ta, do ta shndërojmë në një sukses të vërtetë për çdo qytetare e qytetar, për çdo banor, për çdo lagje, fshat e komunë të rrethit të Dribrës. Këtë fitore do ta shndërrojmë në asafaltimin e të gjitha rrrugëve të qytetit e komunave të rethit të Dibrës, ndërtimin e rrugës që lidh qytetin me rrugën e Arbrit, përfundimin e rrugës së Arbrit, lidhjen e të gjitha komunave të rrethit të Dibrës me akset kombëtare, përfundimin e rrugës Macukull-Luzni. Në katër vitet që vijnë, ne do të përfundojmë ujësjellësin e Sopikut, do të garantojmë ujë 24 orë për Peshkopinë, fshatrat e komunat e saj.
Në këtë rreth, gjatë katër viteve të shkuara kemi investuar shumë herë më tepër, se në 8 vitet e qeverisë tjetër të marra sëbashku. Ju garantoj se shumë herë më tepër do të investojmë në katër vitet që vijnë. Çdo ditë, Dibra, Peshkopia po shndërrohen në epiqendër të fuqishme të zhvillimit rajonal, çdo ditë lidhjet e saj me Tiranën, Prishtinën, Shkupin po bëhen gjithnjë e më të mëdha. Peshkopia është sot qytet universitar dhe ju garantoj se një nga kampuset e para universitare që do të ndërtohet, do të jetë kampusi i universitetit tuaj. Përshëndes të 1000 studentet e studentët që shkollohen në këtë qytet. Përshendës të gjithë banorët e komunave dhe i ftoj ata vëllazërisht të mbjellin sa më shumë pemë.
Dibrane e dibranë,
Shqipëria është një vend i bekuar. Shumica jonë, në këtë shesh, e panë atë të shtrirë përdhe nga një diktaurë, më e egra e më mizorja që Europa kishte njohur, një diktaturë që i çoi njerëzit buzë urisë, skamjes, e vdekjes nga uria. Por ne, në rrugën e lirisë, ia dolëm që të ngremë një Shqipëri tjetër, e cila sot, kryeson për tre vite me radhë, rritjen ekonomike në Europë. Dhe kjo është merita juaj, e mendjes dhe e punës suaj, e muskujve tuaj, përkushtimit dhe sakrificave tuaja, qytetare e qytetarë shqiptarë, njerëz që punoni, njerëz që e doni punën dhe sakrifikoni për veten e familjet tuaja. Por kjo është meritë edhe e reformave të qeverisë që ju mbështetet me vendosmërinë më të madhe.
Shqipëria është vend me pasuri mahnitëse natyrore, një nga vendet më të pasura në Europë e në botë me ujërat e saj të mrekullueshme. Vend, malet e të cilit mbartin rezarva qindramilionë ton minerale. Vend, toka e të cilit është ndër më pjelloret. Ne sëbashku po ecim të sigurt në një revolucion industrial. Vitin e kaluar, ne kemi dyfishuar eksportet. Ne sëbashku po ecim drejt moshës dixhitale. Sot, interneti gjendet në çdo shkollë, në çdo shërbim postar, në çdo zyrë, në të katër anët e Shqipërisë. Sot, ne po i afrohemi standardit europian për përdorimin e tij. Sot, ne ia dolëm që arsimin tonë, aq shumë të dashur për çdo shqiptar, që po rrokullisej, ta ngremë sërish në këmbë. Dyfishuam rrogat e mësuesve, trefishuam numrin e stundetëve. Ne ia dolëm që këtë vit, 91 përqind e fëmijëve tanë që mbarojnë klasën e 9-të të ulen në bankat e shkollave të mesme, ia dolëm që 70 përqind e maturantëve që mbarojnë gjimnazet tona të ulen në bankat e universiteteve. Këto dy tregues janë ndër më të lartët në botë. Sëbashku, këto vitet e fundit, ndonëse në kulmin e krizës ekonomike financiare botërore, ne ia dolëm që të dyfishojmë të gjitha pensionet në fshat, të mbidyfishojmë rrogat e ulëta dhe ato të mesme. Sëbashku, me besimin më të madh tel liria e pasuritë e saj, me reforma të thella, Shqipërinë, vendin më të izoluar të planetit, e bëmë anëtare të NATO-s dhe sot lëvizim të lirë në mbarë Europën.
Vëllezër e motra,
Dibranët, shqiptarët kudo që janë, janë në trojet e tyre, ndofta kombi më i vjetër i Europës. Por paudhësi të madha, pushtime e copëtime, diktatura barbare pothuajse e shkëputën atë nga Europa. Sot, në çdo javë, çdo muaj, çdo vit po ndërtojmë Europën në Dibër, Europën në Tropojë, Europën në Sarandë, Europën në Kolonjë, Europën kudo në Shqipëri. Ne jemi njerëz të mundit, të djersës, të përkushtimit, jemi njerëzit e besimit, por, mbi të gjitha, ne jemi njerëzit e guximit. Ne guxojmë. Dhe pikërisht se guxojmë, ne shndërrojmë ëndrrat tona në realitet dhe do t’i shndërrojmë ato që të gjitha. Shumë e shpejtë do të jetë dita, kur Shqipëria të renditet në grupin e vendeve me industri të zhvilluar, kur Shqipëria të renditet në një ndër vendet me moshën dixhitale më të avancuar, kur Shqipëria të renditet në një nga vendet me arsimin më të zhvilluar.
Shqipëria sot është destinacioni kryesor turistik i planetit, potencialet e saj turistike janë të jashtëzakonshme në Dibër e kudo në këtë vend. Por Shqipëria, në çdo metër të bekuar të tokës së saj, na fton që ta qëndisim nga jugu në veri me pemët më të mira e më të bukura, ta shndërojmë atë kopshtin më madhështor e më të bukur të kontinentit europian. Si Shqipëria nuk ka një vend tjetër, me ujë, dritë e diell, me një tokë më pjellorja që mund të bëhet. Ndaj thirrrja ime për fermerët e Dibrës është guxoni, dhjetëfishoni, qindfishoni kopshtet tuaja. Ju jap fjalën se do të financojmë çdo rrënjë, ju jap fjalën se do i rikthehemi shumë shpejt sistemeve të vaditjes, t’ju garantojmë që, siç po ndërtojmë sot rrugët më të mira, të keni sistemin e vaditjes më të mirin që ekziston.
Në alternativën tonë ka vend për çdo dibran, për çdo dibrane. Ne i kemi dyert e hapura. Asnjë prej jush, qytetar të dadhur të Dibrës, banorë të këtij rrethi, nuk ka nevojë ta mendoni për as edhe një moment të vetme rrugën e vetmisë. Le t’ia lëmë vetmitarëve atë rrugë, se e kanë nxjerrë nga librat e atit të tyre shpirtëror. Por të rinjve, të cilët nuk kanë arritur kohën e rrugës së vetme apo rrugës së vetmisë, do tju tregoj nga ky shesh një episod të jetës sime si mjek, tre muaj, në spitalin e këtij qyteti. Erdha këtu me dashuri të madhe për të ndihmuar të sëmurët ato tre muaj dhe ndërtuan një sallë reanimacioni. Vija për herë të parë në Dibër dhe u dashurova me klimën, peisazhin e njerëzit e saj. Por, të dashur të rinj e të reja, çdo ditë punoja me zemër të thyer, me një brengë të thellë në shpirt, sepse ato burra e gra, ato nëna e baballarë, gjyshe e gjyshër që unë mjekoja në spitalin tuaj, ditën që dilnin nga spitali më refuzonin recetën dhe me thonin se ilaçet nuk i blenin dot. Unë përpiqesha t’u jepja zemër atyre dhe ata menjëherë më bënin llogarinë, se aq sa merrnin në kooperativën bujqësore nuk u mjaftonte për copën e bukës së misrit. Kjo ishte rruga e vetme. I nderuar zoti Edi Rama mos i lëndo qytetarët shqiptarë me hijen e asaj rruge, se nuk ka ndërmend ta ndjekë asnjë prej tyre.
Vëllezër e motra 8 maji është një ditë e madhe, është një ditë, në të cilën ju, dibrane e dibranë, shqiptare e shqiptarë, keni një shans t’i dëshmoni vetes, Shqipërisë e botës se jeni qytetarë europianë se demokracia është pasioni juaj, se liria është pasioni juaj. Ndaj ju bëj thirrrje të votoni të gjithë në 8 maj, të votoni kandidatët e alternativës për ju, të alternativës për qytetarin, sepse për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Dibra është e para, Shqipëria është e para. Rrofshi ju! Rroftë Dibra! Rroftë Shqipëria!”
28/04/2011