E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton në Spitalin Ushtarak një nga të plagosurit e ngjarjes tragjike në Poligonin e Asgjësimit të Municioneve në Bigaz të Skraparit

29 prill 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga Zëvendës Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade, Sandër Lleshi, Zëvendësministri i Mbrojtjes Ekrem Spahia, Drejtori i Kabinetit, Dashamir Xhaxhiu dhe këshilltarë të tjerë, vizitoi sot në mesditë një nga të plagosurit e ngjarjes tragjike të një dite më parë, të ndodhur në Poligonin e Asgjësimit të Municioneve në Bigaz të Skraparit, të riun Jetmir Dedaj, i cili po kurohet aktualisht në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Pasi vizitoi dhe u interesua për gjendjen e të plagosurit, Nëndrejtori i Spitalit Ushtarak, Alfred Gega e njohu Presidentin Topi me punën e forcave të ndërhyrjes së shpejtë dhe stafit mjekësor për të plagosurit e kësaj ngjarjeje aksidentale, si dhe vizitoi njëkohësisht zonjën Majlinda Dehari, e lënduar dy ditë më parë gjatë punës, në Uzinën e Demontimit në Poliçan.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Kryetari i Shtetit theksoi:
“Unë erdha për të parë një nga të plagosurit e një procesi demontimi që, sikurse ju e dini, i ka rënë për pjesë nga pikëpamja ligjore ta realizojnë strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes. Është një proces që ka riskun e vet brenda, bëhet fjalë për një repart që bën demontimin e municioneve të vjetra. Sigurisht, në radhë të parë, ne i urojmë shërim të shpejtë. Unë kam rastin të shpreh ngushëllimet për të ndjerin, i cili humbi jetën në këtë proces. Sikurse ju thashë, është një proces që ne po tentojmë ta bëjmë sipas të gjitha standardeve të NATO-s. Por padyshim, sikurse ndodh me çdo profesion tjetër, edhe këtu, sidomos në këtë lloj profesioni, gjërat janë me shumë risk.
Unë ju falenderoj për interesimin dhe besoj që është pjesë e sensibilitetit publik që gjërat t’i trajtojmë me vlerën reale të asaj çka afron edhe momenti. Unë dëshiroj të inkurajoj të gjithë njerëzit që merren me këtë pozicion, që, duke i bërë gjërat sipas proceseve teknologjike të miratuara, të kenë edhe kujdesin e duhur, por aksidenti mbetet aksident.

Pra, ideja është që bëhet fjalë për municione të vjetra në një Poligon ku gjithçka është e miratuar me ligj dhe me rregulloret përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjithçka tjetër pastaj lidhet me prononcimin që unë dhashë. Faleminderit!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›