Kryeministri Berisha përshëndet punimet e Konferencës Mesdhetare për Kontrollin e Kancerit

Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e Konferencës Mesdhetare për Kontrollin e Kancerit. Në këtë konferencë dyditore, e cila organizohet nën kujdesin e Kryeministrit Berisha, u diskutua, ndër të tjera, për masat që ndikojnë në parandalimin e kësaj sëmundje.
Kryeministri Berisha u shpreh se incidenca e kësaj sëmundje nuk ka të ndalur dhe është shumë e domosdoshme të ketë përqendrim në parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të saj. “Asgjë nuk mund të ndihmojë një të prekur nga kjo sëmundje më shumë se sa diagnoza e hershme. Mendoj se incidenca e sëmundjes, graviteti i saj, na ftojnë që të jemi shumë më të përqendruar në këtë mision të madh, si të parandalimit ashtu dhe të diagnozës së hershme”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në këtë konferencë merrnin pjesë ministra të Shëndetësisë, studiues, akademikë, mjek nga Shqipëria, vende të rajonit dhe më gjerë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të nderuar zotërinj ministra,
Shkëlqesi ambasadorë,
Të nderuar profesorë, akademikë, studiues,
Të nderuar të pranishëm,
Së pari dua t’ju përshëndes ju, zotërinj organizatorë, për përzgjedhjen e Tiranës për zhvillimin e kësaj konference lidhur me një nga çështjet më themelore të mjekësisë dhe shëndetësisë botërore. Sëmundja, krahas tiranive dhe varfërisë, mbetet një nga tre armiqtë më të pamerituar, më të egër të njeriut dhe njerëzimit. Në hierarkinë e tyre padyshim që kanceri kryeson sot një nga agresionet më të mëdha ndaj njeriut. Me përmasat e tij, me incidencën e tij në rritje, me agresivitetin e disa formave të tij përbën problemin më të mprehtë e më madhor në botë. Progresi në mjekimin dhe trajtimin e tij të gjithanshëm është i madh. Megjithatë nuk ka të ndalur edhe incidenca e tij.
Ndaj ky armik i njeriut dhe i njerëzimit meriton një luftë shumë të vendosur, një luftë të gjithanshme, e cila padyshim duhet të përqendrohet në parandalimin e tij. Sot shkencat kanë identifikuar, në mos jo shkakun e vërtetë por shkaqet e shkaqeve. Kanë bërë një progres të ndjeshëm në faktimin e një seri agresorësh, agjentësh, nga viruset tek duhani, që janë të pranishëm dhe janë shumë të rëndësishëm në shfaqjen e kësaj sëmundje. Për rrjedhojë kemi plotësisht të drejtë të besojmë se këto shkaqe janë shumë të rëndësishëm në parandalimin e saj. Kjo kërkon adoptimin e një mënyrë të re jetese, kërkon konsolidimin e përpjekjeve për të luftuar këto shkaqe, të cilat le t’i quajmë shkaqet e shkaqeve të shkaktimit të kancerit. I tillë është duhani, alkooli, të tilla janë viruset dhe sëmundje të tjera. Ndaj përpjekja, qëndrimi multidimensional, politik, psikosocial, ekonomik, sigurisht para së gjithash mjekësor, është rruga e vetme që ne të mund të arrijmë të shënojmë një kthesë të rëndësishme në parandalimin e tij.
Rendësi të jashtëzakonshme ka qëndrimi ndaj të sëmurit. Të sëmurët në tërësi janë heronjtë për të cilët poetët nuk kanë thurur poezi dhe as këngëtarët nuk u kanë kushtuar këngë, por nuk duhet të harrojmë kurrë që hero i vërtetë është ai që lufton çdo orë dhe çdo ditë me sëmundjen e tij. Ne duhet të ridimensionojmë qëndrimin në këtë aspekt. Duhet të bëjmë gjithçka për një cilësi jete sa më normale e sa më të pranueshme të këtyre të sëmurëve. Mjekësia, në këtë aspekt, ka arritje të mëdha. Ajo duhet të gërshetohet me psikologjinë, duhet të gërshetohet me kujdesie sociale më të madhe. Diagnoza ka një progres të madh. Natyrisht, asgjë nuk mund të ndihmojë një të prekur nga kjo sëmundje më shumë se sa diagnoza e hershme. Mendoj se incidenca e sëmundjes, graviteti i saj, na ftojnë që të jemi shumë më të përqendruar në këtë mision të madh, si të parandalimit ashtu dhe të diagnozës së hershme. Testet e Papanicolau, Mammography dhe teste të tjera janë përcaktuese për diagnozën e hershme në raport me kohën që ato bëhen, janë përcaktuese në këtë aspekt në gjerësinë që ato përdoren, janë përcaktuese në vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë e këtyre testeve.
Qeveria shqiptare sheh me shqetësim të madh rritjen e incidencës nga sëmundjet neoplazike. Dhe kjo rritje, sigurisht, ka të bëjë me diagnostikimin më të mirë, por në fakt ka të bëjë më shumë me shtimin e agresorëve mbi qelizat, shtimin e atyre agresorëve që deklanshojnë shkaqet e kësaj rritje, deri më sot të padominueshme, deri më sot në jo qartësisht të njohur në të gjithë mekanizmat e saj molekular dhe gjenetik. Ndaj dhe duhet të përqendrohemi shumë më tepër, jo për të demonizuar, por është e domosdoshme dhe plotësisht e mundshme që grupi i faktorëve potencialisht kancerogjen të zvogëlohet në maksimum prania e tyre, sepse nuk mund të them që zhduken, pasi janë pjesë e kimisë së zhvillimit. Në Shqipëri është i domosdoshëm të mbahet një qëndrim i ri ndaj tyre. Krahas kësaj, le të bëhet gjithçka për metodat e diagnostikimit të hershëm dhe të kurimit më modern të kësaj sëmundje.
Unë dua të përgëzoj punonjësit e onkologjisë, të gjithë studiuesit, për punën e shkëlqyer dhe t’i garantoj ata se qeveria mbështetjen ndaj Institutit të tyre e ka dhe do ta ketë përparësi të vazhdueshme. U takon atyre dhe ministrisë së Shëndetësisë që të marrin në dorë, të kryesojnë, organizimin e luftës kundër kancerit. Njeriu dhe njerëzimi, në tërë historinë, ka pësuar dhe pëson agresione, por në tërësi është e pamohueshme që ai është fitimtar. Unë kam shumë besim se edhe ndaj këtij agresioni shkenca, shoqëria, do të dalin fitimtarë. Por e rëndësishme është që të bëjmë gjithçka për të kursyer qoftë edhe një minutë jetë për çdo qytetar të prekur nga kjo sëmundje, për të parandaluar prekjen nga kjo sëmundje të çdo qytetari, për mjekimin e tij më të mirë.
Ju uroj suksese në këtë konferencë dhe ju falënderoj për organizimin e saj në Tiranë.
Faleminderit!”
29/04/2011