Kryeministri Berisha: Barazia gjinore është kushti i të gjitha kushteve, për një shoqëri të emancipuar dhe zhvillim të vërtetë social
Lufta me stereotipin dhe pasojat e tij është një betejë permanente, jashtëzakonisht e dobishme, ndofta ndër më të rëndësishmet, me një rrezatim të fuqishëm në zhvillimin e mbarë shoqërisë dhe të vendit.
Do të bëjmë çdo përpjekje që të luftojmë me sukses pasojat e një stereotipi, nga i cili shoqëria shqiptare duhet të çlirohet sa më shpejt.
Kryeministri Berisha përshëndeti sot hapjen e konferencës kombëtare “Sfidat në kapërcimin e steriotipeve gjinore”, organizuar nga Ministria e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në bashkëpunim me Prezencës e OSBE-së dhe PNUD-it, programit të Kombeve të Bashkuara, në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, më lejoni t’ju falënderoj me përzemërsi për organizimin e kësaj konference, për një çështje themelore të shoqërisë shqiptare, një çështje themelore të mbarë qytetërimit apo qytetërimeve të sotme. Barazia gjinore është kushti i të gjitha kushteve, për të pasur një shoqëri të emancipuar, për një zhvillim të vërtetë social, për një shfrytëzim më të madh të potencialit njerëzor. Ndaj lufta me stereotipin dhe pasojat e tij është një betejë permanente, jashtëzakonisht e dobishme, ndofta ndër më të rëndësishmet, me një rrezatim të fuqishëm në zhvillimin e mbarë shoqërisë dhe të vendit.
Sot, ekziston një kuadër shumë i mirë ligjor, i domosdoshëm, që garanton barazinë e plotë gjinore. Shqipëria ka firmosur të gjitha Konventat dhe është ndër të paktat vende që kaloi së fundi edhe ligjin kundër diskriminimit. Në sektorë të tërë jetikë të vendit, vajzat dhe gratë janë shumicë dhe kështu duhet të jenë, sepse janë shumicë në shoqëri. Roli dhe kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm. Roli dhe kontributi i tyre në familje është themelor, por i tillë është ai edhe në shoqëri, në të gjitha fushat.
Ne mblidhemi sot, në një kohë, kur në administratë, në shkollat e larta të vendit, në tërësi, kemi luftuar me sukses pasojat e stereotipit. Në shkollat e larta të vendit dominojnë vajzat, në raport me djemtë, po ashtu në administratë numri i tyre është më i madh. Por, sërish, duhet të pranojmë se gratë e vajzat janë viktima të padrejtësive, gjer edhe agresioneve, të cilat mbart në vete stereotipi i trashëguar, së paku, gjatë 2 mijëvjeçarëve të fundit. Duhet të pranojmë se shoqëria nuk ka qenë e drejtë ndaj jush, nuk kanë qenë të drejta as besimet fetare. Ndaj edhe reforma të thella janë shumë të domosdoshme, në mënyrë që të ndahemi nga një stereotip, që nuk i bën nder aspak shoqërisë shqiptare, por dhe asnjë shoqërie.
Në rast se në ligj, në tërësi, ne kemi një zgjidhe optimale, nuk e kemi këtë në realitet, jemi larg së pasuri në realitet. Sot, dhuna ndaj vajzave dhe grave në familje është e turpshme, e dënueshme, e papranueshme. Nuk mund të them se ajo është zvogëluar, por një punë të shkëlqyer ka bërë shoqëria civile, Ministria e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe denoncimet po bëhen gjithnjë e më të mëdha. Ju garantoj se qeveria do të marrë çdo masë dhe do të angazhohet me ashpërsinë më të madhe të ligjeve. Më lëndonte shumë fakti, kur disa vite më parë, krimi në familje pothuajse gjykohej sipas rregullave të kanunit, që, në fakt, e mbronte gruan, por ka qenë një interpretim shumë i gabuar i tij, se për ta prekur nuk e prekte kurrë, çka përbënte një traditë. Nuk them se nuk e privonte nga shumë të drejta të tjera, por nga agresioni fizik, gruaja kishte mbrojtje totale. Problemi qëndronte se edhe në gjykatat tona vetëm sa nuk vendosej se kishte të drejtë ai që i godiste apo keqtrajtonte. Kjo situatë nuk është më, ka ndryshuar. Ky kapitull është mbyllur. Por ndaj krimit në familje duhet të forcojmë rreptësinë e ligjit. Në të përditshëm, Kaini mbahej si krimi më i shëmtuar, por unë theksoj sërish se asnjë krim nuk është më i shëmtuar, sesa krimi në familje. Ndaj ne duhet të rreptësojmë ligjet, duhet të mundësojmë gjithnjë e më shumë që ky krim të denoncohet, të bëjmë çdo gjë për parandalimin e tij. Një qëndrim më i rreptë ndaj këtij krimi është i domosdoshëm.
E theksoj edhe një herë se në ligje, ne jemi në rregull, por në realitet, jo. Në administratën shqiptare predominojnë vajzat dhe gratë. Në universitetet e vendit, në një përqindje qartësisht më të lartë, diplomohen vajza, sesa djem. Dhe, megjithatë studimet faktojnë se të ardhurat që ato realizojnë për familjen e tyre janë rreth 35 përqind më të ulëta se të burrave. Në të gjitha borderotë nuk është e shkruar kund një pagë më e ulët për gruan, sesa për burrin, por tërësia është kokëfortë dhe dëshmon se gratë marrin më pak. Kjo, sepse, në rast se në ofiqet e larta burrat janë rreth 80 përqind, gratë janë në 20-30 përqind. Kjo, sepse në biznese, në rast se burrat janë maxhorancë absolute, gratë janë shumë më të pakta dhe jo sepse ato nuk kanë iniciativën e lirë të zhvilluar, përkundrazi e kanë shumë të zhvilluar, jo se ato nuk mund të organizojnë dhe drejtojnë bizneset, përkundrazi, në shumë aspekte, më mirë se vetë burrat. Në marrëdhëniet kontraktuale gratë janë të shkëlqyera. Krahasuar me to, burrat do të ishin qytetarë të dorës së dytë. Por këtu, ne kemi në dorë, e kemi levën dhe unë ju garantoj se shumë shpejt qeveria do të ngrejë rrjete kreditimi vetëm për gratë. Ju bëj gjithashtu thirrje bankave ta konsiderojnë këtë, me seriozitetin më të madh, se në rast se duan të kenë sa më pak kredi toksike, le t’ia japin kredinë grave, të cilat nga momenti që firmosin, mobilizojnë të gjithë potencialin e tyre, në mënyrë që t’i qëndrojnë detyrimit për vete dhe moralin, por edhe si përgjegjësi ndaj fëmijëve, bashkëshortit, familjes. Këtu, kemi shumë për të bërë. Edhe një herë dua të theksoj se në ligj pagat janë të njëjta, por jo në tërësinë e tyre, për shkak se në biznes në tërësi janë të përfshirë burrat, apo për shkak se në pozicione kryesore janë po ata. Por këtu qeveria ka ecur dhe po ecën. Ne bëmë një hap të rëndësishëm përpara në parlamentin aktual, bëmë një hap shumë të rëndësishëm përpara në administrimin e zgjedhjeve dhe unë ju garantoj se ju keni sjellë shumë moralitet në zgjedhjet e fundit, në administrimin e tyre, keni treguar një shkallë të lartë përgjegjësie, pasi kjo ju karakterizon juve.
Ndaj kjo konferencë duhet të dalë me një program pune, me të cilin qeveria, institucionet e vendit, shoqëria civile, së bashku, të përcaktojnë objektiva të qarta. Në rast se duam të luftojmë me vendosmëri stereotipin, ne duhet të ecim me plane veprimi të kontrollueshme, të matshme dhe jam i bindur se kjo do të jetë një levë e fuqishme për zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe vendit në tërësi.
Do ta mbyll këtë fjalë, duke ju përshëndetur juve përzemërsisht, duke përshëndetur të gjitha vajzat e gratë e Shqipërisë dhe duke ju dhënë ju fjalën se qeveria do të bëjë çdo përpjekje, në bashkëpunim edhe me partnerët tanë, të cilëve duhet t’u jemi shumë mirënjohës, sepse e kanë shndërruar këtë çështje në një çështje kryesore të angazhimit, përkushtimit dhe mbështetjes së tyre ndaj Shqipërisë. Dua t’ju garantoj se do të bëjmë çdo përpjekje që të luftojmë me sukses pasojat e një stereotipi, nga i cili shoqëria shqiptare duhet të çlirohet sa më shpejt. Faleminderit.”
03/06/2010