Kryeministri Berisha takon Komandantin e Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s, në Napoli, Admiralin Mark Fitzgerald
Kryeministri Berisha prit sot në një takim Komandantin e Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s, në Napoli, Admiralin Mark Ficxherald, i cili ndodhej në Shqipëri me rastin e mbylljes së Prezencës së NATO-s në Shqipëri.
Pasi uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe përfundimin me sukses të plotë të misionit të zyrës së Prezencës së NATO, në Shqipëri, Kryeministri Berisha i shprehu Admiralit mirënjohjen më të thelle të qeverisë shqiptare për kontributin e madh që ky mision dha gjatë kësaj periudhe për reformën në sektorin e mbrojtjes dhe në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Kryeministri Berisha vlerësoi lart punën e bërë nga të gjithë drejtuesit e misionit, gjatë kësaj periudhe nga vende të ndryshme aleate të NATO-s dhe falënderoi vendet anëtare për mbështetjen që i dhanë punës së zyrës së Prezencës së NATO-s në Shqipëri.
Admirali Fitzgerald e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe ndau të njëjtin mendim kurorëzimin me sukses të plotë, të misionit të zyrës së Prezencës së NATO-s në Shqipëri. Në këtë kontekst, admirali Fitzgerald vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, në reformat e thella e gjithëpërfshirëse, të cilat bënë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë, në Aleancën politike ushtarake më të suksesshme të kohërave. “Ne jemi shumë krenarë për arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me ju. Kush mund ta mendonte 20 vjet më parë që Shqipëria do të ishte anëtare e plotë e NATO-s", u shpreh admirali Fitzgerald.
Me tej, Admirali i konfirmoi kryeministrit Berisha vijimësinë e mbështetjes si në reformimin dhe transformimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura ashtu edhe në integrimin e plotë të vendit, në të gjitha strukturat e programet e Aleancës. Në këtë kontekst, Admirali Fitzgerald vlerësoi punën e jashtëzakonshme që po bëhet nga qeveria shqiptare për transformimin e FA në ushtri profesioniste, modernizmin e tyre, përgatitjen dhe modernizmin e tyre, sipas standardeve të NATO-s, rezultatet e rëndësishme të kësaj periudhe, për shkatërrimin e arsenaleve të vjetra e të rrezikshme, të mbetura në Shqipëri nga koha e komunizmit dhe në veçanti për kontributin e Shqipërisë, në misionet e Aleancës në shërbim të paqes.
Admirali Fitzgerald i pohoi Kryeministrit Berisha angazhimin e plotë komandës që ai drejton dhe të NATO-s për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë shqiptare, në të gjitha aspektet e transformimit të sektorit të mbrojtjes.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e njohu Admiralin me punën intensive që po bëhet në të gjitha aspektet e reformës në FA dhe në veçanti për sa i përket objektivit të shndërrimit përfundimtar të Forcave të Armatosura, në forca tërësisht profesioniste, të standardeve të NATO-s, si dhe vazhdimin e mbështetjes financiare të gjithanshme të qeverisë shqiptare për këtë qëllim.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon, ku në veçanti u vlerësua kontributi i rëndësishëm i KFOR-it në Kosovë.
02/06/2010