Kryeministri Berisha: Bashkëpunim me opozitën, për t’i dhënë përgjigje të qëndrueshme disa çështjeve të rëndësishme
- Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Kryeministri Berisha kërkoi sërish 'shembjen e murit të imuniteteve'.
Kryeministri Berisha i bëri sot thirrje opozitës për bashkëpunim për zgjidhjen e disa çështje të rëndësishme dhe luftën kundër korrupsionit. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Kryeministri Berisha kërkoi sërish 'shembjen e murit të imuniteteve'.
“Ne kemi vepruar shumë drejt që nuk kemi penguar dhe nuk do të pengojmë, që çdo kërkese e prokurorisë për heqjen e imunitetit t’i përgjigjemi, - ne e kemi mbajtur këtë zotim - por duhet të bëhen përpjekje të mëdha që Shqipëria të shembë murin e imuniteteve. Natyrisht vendimi më i qëndrueshëm në këtë rast është ai që merret bashkë me opozitën.”
Gjithashtu, Kryeministri Berisha tha se është i domosdoshëm edhe shqyrtimi i statusit të deputetëve, të cilët, në papajtueshmëri me standardet europiane, mbajnë makina dhe shoferë në kurriz të taksapaguesve.
“Situata e parlamentit shqiptar është e papajtueshme me standardet europiane. Nëse ne mbajmë deputetë me makina dhe shoferë në kurriz të taksapaguesve, mos mendoni se bindim kënd me vullnetin e madh për të luftuar korrupsionin me tolerancë zero. Korrupsioni është abuzim me fondet. Ne jemi mazhoranca dhe duhet të prijmë me shembull në gjithçka. Është e domosdoshme ndryshimi i ligjeve të bazuara në etjen e skajshme, ose ndryshe ‘babëzinë’. Ligji i statusit të deputetit është i bazuar në ‘babëzinë’. Nuk ka vend në botë që deputeti të marrë 1.5 herë më shumë se Kryeministri, në dieta e të tjera. Ky fakt nuk më shqetëson, por deputeti shqiptar nuk mund të jetë deputeti i vetëm në Europë me makinë dhe shofer.”
Për zgjidhjen e këtyre çështjeve, Kryeministri Berisha ftoi opozitën të bashkëpunojë me mazhorancën për t’i dhënë përgjigjen më të qëndrueshme atyre.
“Lufta kundër korrupsionit, - u shpreh Kryeministri - është luftë për të ardhmen, për fatin dhe destinacionin e fëmijëve tanë, të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë më shumë nevojë për integrim se çdo qytetar tjetër europian. Këto çështje do të shkojnë drejt zgjidhjes. Ne jemi maxhoranca dhe na takon t’i zgjidhim ato. Sigurisht do të bisedojmë me opozitën dhe me shumë insistim do të kërkojmë t’i ndryshojmë së bashku ato.”