E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inspekton punimet në rrugën Kardhiq-Delvinë

Kryeministri Berisha në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”  inspektoi në Gjirokastër punimet për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 597 milionë lekë.

Duke vlerësuar cilësinë e punimeve që po kryhen në këtë segment rrugor, Kryeministri e cilësoi atë si jashtëzakonisht të rëndësishëm për faktin se shkurton me rreth 50 km distancën e qytetarëve të Sarandës, Tepelenës dhe Gjirokastrës me Tiranën.
 
Kryeministri shprehu garancinë për ndërtimin e boshtit të jugut, pjesë e të cilit është edhe ky segment rrugor, duke nënvizuar se qeveria do ta realizojë këtë ndërtim  pavarësisht se projekti i tij është i vështirë.

Pas përfundimit të këtij loti, tha Kryeministri, do të nisin punimet në lotin tjetër të këtij segmenti rrugor në drejtim të Delvinës, i cili do të ndahet në dy lote me qëllim përfundimin e punimeve në një kohë sa më të shkurtër.

“Shqipëria është një vend i vogël me rrugë të gjata dhe ne do ta bëjmë sic është aq sa është. Rrugët duhet të mbarojnë sa më shpejt”, u shpreh Kryeministri.

Gjatë kësaj vizite Kryeministri Berisha shoqërohej nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli njëkohësisht deputet i zonës, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës dhe drejtues të tjerë të pushtetit vendor.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›