Kryeministri Berisha: Bashkëpunimi me opozitën garanci për konsolidimin me sukses të reformave
Kryeministri Berisha përshëndeti paraqitjen në Kryesinë e Kuvendit, të amendamenteve për ndryshimet e nevojshme në kushtetutë, lidhur me reformën zgjedhore, të paraqitura nga opozita. “Unë dua të garantoj opozitën dhe shqiptarët, u shpreh kryeministri në mbledhjen e Grupit parlamentar, që kjo qeveri e ka bazuar platformën e vet vetëm tek reformat dhe në ketë kontekst mirëpres me kënaqësi çdo lloj bashkëpunimi që opozita ofron për promovimin e tyre, duke ruajtur të pacenuara çdo lloj të drejte për të kritikuar qeverinë.”
Duke rivlerësuar bashkëpunimin me opozitën si kusht vendimtar për mbarëvajtjen e reformave, Kryeministri ftoi deputetët që propozimet e bëra të trajtohen me seriozitet, për të ecur bashkërisht drejt konsolidimit të reformave.
“Qeveria nuk mund të bazojë platformën e vet në kritikat ndaj opozitës. Në një vend normal demokratik qeveria e bazon platformën e vet, në reformat që kryen. Natyrisht reagimet bilaterale janë normale, por ne vlerësojmë shumë ecjen përpara bashkërisht me reformat dhe jo vetëm në ligjet që kërkojnë votime të kualifikuara, por ka ardhur koha që edhe në ligjet e thjeshta ne të përpiqemi të funksionojmë konsensualisht. Ndaj dhe ju ftoj që propozimet e bëra sot, ti trajtojmë me seriozitetin më të madh dhe të ecim përpara në konsolidimin e reformave.
Ndër të tjera Kryeministri informoi se një diskutim shumë i frytshëm është bërë për reformën e pensioneve, me qëllim ecjen e saj përpara.